Zekri nga SHBA: E pabesueshme! 800 shqiptarë në sallë që të flisnin me Dr. Berishën, tani më kërkojnë Foltoren në çdo shtet!

219

Dikush shkroi: “A e dini se organizatori kryesor e Foltores në SHBA është Zekri Picari?! Zekri Azem Picari, për ata që nuk e njohin, është djalë Malziu nga Shemria, i larguar në Amerikë për një jetë më të sigurt, aktivist dhe drejtues i FRPD, në gjurmët e babait të tij, Azemit.”

Sigal

Këto radhë plot krenari qenë hedhur në rrjetet sociale vetëm një ditë para mbajtjes së Foltores së liderit demokrat Sali Berisha me shqiptarët në SHBA, nga një faqe në internet që promovon bukuritë e fshatit Malzi të Kukësit, me një krenari që reflektonte sigurinë se ai takim do t’i vinte kurorën e madhështisë gjithë të tjerëve para tij në Shqipëri.

Dhe mëngjesin e sotëm, kur Zekri Picari sapo mbërriti në shtëpinë e tij pas përfundimit të Foltores, gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri i telefonuan për ta pyetur se si ai djalë në SHBA, i mbështetur nga miq edhe në Tiranë, arriti të mbledhë 1000 shqiptarë në një hotel në Amerikë, që vërshuan nga disa shtete me makina, me bori, me flamuj dhe simbole kombëtare për të dëgjuar sëbashku si në vitet ’90, ish-Kryetarin e PD-së, Sali Berishën.

“Është ora dy e mëngjesit dhe sapo kam ardhur në shtëpi, – tregoi Zekri Picari duke zënë vend para kompjuterit. – Deri tani kam qenë me pjesëtarë të Foltores, me të rinj. Ishte një emocion i papërshkueshëm, një ngrohje e të gjithë zemrave dhe bashkim zemrash të demokratëve. Ishte një ditë feste. Kam shumë dëshirë ta quaj ditë feste pasi në sallë ishin të paktën 800 demokratë dhe 200 të tjerë që prisnin jashtë, sepse nuk kishte hapësirë salla. Nuk di si t’ua transmetoj emocionet, ishte një ditë e jashtëzakonshme për t’u mbajtur mend, madhështore! Kam përshtypjen se do të mbahet mend gjatë, do të jetë historike!

Kafe Shqeto: Zekri, për shqiptarët e Amerikës a është koncepti “non grata” një pikë e tejkalueshme në këto momente, veçanërisht në një lëvizje politike si ajo e djeshmja që duhet të ketë qenë surprizë?

Zekri Picari: Dua ta them përsëri. Një njeri që nuk është dënuar dhe akuzuar nga asnjë gjykatë dhe nuk është shpallur kurrë fajtor praktikisht ai njeri është i pafajshëm. Kjo do të thotë se, sipas standarteve amerikane dhe jo vetëm, nuk mund ta akuzosh një njeri dhe ta shpallësh “non grata” vetëm nga disa portale lajmesh që janë të sponsorizuara  patjetër nga organizata Soros apo media të lidhura pranë qeverisë.

Kjo do të thotë që demokratët shqiptarë dhe jo vetëm demokratët, por edhe shqiptarët e tjerë, të gjithë, qofshin të majtë, nuk e besojnë këtë histori. Kështu që për mua kjo është një çështje që nuk dua t’i kushtoj rëndësi në aspektin e frikës apo të pengesës që do ta pengojë PD-në dhe Sali Berishën për një reformim dhe që të vazhdojnë përpara për një Parti Demokratike më të hapur, më të bashkuar dhe më të fortë.

Ajo që unë mendoj se është problemi është lidershipi i PD-së. Ai që është problemi është Lulzim Basha.  Ai është ai që e mbajti peng. Dua të them një fakt. Nga Foltorja e djeshme ishin 800 demokratë në sallë. Mund të them se nga 800 demokratë në sallë, ishin ndoshta 10 persona që nuk donin të flisnin,  gjithë të tjerët  donin të flisnin. Ishte e pamundur, ishte e pamenaxhueshme dhe kjo ka një shkak. Ka ardhur në këtë pikë se do të thotë se Lulzim Basha, PD-ja, nuk u ka dhënë të drejtë, nuk u ka dhënë liri fjale, nuk ka dhënë mundësi që njerëzit të shprehen, që njerëzit të kërkojnë, që njerëzit të japin kontributin dhe vlerat e tyre në PD.

Kjo pikë kthese dhe kjo iniciativë e Dr. Berishës është gjëja më madhështore që po ndodh dhe do të ndodhë më 11 Dhjetor kur do të jetë pika kulminante dhe PD-ja përfundimisht do të çlirohet nga kthetrat e kësaj kupole në PD, që janë Kryetari dhe ata pak që i rrinë rreth e rrotull për interesa të ngushta personale.

Kafe Shqeto: Zekri, do të doja të më përcillje reagimet, gjithçka që ka ndodhur pasi është fikur transmetimi direkt i “Foltores”, si p.sh, sa bileta avioni u vendosën në atë moment që të priten për në datën 11.

Zekri Picari: Të paktën mbi 30 demokratë kanë qenë nga Teksasi. Foltorja u mbyll  në 2:20 me orën tonë lokale që do të thotë se që nga ora 2:20 kemi qenë tek hoteli, tek salla ku zhvilluam aktivitetin e deri në 4:30, dy orë e gjysmë më pas, duke bërë foto, duke bashkëbiseduar e të gjithë njerëzit ishin të mallëngjyer.

Duhet sqaruar se është shumë e rëndësishme se Foltorja e Amerikës nuk u kërkua nga zoti Berisha. Përkundrazi. Foltorja nisi nga njerëzit. Që do të thotë se unë duke komunikuar, bashkëbiseduar e takuar njerëz për shkak edhe të aktivitetit tim politik e ata duke e ditur që jam organizativ dhe drejtues në strukturat e Forumit Rinor më kërkuan që ne duhet të organizojmë vetë, se duam edhe ne të flasim, se duam edhe ne të komunikojmë, se duam të shprehemi por nuk e kemi të mundur. Pra, çfarë të bëjmë?

Unë ia kam komunikuar Dr. Berishës. Kam folur me Belindin, kemi folur me Doktorin dhe Doktori patjetër që ishte më se dakord. Pastaj kjo mori frymë. Kur filluam e bëmë lajmërimet në rrjetet sociale ishte e pabesueshme kur njerëzit më thoshin “do vijmë 30 persona nga Teksasi” – “do të vijnë 20 persona nga Filadelfia” – “do të vijnë 50 nga Long Island” e do të vinin 100 nga New York!!! Ndonjëherë më dukej “ore, seriozisht e kanë këta?!” Dhe çfarë ndodhi?! Rezultati ishte salla. Rezultati ishte entuziazmi.

Janë nisur nga Long Island me flamuj të PD-së dhe të Shqipërisë, kanë kaluar nëpër Manhatan, kanë ardhur në New Jersey. Ka qenë një eveniment i paparë. Kishte shqiptarë që i kanë parë rrugës dhe kanë bërë foto. Kanë takuar njerëzit, kanë ndaluar. Të dukej vetja si në fushatë zgjedhore në PD. Ishte një emocion për të gjithë ne sa nuk e ndanim dot a jemi në Shqipëri apo jemi në Amerikë?! E paparë.

Në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, që mblidheshin shqiptarë për të komunikuar me Dr. Berishën, Edi Rama shfaqej i vetëm në rrugët e New York. I vetëm dhe pa asnjë njeri tjetër. Një ish-kryeministër që mbledh 1000 demokratë në një sallë në një lidhje direkt dhe një kryeministër aktual që nuk mbledh të paktën dhjetë vetë për një takim?!

Duke qenë se në Amerikë ka njerëz që kanë 25 vjet që nuk janë kthyer, kanë ikur në kohën e komunizmit, arratisur, kishte njerëz  në sallë që janë rritur nëpër burgje, që janë persekutuar e dhunuar, kjo bëri që të qëndroja dy orë duke biseduar me njerëzit, pasi të gjithë donin të merrnin fjalën. Dhe, të gjithë më kanë kërkuar që të ketë një foltore tjetër sa më shpejt të jetë e mundur, madje-madje, më kërkuan që të bënim një “Foltore” në çdo shtet! E papërshkrueshme!” theksoi në përfundim Zekri Picari nga SHBA.