VOA/ Gerta Meta : Ja sesi politika tenton të kapë KQZ-në e re

111

Parlamenti u mblodh sërish dje në Tiranë disa javë pas ndryshimeve kushtetuese, që kishin të bënin me procesin zgjedhor. Edhe këtë sezon vlerësohet se sfida e tij më e vështirë mbetet përmbyllja e reformës zgjedhore dhe ndërtimi i administratës së re zgjedhore. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njoftoi dje dekretimin e 25 prillit, si data kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, por deri atëherë një mori me punë mbeten për t’u bërë, që nga përmbyllja e reformës zgjedhore e deri te transparenca me sistemin zgjedhor etj. “Kemi një premtim në parim se listat do të hapen, por ne nuk e dimë ende se si do të hapen listat. A do të hapen listat për qytetarët apo do të jetë një lojë e politikës, ku përsëri kryetarët e partive, majtas dhe djathtas, do të kenë gjithë ekskluzivitetin për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë” – thotë drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta. 18 shtatori është afati i fundit për propozimet, sipas marrëveshjes së qershorit, mbi emërimin e drejtuesve dhe përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por politika po përpiqet ta kapë sërish, thotë zonja Meta, sepse ka vendosur disa kritere, që pengojnë çdo qytetar me integritet për të konkurruar për ato poste. “Përsëri politika po tenton ta kapë KQZ-në, sepse kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve në të gjithë nivelet e strukturës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë aspak transparente, janë shumë hileqare për faktin se kanë vënë një klauzolë të tillë se kandidati duhet të jetë një ish-përfaqësues i një institucioni, ish-funksionar, ish-drejtues i lartë, apo ish-drejtues i një ojq-je, apo ish-gjyqtar apo ish-funksionar në sistemine drejtësisë” – thotë zonja Meta. Mbetet për t’u parë nëse kanë hyrë ende në fuqi ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut dhe si do të ecet me akte të tjera nënligjore, thotë zonja Meta, për të nisur një garë zgjedhore të ndershme dhe ligjore. Sipas saj, situata politike nuk është aspak e qetë, edhe pse në dukje ka një heshtje të sforcuar artificialisht, dhe është e ngarkuar me surpriza të paparashikuara. Forcat politike shqiptare e kanë bërë traditë kundërshtimin e rezultateve zgjedhore, dhe zvarritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe pas skadimit të afateve ligjore, të cilat shpesh rivendosen në kohë.