Zgjedhjet, KQZ: Sanksione ndaj vendorëve që s’japin informacion

457
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëroi sot ‘me vendosje gjobash dhe procedim penal për shpërdorim detyre’ drejtuesit vendorë, të cilët sipas ligjit, nuk kanë përcjellë në KQZ informacionin për qendrat votimit(QV), në kuadër të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Drilona Hoxhaj bëri të ditur se KQZ në mënyrë të përsëritur ka ngritur shqetësimin për moszbatimin e kodit zgjedhor nga krerët vendorë, të cilët brenda datës 26 janar, duhet të dorëzonin pranë KQZ-së informacion për QV-të dhe hartat zgjedhore.

“Deri tani kanë sjellë informacion 126 njësi vendore, të cilat kanë propozuar vendosjen në ambiente private të 428 QV, nga të cilët vetëm 13 e kanë sjellë informacionin e plotë. Ndërkohë, 110 kryetarë të njësive vendore kanë sjellë informacion të paplotë, duke mos referuar arsyet pse qendrat e votimit nuk mund të vendosen në ambiente publike dhe duke dërguar vetëm një alternativë, ndërsa kodi zgjedhor përcakton se për çdo QV propozimi duhet të paraqitet në dy objekte alternative private.

KQZ i kërkon te gjithe kryetarëve te njësive vendore të përmendur më lart, të sjellin menjëherë informacionin e kërkuar pranë KQZ-së, pasi po pengojnë punën e Komisionit në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, për zgjedhjet e 21 Qershorit. “Ky është paralajmërimi i fundit, pasi KQZ do të vijojë me vendosjen e sanksioneve administrative (gjoba) dhe me procedim penal për shpërdorim detyre”, përfundon deklarata e zëdhënëses.