Zëvendëskryeministrja Balluku lajmëron nisjen e projektit madhor për linjën e transmetimit mes Shqipërisë dhe Italisë

31
Sigal

Gjatë qëndrimit në Dubai ku mbahet Samiti për Klimën COP 28, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë njëherësh edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku njoftoi se projekti madhor që do të mundësojë linjën e transmetimit mes Shqipërisë dhe Italisë do të jetë sfida e radhës e vendit tonë. Ajo pati një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të TAQA, Jasim Husain Thabet, ku Balluku e cilësoi si takim “të dy skuadrave për realizimin e projektit madhor për linjën e transmetimit Shqipëri – Itali.” Për ministren Balluku “Forcimi i linjave të transmetimit është pjesë e strategjisë energjetike për Shqipërinë e 2030, për të akomoduar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe kthimin e vendit tonë në një eksportues neto, jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë, për Europën.” – tha ajo në një reagim. Më herët Ministrja Balluku e pranishme në Samitin që po mbahet në Dubai pati një sërë takimesh të rëndësishme me kolegët homologë nga vende të ndryshme të botës dhe përfaqësues nga Sekretariati i Energjisë. “Një mundësi e mirë për të analizuar dhe koordinuar së bashku mbi objektivat e rëndësishme që kemi përpara, si trefishimi i fuqisë së instaluar të burimeve të rinovueshme në shkallë globale dhe vendosja e efiçencës së energjisë në fokus të çdo projekti e politike. Në emër të Qeverisë Shqiptare, prezantova gjatë Ministerialit të zhvilluar në kuadër të COP 28, të gjitha zhvillimet që ka bërë vendi ynë në fushën energjetike, projektet e reja që kemi planifikuar të ndërmarrim sa i takon efiçencës së energjisë, si dhe arritjes së targeteve për të cilat jemi angazhuar.” – tha Balluku.