Zgjedhjet e 18 qershorit, Rama i jep 2 ditë afat PD-së

446
Kryeministri thotë se Partia Demokratike po shkon drejt asgjësimit. Reagimi i Lulzim Bashës: Pluralizmi nuk blihet
Kryeministri Edi Rama nuk e mbajti dje, si çdo të diel, Komunikimin Javor, duke e zëvendësuar me një shënim, ku përfshihej edhe një ftesë ultimative për Partinë Demokratike. “Kemi regjistruar skuadrën e re përfaqësuese të Partisë Socialiste. Jemi plotësisht gati të nisim finalen e madhe të këtij mandati dhe hapim një kapitull të ri për Shqipërinë që duam. Me forca të ripërtërira. Me më shumë eksperiencë. Më shumë gjak të ri. Me vendosmëri ende më të madhe se katër vjet më pare”, bëri të ditur Rama. Ai shtoi, se “ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar”. “Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjësimit”, u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.

Në të njëjtën kohë, Rama tha se vazhdon të jetë i bindur se PD do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. “Vazhdoj ta kem thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë”, tha Rama. Ai shtoi se nuk kishte folur në Komunikimin Javor për ta lënë Bashën të mendohet. “Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetë shkatërrimit”, shtoi Rama, jo pa ironi.

Gjithashtu, kryeministri përsëriti ftesën e tij për të dialoguar me Partinë Demokratike. “Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës”, nënvizoi Rama.

Partia Demokratike dhe disa parti të tjera opozitare kanë refuzuar të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke kërkuar ngritjen e një qeverie teknike. Prej 18 shkurtit, opozita po proteston, duke kërkuar largimin e Edi Ramës.
Sigal