Zgjedhjet vendore/ Berisha: Alibeaj po bën lojën e Ramës!

119
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se kryeministri Edi Rama i nxjerr kandidatët për bashkitë nga shpella, ku sipas tij ata nuk votohen nga asnjë forum.

Komentet Berisha i bëri gjatë një interviste, ku tha se të njëjtën gjë e bën edhe Enkelejd Alibeaj me kandidatët që ai nxjerr, që sipas tij janë ilegjitim.

Berisha shtoi se bashkëjetuesja e Alibeajt bën zëdhënësen e Partisë Socialiste në Gjykatën Kushtetuese, me urdhër të bashkëshortit të saj.

“Nëse do të futesha në zgjedhje me skemën e 6 marsit, kjo do të ishte tradhëti ndaj forcës politike që përmbysi regjimin. Do të ishte tradhëti ndaj parimeve kushtetuese. Do të ishte tradhëti ndaj vendimeve të drejta të gjykatave. Të hapur plotësisht përveçse me Alibashën për bisedime. Natyrisht me Alibashën që janë krejtësisht pengje të Edi Ramës. Unë dua të denoncoj këtu se zëdhënësen e Partisë Socialiste në Gjykatën Kushtetuese, është sot bashkëjetuesja apo e shoqja e Alibashës. Ajo bën fanatiken e verbër të Taulant Ballës, me urdhër të bashkëshortit të saj.

Nuk e bën më pak se Papjorgji apo Toska që janë të njohura të PS-së. Por e bën edhe më shumë. Këta janë vënë në shërbim të krimit dhe drogës së Ramës. Jam i hapur me gjithë të tjerët. Të gjithëve në mënyrë të padiskutueshme u njoh kontributet që kanë dhe nuk kanë bërë ato pazaret e turpshme në kurriz të demokratëve shqiptarë. Alibasha ka transformuar të shoqen e cila sillet në GJykatën Kushtetuese në mënyrën më të padenjë për një gjykatëse, për një punonjëse. Bën çdo gjë sipas porosive të Ballës e Ramës. Ata janë kandidatë të Edi Ramës. Edi Rama i nxjerr si nga shpella kandidatët e tij. Nuk voton asnjë forum, nuk voton askush. I emëron krimi. Të njëjtën gjë bën edhe Alibasha.

Ata e kanë legjitimitetin tek Rama. PD është më e vendosur se kurrë për të mbrojtur pluralizmin. PD është sot më e fortë se kurrë. Kaloi një eksperiencë të pashëmbullt në historinë e Europës. Përpjekjet për ta shkatërruar atë erdhën nga eksponentë të mafies ndërkombëtare. Kjo nuk është një gjë e lehtë. Jemi ne që pësuam dramën. Në rast se McGonigal nuk është agjent rus, ajo mbetet një histori korrupsioni dhe shkelje ligji. Kurse këtu në Shqipëri u bë gjithçka që të forcohet monizmi i Edi Ramës. Shqipëria pësoi një agresion nga një grup mafiozësh. Një grusht shteti”, është shprehur Berisha.