“Zhurmë” prangash në “sarajet” e politikës

523
Informacioni që ka mbërritur dje në redaksinë e gazetës “Telegraf” prej funksionarësh të drejtësisë, që tashmë “komandohen” nga shërbimet ndërkombëtare, të cilët po monitorojnë procesin e pastrimit të politikës e shtetit nga “llumi”, tregon se SHBA-BE paskan vendosur ta çojnë deri në fund jo vetëm skemën e reformës në drejtësi, por edhe çuarjen përpara “drejtësisë së re” shqiptare të atyre politikanëve, shtetarëve e zyrtarëve të lartë ende komandues të këtij vendi, që 25 vite më parë nisën demokracinë me parullat e integrimit të Shqipërisë në BE dhe e lanë këtë vend në tranzicion mesjetar duke e ndarë e përdorur si “saraje” të tyre, për interesa pushteti e personale. 

Një “sinjal” që nuk do të “kënaq”, por do të rikthej shpresën e drejtësisë së barabartë në këtë vend, bën me dije se në “kafazin” e drejtësisë ka nisur procesi që të çohen funksionarë të lartë që me veprim, ose mos veprim, kanë krijuar shumë momente krizash kombëtare me korrupsion, me bllokime politike, me trazira popullore me pasoja të rënda njerëzore, sociale dhe ekonomike, me krime politike e shtetërore si në Libi, Siri, Ugandë e Kili, që pavarësisht ndërhyrjes së ndërkombëtarëve ende nuk dihet se ku dhe kur do t’i dalë “tymi” e fundi kësaj katrahure të krijuar në Shqipërinë e komanduar ende, prej një pjese të atyre që e krijuan dhe po e nxitin! Gjithsesi, miratimi i ligjit të “Vetingut” nuk ka kaluar si formalitetet e tjera të këtyre 25 viteve, por si veprim konkret e aktiv. Këtë e provon informacioni i ardhur në redaksi, sipas të cilit thuhet se këto ditë nis zbatimi platformës së efekteve vepruese të drejtësisë ndaj personazheve “VIP”, që kanë bërë “mëkate” të rënda ndaj këtij vendi e këtij populli! Me diktat të ndërkombëtarëve që po komandojnë reformën në drejtësi dhe procesin e nisjes së zbatimit së drejtësisë, thuhet se brenda 15 shtatorit 2016, disa funksionarëve “VIP”, do t’u dërgohet në derë të shtwpisë e të zyrës “129”, ose “letra” e drejtësisë, për t’u çuar e për të shkuar atje ku “rrëfehen” e ndëshkohen mëkatet e bërë! tashmë janë përcaktuar tre momentet mbi të cilët do të nis ky “operacion”: 

1. Periudha që do të hetohet. 

2. Llojet e krimeve që janë bërë. 

3. Emrat e personave përgjegjës të krimeve që hetohen. 

Së pari, në kriterin e përcaktuar kohor, brenda të cilit do të shtrihet evidentimi dhe zbardhja e ngjarjeve dhe krimeve të rënda, janë “zgjedhur” rastet e ndodhur gjatë 10 viteve të fundit, pra që prej vitit 2006, por kjo nuk quhet shkelje e “vijës” së caktuar kohore, nëse “fijet” e një ngjarjeje, apo krimi shkojnë edhe tek personazhe e kohë të përpara 10 viteve, nëse vazhdimësia dhe efektet e krimit, apo ngjarjeve kanë arritur e veprojnë edhe sot!

Së dyti, sipas kriterit të llojeve të krimit, thuhet se në “skanerin” e drejtësisë, do të kalojnë ngjarja e Gërdecit, ngjarja e 21 janarit, koncesionet e 320 HEC-ve, pakti detar me Greqinë, skandali me tatimet, skandalet me doganat, skandali me rimbursimet miliarda lekë në ilaçe, përdorimi i fondeve publike për propagandë në shërbim të pushtetit personal, trafiqet e armëve, skandalet me 3 koncesionet e shëndetësisë, skandali me 67 tenderët fiktivë të rrugëve, skandali me miliardat e CEZ-OSHE, për grabitjet e bankave, për skandalin e vjedhjes në BSH, skandali me tenderët e blerjeve miliona euro nga KESH etj. 
Së treti, lidhur me emrat e parë të “përzgjedhur” për t’u çuar në ballafaqimin me drejtësinë, janë përcaktuar 10 funksionarë politikë e shtetërorë, për të cilët thuhet, se janë bërë gati 10 qelitë e para! “Zhurma” e lajmit të 10 prangosjeve të para, ka nisur të qarkulloj edhe brenda “Sarajeve” të politikës shqiptare, duke krijuar panik mes tyre, madje prej disave, edhe përgatitje “valixhesh” për t’ia mbathur jashtë e larg Shqipërisë!

Sigal

Përparim HALILI