Zgjedhësve iu mohua e drejta kushtetuese të votonin, ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës cënuan marrëveshjen e 5 qershorit

385
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shoqata “Për Kulturë Demokratike”: Raporti përfundimtar i monitorimit të zgjedhjeve të 25 prillit

Shoqata “Për Kulturë Demokratike”, publikoi raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Në këtë raport, përmenden defektet që u vërejtën në procesin e zgjedhjeve dhe në ditën e votimit, si: Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës  cenoi 5 qershorin; Vendimmarrja e KAS,  zbehu qëllimin;  Mohimi i të drejtës kushtetuese  të zgjedhësve për të votuar; Subjektet zgjedhore nuk respektuan Kodin Zgjedhor për afatet e fushatës; Probleme potenciale me aftësinë e KQZ-së të krijuara nga subjektet zgjedhore në ndryshimin e herëpashershëm të anëtarëve të QV, GNV, KZAZ-së;  Mungesa e operatorëve në QV solli mungesën e implementimit të sistemit PEI;  Qëndrimi i Policisë së Shtetit jo në zbatim të ligjit;  Zyrtarë të lartë të administratës publike të përfshirë në zgjedhje, etj. 

Gjetjet e raportit të monitorimit të SHKD-së

Zgjedhjet e 25 prillit  u zhvilluan me një kuadër ligjor të ndryshuar në shumë elementë të tij, e para reformë e realizuar që prej vitit 2012, por që nuk përmbushi pritshmëritë dhe zotimet në vite të aktorëve politikë, për një amendim të thellë dhe gjithëpërfshirës.

Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës cenoi 5 qershorin

Amendimi i njëanshëm i Kushtetutës së Republikës dhe ndryshimet e mëpasshme të Kodit Zgjedhor, cenuan parimet e konsultimit publik dhe të transparencës, si dhe besimin e vendosur të palëve në Marrëveshjen e 5 qershorit.

Vendimmarrja e KAS-it,  zbehu qëllimin

Vendimmarrja e KAS-it  konsiderohet si e marrë në një lexim të ngushtë të ligjit, dhe në një qasje të larguar prej së qeni pjesë e organeve drejtuese të KQZ-së, të cilit Kodi Zgjedhor i jep kompetencën për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. Vendimmarrja e tij, zbehu dhe zhbëri tërë ndryshimet dhe efikasitetin e instrumentit të ngritur për të parandaluar dhe sanksionuar përdorimin abuziv të burimeve shtetërore.

Mohimi i të drejtës kushtetuese për të votuar

Lidhur me të drejtën e zgjedhësve shqiptarë që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë  votimi i tyre nuk u mundësua të realizohet në këto zgjedhje, çka është një rast i humbur, si dhe një shkelje e angazhimeve politike të palëve, sipas marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Kufizimi i të drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara, qoftë edhe nëpërmjet një vendimi gjykate, konsiderohet nga SHKD të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar.  Eliminimi a priori nga lista e zgjedhësve e shtetasve mbi 100 vjeç, konsiderohet gjithashtu nga SHKD, si një shkelje e të drejtës së tyre për të zgjedhur dhe diskriminim moshor, pasi këta zgjedhës, trajtohen në mënyrë të ndryshme nga zgjedhësit e tjerë. (u kërkohet regjistrimi aktiv).

Subjektet zgjedhore nuk respektuan Kodin Zgjedhor për afatet e fushatës

Kuadri ligjor parashikon se, fushata zgjedhore fillon 30 ditë përpara ditës së votimit, ku partitë politike janë të detyruara të veprojnë sipas rregullave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Megjithatë,  kjo nuk i pengoi subjektet zgjedhore të nisin fushatën, shumë më herët sesa parashikimi i ligjit. Vakuumi që krijon ligji në mospërkufizimin e fushatës zgjedhore, i le hapësirë subjekteve zgjedhore,  që të fillojnë fushatën e tyre de facto, me të gjithë karakteristikat që ajo përmban.

Probleme potenciale me aftësinë e KQZ-së

Ndryshimet e shumta dhe të shpeshta në përbërjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, sidomos në një afat kohor kaq të shkurtër përpara datës së zgjedhjeve për Kuvend të datës 25 prill 2021, krijuan probleme potenciale me aftësinë e KQZ-së për të trajnuar anëtarët e rinj të këtyre organeve në detyrat e tyre.

“Amendimi i njëanshëm i Kushtetutës së Republikës dhe ndryshimet e mëpasshme të Kodit Zgjedhor, cënuan parimet e konsultimit publik dhe të transparencës, si dhe besimin e vendosur të palëve në Marrëveshjen e 5 qershorit”

“Formimi i Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Votave, ka qenë një proces i realizuar, në tejkalim të afateve ligjore”

Mungesa e operatorëve në QV solli mungesën e implementimit të sistemit PEI

Mungesa e operatorëve në Qendrat e Votimit brenda afateve të përcaktuara në vendimet e nxjerra nga Komisioneri për Zgjedhjet, ka sjellë mungesën e implementimit të sistemit PEI, probleme në montimin e kamerave të sigurisë dhe vonesa në hapjen e Qendrave të Votimit.

Incidentet e vërejtura gjatë procesit të administrimit nga kjo administratë zgjedhore, theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë e orientimit të kësaj trupe, në frymën e zbatimit të ligjit, nevojën e trajnimeve të thelluara, dhe domosdoshmërinë e sjelljes së tyre, si organizma jopolitike, apartiake dhe jopartizane. Vëzhguesit e SHKD-së  kanë raportuar probleme të shumta dhe të përhapura në të gjitha bashkitë, për sa i përket funksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve, që ka çuar shpeshherë në pezullimin e procesit ose në identifikimin manual të zgjedhësve, por duhet theksuar që janë probleme, të cilat nuk ndërhyjnë në procesin në tërësi.

Formimi i QV dhe GNV proces i realizuar në tejkalim të afateve ligjore

Formimi i Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Votave ka qenë një proces i realizuar në tejkalim të afateve ligjore, për shkak të vonesave të shkaktuara nga partitë politike dhe mos depozitimit prej tyre, të propozimeve për anëtarë, të këtyre komisioneve.

Institucionet e shëndetit publik u treguan të ngadaltë dhe pasivë, në adresimin e rregullave që duheshin të ndiqeshin lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve gjatë pandemisë. Autoritetet publike nuk morën asnjë masë për të sqaruar publikisht nëse, do të ketë përjashtime nga rregullat përgjatë ditës së votimit,  apo numërimit të votave, për individë të angazhuar në proces.

Retorika e ashpër, gjuha denigruese ndaj kundërshtarit, akuzat dhe kundërakuzat për blerje vote karakterizuan fushatën, në linjë me sjelljen e subjekteve zgjedhore në fushatën e parakohshme të nisur muaj më parë. Krijimi i këtij debati, pa përmbajtje, gjatë kësaj fushate elektorale, veçse anashkaloi vëmendjen nga planet dhe programet konkrete të partive politike garuese në këtë proces, të cilat ishin të munguara dhe aspak transparente me opinionin publik.

Qëndrimi i Policisë së Shtetit, jo në zbatim të ligjit

Policia e Shtetit nuk mbajti asnjë qendrim dhe nuk ndërmori asnjë masë ndëshkimore ndaj partive politike garuese në zgjedhje për shkeljen e masave kufizuese kundër pandemisë. Ndërkohë, një sjellje totalisht e ndryshme u konstatua ndaj dy kandidatëve të pavarur, të cilët u gjobitën për shkelje të rregullave kundër tubimeve, duke shkelur parimin e barazisë në garë për konkurrentët zgjedhorë.

“Policia e Shtetit nuk mbajti asnjë qëndrim dhe nuk ndërmorri asnjë masë ndëshkimore, ndaj partive politike garuese në zgjedhje”

Zyrtarë të lartë të administratës publike të përfshirë në zgjedhje

Në takimet elektorale të zhvilluara është vërejtur një prani e konsiderueshme e zyrtarëve të lartë të administratës publike, të cilët kanë qenë të shoqëruar edhe nga zyrtarë të lartë lokalë. Përveç faktit që kanë qenë të pranishëm në këto aktivitete elektorale përgjatë orarit zyrtar të punës, një pjesë e tyre, kanë qenë të angazhuar në evente edhe si folës dhe protagonistë, çka përbën shkelje të kuadrit ligjor zgjedhor, apo edhe të statusit të nëpunësit publik.

Rekomandime

KQZ si një strukturë e re në zgjedhjet e 25 prillit me pritshmëri  të larta për të gjithë opinionin publik, duhet të vazhdojë të demonstrojë se është një institucion i pavarur, i paanshëm dhe jo i përdorur  politikisht, në të gjitha vendimmarrjet e tij, duke rritur besimin te qytetarët se administrimi i zgjedhjeve nga ky institucion,  është vetëm konform ligjit, korrekt dhe i shërben transparencës maksimale në certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Gjykohet i nevojshëm nga KQZ dhe pritet një vendimmarrje e shpejtë për të realizuar një proces rinumërimi të votave të pavlefshme për të bërë një analizë  të thelluar e për të identifikuar dhe listuar aresyet e 83 mijë fletëve të votimit   të konsideruara të pavlefshme nga grupet e numërimit  në ditën e zgjedhjeve.

SHKD në gjykimin e saj rekomandon se KQZ  gjatë veprimtarisë së saj duhet të ndërhyjë kryesisht në çdo kohë,  për të mos lejuar veprimtaritë e ndaluara të institucioneve, përdorimin e burimeve shtetërore dhe detyrimin e institucioneve për të raportuar të gjitha veprimtaritë publike sipas afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë si dhe të reagojë zyrtarisht kur, Kuvendi i Shqipërisë miraton ligje e akte nënligjore,  në kundërshtim me kodin zgjedhor, 4 muaj para zgjedhjeve duke dhënë penalitete përkatëse, referuar ligjit zgjedhor.

KQZ gjatë veprimtarisë së saj në procesin zgjedhor të radhës, do garantojë se nuk do të mbetet peng i vullnetit dhe dakortësisë politike, duke humbur shumë kohë në procesin e vendimmarrjes së saj. (siç ndodhi në diskutimin përtej limitit kohor për formatin e fletës së votimit).

Vlerësohet shumë rikthimi i një fushate elektorale larg gjuhës së urrejtjes, bullizmit e diskriminimit, veçanërisht të gjinisë  së nënpërfaqësuar.

Është e domosdoshme të mbizotërojë një fushatë elektorale konkurruese me platforma e programe konkrete midis subjekteve zgjedhore.

Debatet e hapura dhe ato televizive duhet të mbizotërojnë fushatën zgjedhore për t’i dhënë më shumë shanse e mundësi votuesve për t’u njohur me programet politike të subjekteve garuese e me kandidatët përfaqësues të çdo qarku.

Diskutimi për Reformën Zgjedhore,  duhet të rikthehet me shpejtësi  në agjendën politike shqiptare, për të përmbushur premtimet e pambajtura  në vite, për të realizuar një reformë të thelluar e gjithëpërfshirëse, për të garantuar integritetin e legjitimitetin e proceseve zgjedhore në vend.

Dakortësia politike dhe respektimi i Kodit Zgjedhor nga Institucioni i KQZ –së,  do të mundësojnë ushtrimin e të drejtës së votës nga të gjithë  shqiptarët që jetojnë jashtë territorit shqiptar.

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nevojë adekuate për të eliminuar ndikimin e partive politike mbi procesin zgjedhor e, për të parandaluar angazhimin e komisionerëve militiantë e të papërgjegjshëm, që guxojnë të deformojnë dhe votën e sovranit.

Denoncimet qytetare të rasteve që cenojnë procesin zgjedhor dhe evidentojnë forma të korrupsionit zgjedhor,  duhet inkurajuar duke vënë në dispozicion sa më shumë mekanizma alternative të denoncimit. Institucionet përgjegjëse, duhet të sigurojnë mbrojtje të plotë ligjore për të gjithë denoncuesit e akteve korruptive  zgjedhore.

SHKD inkurajon në vijim KQZ-në, për nxjerrjen e të gjithë vendimeve dhe udhëzimeve të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, duke përfshirë këtu vendimet për implementimin me sukses të sistemit elektronik, brenda një afati sa më të shkurtër dhe të arsyeshëm dhe, moslenien e këtyre udhëzimeve për momentin e fundit.

“Zyrtarë të lartë të administratës publike kanë qenë të angazhuar në evente edhe si folës dhe protagonistë, çka përbën shkelje të kuadrit ligjor zgjedhor, apo edhe të statusit të nëpunësit publik”

“Kufizimet për përdorimin e burimeve institucionale nga ministrat dhe zyrtarët që kandidojnë duhet që të shoqërohen me akte dytësore dhe rregullore të brendshme institucionale”

KQZ në procesin e ardhshëm zgjedhor, nuk duhet të klasifikojë sistemin PEI dhe sistemin e kamerave të sigurisë,  në kategorinë e materialeve “materiale zgjedhore”, në mënyrë që të lihet koha dhe hapësira e nevojshme për mirëtestimin e këtyre sistemeve, montimin e tyre brenda afatit dhe shmangien e vonesave të panevojshme në fillimin e procesit të votimit. KQZ duhet të ndërmarrë masat e nevojshme që instalimi, mirëmbajtja, dhe gjithë përgjegjësia për funksionimin e sistemit të Identifikimit Elektronik të Votuesve, të merret përsipër nga ana e kompanive të kontraktuara për vënien në dispozicion të sistemeve, pa qenë nevoja për kontraktimin dhe trajnimin e operatorëve nga ana e KQZ-së, duke patur parasysh dhe përgjegjësitë personale të këtyre operatorëve, si dhe kapaciteteve të KQZ-së të mbulimit të problemeve teknike. Rregullatori  dhe Komisioneri duhet të nxjerrin aktet përkatëse, për sa i përket përcaktimit të fletës së votimit përfundimtar, brenda një afati sa më të shkurtër pas fillimit të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të radhës. Nuk shihet e nevojshme pritja  e listave shumëemërore që të përcaktohet versioni përfundimtar i fletës së votimit.  SHKD rekomandon që KQZ, të ndërmarrë një fushate të gjatë sensibilizuese dhe edukuese për votuesit mbi plotësimin e fletës së votimit, duke shmangur diskutimet përtej limiteve  me partitë politike. Njoftimi me shkrim i zgjedhësve, duke  marrë parasysh koston e lartë financiare, dhe dështimin e vazhdueshëm të implementimit të tij, rekomandohet të rishikohet si proces, duke vlerësuar efektivitetin e zbatimit nga qeverisja vendore.  Zëvendësimi i tij përmes një njoftimi elektronik, shihet si një alternativë e mundshme dhe praktike për të finalizuar njoftimin me shkrim të gjithë zgjedhësve në proceset e tjera zgjedhore. KQZ dhe institucionet përkatëse, duhet të realizojnë një fushatë më efektive edukuese  për përdorimin e sistemit  ‘e-Albania’, për kontrollimin e listës zgjedhore nga ana e vetë zgjedhësve, dhe garantimi i aplikimit të këtij komponenti në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Referuar dështimit të procesit për votimin e qytetarëve me banim jashtë vendit me vullnetin e palëve politike dhe moszbatimin  e detyrimeve nga Komisioni Rregullator,  të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, SHKD rekomandon, si një nevojë imediate ndërmarrjen e të gjithë hapave për prezantimin dhe implementimin e këtij komponenti thelbësor duke realizuar me sukses mundësinë për votimin e qytetarëve me banim jashtë vendit, që në zgjedhjet e radhës.

Kufizimet për përdorimin e burimeve institucionale nga ministrat dhe zyrtarët që kandidojnë duhet që të shoqërohen me akte dytësore dhe rregullorë të brendshëm institucionale,  për të përcaktuar më mirë, ndarjen mes detyrës dhe angazhimit politik  si dhe transparencën e duhur ndaj publikut.

Kontrolli i përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje,  kërkon shumë më tepër hetim dhe auditive,  pranë institucioneve përkatëse. Mund të jetë më vlerë që Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni kryesor  auditues,  të plotësojë më tej detyrat e ngarkuara ndaj KQZ-së,  nga Kodi Zgjedhor.

Dakortësia politike, llogaridhënia dhe bashkëveprimi ndërinstitucional, duke respektuar balancën dhe ndarjen e pushteteve si, dhe duke inkurajuar dhe nxitur guximin e qytetarëve shqiptarë për të denoncuar të gjitha rastet e korrupsionit zgjedhor, do të bëjnë të mundur organizimin edhe realizimin e proceseve zgjedhore të lira, të ndershme e demokratike, bazuar dhe në standardet ndërkombëtare.