Zgjedhjet e parakohshme, zbulohet data kur do të shpërbëhet Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

500
Sigal

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi njoftoi të mërkurën se do ta shpërbënte parlamentit më 11 shkurt, për t’i lënë hapësirë organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat pritet të mbahen më 12 prill, 2020.

Por, nëse z. Xhaferi e shpërbën parlamentin ashtu siç ka planifikuar, kjo mbase do ta ngushtonte hapsirën e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqëedonisë së Veriut në Nato, pikërisht nga ana e parlamentit në Shkup. Megjithëse pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Aleancës e kanë ratifkuar protokollin, ka mbetur Spanja pa e bërë ende këtë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen atje në nëtor të këtij viti.

Autoritetet qeveritare në Shkup shpresojnë se Spanja do të ketë zgjedhje të suksesshme dhe parlamenti i saj nuk do të vonojë me ratifikimin e protokollit. Por, Kryeministri Zoran Zaev dëshiron që parlamenti maqedonas të mos shpërndahet deri në datën e fundit që e mundëson ligji, për të mos rrezikuar eventualisht që vendi të mbetet pa ligjvënës në një kohë shumë të rëndësishme kur duhet ratifikuar protokollin.

Sipas ligjeve, parlamenti duhet të shpërndahet nga 45 deri në 60 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Zoran Zaev ka biseduar me Talat Xhaferin dhe i ka sugjeruar atij që shpërbërja të lihet në 45 ditëshin e fundit.

Nga ana tjetër, drejtuesi i opozitës, Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se një këshilltar i Presidentit të ketë thënë në takimin e fundit me drejtuesit e partive se “Kushtetuta parasheh që parlamenti edhe i shpërbërë të mund të mblidhet në raste urgjente siç do të ishte nevoja për ratifikimin e protokollit të NATO-s”. Por një mundësi të tillë e hedh poshtë kryetari i parlamentit Talat Xhaferi. Ai u tha gazetarëve se “për këtë (ratifikimin) do të duhej pritur përbërjen e re parlamentare”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm, ashtu siç ranë dakord me konsensus para dhjetë ditësh kryetarët e partive LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Lëvizja Besa dhe PDSH në një takim që kishte thirrur presidenti maqedonas Stevo Pendarovski.

Vendimi për zgjedhjet e parakohshme pasoi dëshpërimin e thellë të Kryeministrit Zoran Zaev pas mos-hapjes së bisedimeve nga Bashkimi Evropian me Maqedoninë e Veriut. Partia e tij Lidhja Social Demokrate kërkon edhe një mandat në pushtet, ndonëse sipas disa sondazheve partia radikale VMRO-DPMNE e opozitës mund të fitojë zgjedhjet me një epërsi të ngushtë.

Por, analistët vlerësojnë se VMRO-ja edhe në rast fitoreje, nuk do ta ketë të lehtë ta formojë qeverinë sepse partitë shqiptare më shumë favorizojnë LSDM-në dhe VMRO-ja nuk gëzon pothuaj aspak simpati tek eletorati shqiptar./VOA