ZGJEDHJET E LIRA DHE MARIFETET PËR T’I MANIPULUAR ATO

534
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetari i TELEGRAF

Prof. Dr. Kastriot Islami, Ish-Kryetari i Kuvendit: Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme me Ramën në krye të oligarkisë dhe krimit

Rama dhe PS përmes draftit të tyre synojnë të mos miratojnë propozimet e opozitës dhe për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve hiqen sikur propozimi i tyre pasqyron rekomandimet e OSBE/ODHIR

Prof. Dr. Kastriot Islami, Ish Kryetari i Kuvendit ishte një nga hartuesit e Sistemit Zgjedhor aktual në reformën zgjedhore të 2013-s dhe në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon draftet e PS dhe të PD për reformën e re zgjedhore. Prof. Islami, thotë se manipulimi i zgjedhjeve nga mënyra si është ideuar dhe realizuar nga Rama është invariant nga sistemi zgjedhor, prandaj asnjë sistem zgjedhor nuk e zgjidh dot blerjen e votës. Prof. Islami pohon se drafti i PD është i pamjaftueshëm për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, madje as propozimet për ndryshimet e financimit të fushatës elektorale nuk janë të mjaftueshme, sepse mungon vullneti politik, veçanërisht i Ramës. Ndërsa për sistemin administrativ, Prof. Islami pohon se është një ekuilibër i paqëndrueshëm, sepse bazohet në mosbesimin e palëve.

-Prof. Islami duke u njohur me draftin e PS për reformën e re zgjedhore, mendoni se aty janë reflektuar dhe pasqyruar udhëzimet e OSBE për zgjedhjet në Shqipëri, siç pretendon PS?

– Rama dhe PS përmes draftit të tyre synojnë të mos miratojnë propozimet e opozitës dhe për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve hiqen sikur propozimi i tyre pasqyron rekomandimet e OSBE/ODHIR. Por opozita duhet t’i kërkojë Ramës e Rilindjes të shprehin vullnetin e tyre të qartë:

  1. i) për të mos blerë votat me paratë e pista të korrupsionit;
  2. ii) për të mos kërcënuar votuesit me individët me rekorde kriminale dhe kandidatët të lidhur me trafikantët e klanet mafioze;

iii)        për të pranuar vettingun politik, pra se nuk do të kandidojnë asnjë individ të lidhur me korrupsionin, krimin dhe oligarkinë;

  1. iv) për të mos përdorur pushtetin e administratën publike për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor;
  2. v) për të realizuar lista të sakta të votuesve ku përfshihen të gjithë zgjedhësit;
  3. vi) për të lejuar sistemin e identifikimit biometrik të votuesve e të numërimit elektronik.

Gjithçka tjetër që Rama përpiqet ta paraqesë si pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODHIR është e nevojshme të reflektohen në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, por ato janë thjesht minore dhe teknike. Sepse oligarkët dhe kriminelët e orkestruar nga Rama do të tjetërsonin rezultatin zgjedhor, edhe nëse propozimet e Ramës do të reflektoheshin, por do të mungonte vullneti politik për t’i respektuar ato. Dhe do të ndodhte siç ka ndodhur edhe në 2013, 2015 e 2017 që votat të blihen e votuesit të kërcënohen edhe në 2019 e 20121 dhe më tej OSBE/ODHIR të sugjeronte rekomandime të reja për zgjedhjet e ardhshme e Rama përsëri të deklaronte se do t’i reflektonte ato në zgjedhjet e rradhës!!!!

-Po në platformën e PD a janë të mjaftueshme ato 4 kërkesat për të çliruar zgjedhjet nga krimi?

-: Gjithçka zhvillohet në demokraci është çështje vullneti dhe respektimi të rregullave të lojës me korrektësi e ndershmëri. Edhe Kodi aktual zgjedhor do të kishte qenë i suksesshëm nëse do të kishte pasur një minimum dëshire nga Rama për ta zbatuar atë me vullneti të mirë dhe kështu vendi nuk do të ishte zhytur në këtë gjendje të paprecedentë që është sot kur korrupsioni ka mbërthyer për fyti shtetin dhe qeveria është e lidhur pazgjidhshmërisht me krimin e trafiqet. Kërkesat e opozitës janë një përpjekje serioze për të zvogëluar të keqen që ka zaptuar vendin dhe krijuar kushtet që në kontekstin aktual të ketë një konkurrim të barabartë në zgjedhje, një betejë elektorale të ndershme dhe një rezultat zgjedhor që përputhet me vullnetin e votuesve. Thënë shkurt, këto kërkesa të opozitës janë një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Me Ramën në krye të qeverisë apo më saktë në krye të oligarkisë dhe të lidhur ngushtë me kriminelët e trafikantët as ka pasur dhe as nuk do të mund të këtë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është kusht i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm. Dhe kjo është sfida e opozitës dhe e qytetarëve të ndershëm shqiptarë, të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme pa Ramën në krye të qeverisë së korruptuar e të inkriminuar. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ditë do të vijë, madje ajo qartas po vjen, çështja është që ajo të mos vonohet asnjë minutë….

-Ju Prof. Islami çfarë mendoni se duhet ndryshuar në Sistemin aktual zgjedhor që vota të mos manipulohet dhe të mos shitet e blihet?

– Blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve ka ndodhur edhe në zgjedhjet e përgjithshme edhe në zgjedhjet vendore të organizuara nga Rama. Edhe kur kandidatët kanë konkuruar me lista të mbyllura, sipas një sistemi proporcional në zgjedhjet parlamentar, por edhe kur kandidatët kanë konkurruar si individë sipas një sistemi të pastër mazhoritar në zgjedhjet për kryetar të bashkive. Dihet nga literature elektorale se familja e sistemeve proporcionale dhe e sistemeve mazhoritare janë dy familjet kryesore të sistemeve zgjedhore; të tjerat janë derivate të tyre. Dhe fatkeqësisht në të dy rastet, edhe në zgjedhjet vendore, edhe në ato parlamentare, Rama ka arritur të organizojë me perfeksion edhe blerjen e votave me paratë e pista të korrupsionit dhe të kërcënojë votuesit me individët me rekorde kriminale apo të lidhur me klanet e familjet mafioze. Thënë shkurt e qartë: manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri, nga mënyra sesi është ideuar dhe realizuar nga Rama është invariant nga sistemi zgjedhor. Kjo do të thotë ndryshe se asnjë ndryshim në sistemin zgjedhor nuk do ta zgjidhte hallin e madh që e ka zënë këtë vend me blerjen e votave apo kërcënimin e votuesve nga një bandë të korruptuarish dhe të kriminelësh të orkestruar nga Rama.

 -Ndryshimet që propozon PD dhe PS për financimin e fushatës elektorale a janë të mjaftueshme që Krimi dhe Paratë e Pista të mos financojnë subjekte e kandidatë në zgjedhje?

– Propozimet për ndryshimet në financimin e fushatës zgjedhore përbëjnë një nga opsionet ekstreme për të reduktuar futjen e parave të pista të korrupsionit, krimit e trafiqeve në procesin zgjedhor. Por edhe në këtë rast, këto ndryshime ekstreme janë vetëm ndryshime të nevojshme në kontekstin aktual, por të pamjaftueshme për të penguar blerjen e votës nëse do të mungonte vullneti politik, veçanërisht i Ramës për të mos përdorur paratë e pista për të blerë votat. Sepse edhe sistemi aktual, pra i pandryshuar, nëse do të aplikohej me vullnet të mirë dhe në respekt të kërkesave të ligjit mund të gjeneronte zgjedhje të lira e të ndershme, pra të mos lejonte futjen e parave të pista në procesin zgjedhor, duke i dhënë mundësi Ramës për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor.

-A mendoni që KQZ-së t’i jepen kompetenca ligjore më të mëdha që të monitorojë dhe hetojë më shumë financimin e subjekteve dhe kandidatëve në fushata elektorale?

– Sistemi i administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri realizohet kryesisht nga vetë partitë politike që kandidojnë në zgjedhje dhe bazohet në kontrollin respektiv të palëve. Ky sistem administrimi është një sistem i një ekuilibri të paqëndrueshëm, sepse bazohet në mosbesim e palëve. Pavarësisht se KQZ në pamje të parë duket si një komision i pavarur, që i bindet ligjit dhe vetëm ligjit, realiteti është krejtësisht ndryshe. Edhe KQZ, ashtu si edhe të gjithë komisionet e tjerë, është veçse një mekanizëm politik i balancuar. Dhe funksionimi i tij i suksesshëm dhe me efikasitet varet nga vullneti politik i partive kryesore e veçanërisht i drejtuesve të tyre. Në këtë kuptim nëse ka vullnet politik të palëve edhe me kompetencat që ka KQZ mund të garantojë funksionimin me efikasitet të procesit zgjedhor dhe nga ana tjetër edhe nëse i shtohen maksimalisht atij kompetencat, qoftë edhe për hetimin e ashpër të financimit të partive, qoftë për monitorimin rigoroz të procesit zgjedhor, nëse mungon vullneti politik, ai përsëri do të dështonte.

-A mendoni se duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor? Cili Kod Zgjedhor mund të jetë më i mirë tani?

– Kodi Zgjedhor ka ndryshuar pas çdo palë zgjedhjesh dhe gjithnjë është deklaruar se ai është më i mirë se paraardhësi; dhe kjo është një e vërtetë relative. Por zgjedhjet e zhvilluara me kodin e ndryshuar gjithnjë kanë pasur problem tjetërsimin e rezultatit zgjedhor, dhe që nga viti 2013 problemet themelore kanë qenë: blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve. Si dhe kandidimi i individëve me rekorde të tmerrshme kriminale nga Rama. Kjo ka ardhur sepse çdo herë, pas ndryshimeve në kodin zgjedhor, Rama më shumë është menduar sesi të gjente marifete të reja për të manipuluar zgjedhjet, sesa për t’i zhvilluar ato të lira e të ndershme. Kjo ka ndodhur se Rama vuan rëndë nga sindromi i fitimit të zgjedhjeve me çdo kusht e me çdo mjet dhe zotërimi i vetëm i të gjithë pushtetit. Kështu që për shqiptarët Kodi më i mirë Zgjedhor do të ishte ai që do të zbatohej më mirë, në kuptimin që përpjekjet për të manipuluar rezultatin zgjedhor do të reduktoheshin në ekstrem, apo në rastin ekstrem do të bëheshin zero. E thënë në në mënyrë figurative, votuesit gjermanë edhe me këtë kod zgjedhor do të zhvillonin zgjedhje të lira e të ndershme, kurse Rama edhe me kodin zgjedhor gjerman do të mund të tjetërsonte rezultatin zgjedhor. Pra, nuk e ka fajin kodi zgjedhor, por koka e mbrapshtë e Ramës.

A duhet të depolitizohet tërësisht Administrata Zgjedhore, duke filluar nga KQZ- ja?

– Ndonëse kam një përgjigje shumë të qartë, kësaj pyetjeje refuzoj t’i përgjigjem, sepse përgjigja ime do të keqinterpretohej nga injorantët dhe mashtruesit, së pari nga Rama dhe media e tij klienteliste.

– A duhet që në zgjedhjet parlamentare të ardhshme që mund të bëhen në 2021 të shkojmë me Lista të Mbyllura të kandidatëve për deputetë, apo votuesit të votojnë drejtpërdrejt deputetin që ata duan?

– Kësaj pyetjeje po i përgjigjem me një pyetjeje: a duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor për kryetarët e bashkive, që zgjidhen aktualisht me mazhoritar të pastër, pra çdo votues në fletën e votimit mund të zgjedhë emrin e kandidatit të partisë politike, apo të kandidatit të pavarur që preferon? Dhe, përse në krye të shumë bashkive të Rilindjes janë vendosur emra individësh të korruptuar, apo me rekorde kriminale dhe votuesit nuk i kanë refuzuar, por i kanë zgjedhur? Madje, edhe kur kanë pasur një këshillë nga partnerët ndërkombëtarë për t’i refuzuar?

– Ju falënderoj!