Zgjedhjet 2025/ Përfundon mbledhja e kryesisë së PS, Edi Rama ia beson Dibrën zyrtarisht Blendi Klosit, Pirro Vengun e “shpërngul” në Vlorë krah Çuçit

57
Sigal

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste. Kreu i kësaj force politike, Edi Rama mblodhi mëngjesin e kësaj të hënë të vetët për të diskutuar lidhur me zgjedhjet parlamentare të cilët do të mbahen më 11 maj 2025.

Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kësaj mbledhje Rama ka zyrtarizuar Blendi Klosin në qarkun e Dibrës, ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu është “shpërngulur” në qarkun e Vlorës.

Vengu pritet që të mbështesë në këtë qark Bledi Çuçin. Dy socialistët do të punojnë së bashku për zgjedhjet e majit.

Gjatë kësaj mbledhje Edi Rama u kërkoi të vetëve angazhim maksimal ku dhe theksoi se prioritet i këtyre zgjedhjeve është vota e diasporës. Gjithashtu, kryeministri mësohet se ka kërkuar vijimin e hartimit të një database për të gjithë emigrantët në funksion të zgjedhjeve të 2025.

Këto ndryshime të socialistëve vijnë teksa partia po riorganizohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi më 5 dhjetor datën 11 maj 2025 për zgjedhjet e përgjithshme.

Begaj nxori dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të cilat do të mbahen në datën 11 maj 2025. Për këto zgjedhje, kreu i shtetit kishte në dispozicion katër ditë të diela, midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.

Përmes një njoftimi zyrtar Begaj theksoi se shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.

Ndër të tjera, presidenti shprehu bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhëve me banim jashtë shtetit në këtë process thelbësor për demokracinë.