“Zgjedhorja”, analisti Fatos Lubonja: Marrëveshja s’garanton zgjedhje të lira. Rama meriton konflikt të egër

371
Sigal

Analisti Fatos Lubonja i ftuar në një studio televizive ka komentuar marrëveshjen e arritur për administratën zgjedhore mes palëve politike.

Lubonja thotë se pavarësisht se kjo marrëveshje s’garanton zgjedhje të lira e të ndershme, më shumë nga ajo ka fituar Rama.

“Me atë marrëveshje u arrit rregullimi i status-quosë. Më shumë ka fituar Rama nga kjo marrëveshje se sa opozita. Pra me këtë marrëveshje bien akuzat e opozitës për vjedhje votash, ato se krimi është futur në qeveri dhe votime, duket sikur të gjitha këto u harruan edhe nga mendimi apo iluzioni që ka opozita se me këto që kanë ndodhur me Ramën edhe prishja e teatrit mundet që ata të fitojnë zgjedhjet pra s’ka nevojë të bëjnë protesta. Ata besojnë që ky (Rama) është diskretituar dhe nuk do e votojnë më shqiptarët. Me këtë marrëveshje opozitës i ngelet vetëm biometrikja deri tani dhe komisionerët, por a mjafton kaq për të siguruar zgjedhje të lira? Unë besoj që jo. Ndërkombëtarët i duan liderët këtu të urtë e të mirë, por harrojnë që politika është edhe konflikt. Rama meriton konflikt të egër me ato që ka bërë. Konflikt sic po ndodh në SHBA. Unë mendoj që me atë marrëveshje, në kushtet ku ndodhemi nuk mjaftojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Analisti komentoi edhe situatën e COVID 19, ndërsa shtoi se nuk i beson shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Këtu ka shumë teori, ka teori që thonë se e kemi pas që në janar-shkurt ku kanë vdekur njerëz me shumicë. Nëse flitet për dështim mund të flitet në atë moment se këtu nuk u mor vesh fare. Sistemi ynë ishtë paaftë fare. Në janar janë zbuluar njerëz me COVID 19 në Norvegji të shkuar nga Shqipëria. Sa për shifrat e MSH nuk i besoj fare, mund të jenë edhe më shumë. Përshtypja ime është se situata në Shqipëri nuk ishte si e Lombardisë. Se sa ka ndikuar ai izolimi është vështirë ti japësh pikë qeverisë. Ishte terror, s’ka pasur gradualitet. Mendoj që ndoshta fati apo klima ka ndikuar në rastin tonë, se jemi më shumë si Jugu i Italisë”,- tha Lubonja.