Zgjedhjet e 25 qershorit, tërhiqen nga gara kandidatët e PD-së, Guri e Çobaj

404
Dy ditë pasi Partia Demokratike shpalli listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit, disa prej tyre kanë shprehur pakënaqësi duke vendosur të tërhiqen nga gara. Kështu i pari që ka vendosur tërheqjen është ambientalisti Sazan Guri. Në një status të publikuar në rrjetin social facebook, Guri shpreh pakënaqësi për renditjen. “Miq dhe dashamirës, Falënderimi im qëndron për të gjithë ju që s’keni reshtur me dëshirën e mirë për të më uruar, me pretendimin e madh për të qenë pjesë e zgjidhjes së atyre çështjeve që deri sot i kemi bërë nga jashtë dhe nesër e tutje mund t’i bënim nga brenda. Por, fati në Shqipëri ende nuk vazhdon të jetë me njerëzit e dijes, megjithëse guxuam të ishim pjesë e politikave për mbrojtjen e të pambrojturve dhe jo pjesë e politikave për të bërë biznes. Do e falja një figurë politike para njerëzve të mendimit, por s’mund të vazhdojmë më me ata që e shohin parlamentin si vend për t’i dhënë punë vetes dhe jo të tjerëve, si një vend që rrisin bizneset dhe fitojnë, paçka që të tjerët humbasin. Në këto kushte, as nuk e gjej dhe as nuk e krahasoj veten, ndaj vendosa të tërhiqesha zyrtarisht nga kjo garë. Me shpresë se kohë më të mira do të vijnë, uroj që zgjedhjet dhe parlamenti i ri të ecin mbarë!”,- e mbyll fjalën Sazan Guri. Nga gara është tërhequr dhe deputeti i qarkut Shkodër, Ramiz Çobaj njëkohësisht dhe kryetar i degës së PD. Këtë vendim ai e ka marrë i fyer pasi emri i tij është përfshirë në lista pa dijeninë e tij. Lulzim Basha e ka radhitur si numri tetë, ndërkohë që Çobaj thotë ,që listat as nuk janë konsultuar me strukturat demokratike të Shkodrës. “Nuk kam qenë kurrë në garë për deputet. Nuk u pyeta as m’u mor mendim, as për futjen time në garë, por nuk kam pasur diskutime apo konsultime edhe, sa i përket përpilimit të listave për Shkodrën. Refuzova të plotësoja formularin për të garuar, pasi mësova që isha futur në listë dhe renditesha i teti”- është shprehur Ramiz Çobaj. Ndërkohë kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi i ka bërë thirrje kreut të Partisë Demokratike për të qenë në krahëtë tij gjatë fushatës. Në një status në rrjetin social facebook, Maliqi shprehet se 18 mijë banorët e Lapardhasë, kërkojnë të dëgjojnë nga afër liderin e Partisë Demokratike dhe të ndjejnë premtimet e tij për Republikën e Re.
Sigal