Zef Preçi: Sforcimi i kryeministrit me plehrat

447
Sigal

Gazeta Telegraf/

Në mënyrë të sforcuar
dhe me argumente aspak bindëse (“punësimi i 300 vetëve”,
“industri që punon me 30% të kapacitetit” etj) z. Rama rreket të bindë
opinionin për kthesën e beftë 360 gradëshe të tij në fund të mandatit qeverisës
të maxhorancës së drejtuar prej tij rreth kësaj teme. Pyetjet që të lindim me këtë
rast janë të shumta, ndër to edhe këto që po rendis në vijim: A shqetësohet
qeveria për industrinë e prodhimit të tullave në të cilën gjatë dekadës së
fundit janë investuar 100 milionë euro dhe shfrytëzon kapacitet me 30-40%; po në
industrinë e çimentos në të cilën janë investuar qindra mliona euro e që
aktualisht po shfryëzon kapacitet me vetëm 50%; po për industrinë në tërësi që
shfryëzon vetëm 69% të kapacitetit të saj, dmth ka të lirë e nuk vë në punë 31%
të investimit të kryer; po për shërbimet që shfrytëzojnë vetëm 68% të
kapacitetit të vet; po për tregtinë që shfrytëzon vetëm 67% të kapacitetit të
saj; po në ekonominë shqiptare në tërësi që shfytëzon vetëm 66% të potencialeve
të saj e që prej viti 2011 ky nivel shfytëzimi ka rënë me 9%? Këto dhe të dhëna
të tjera rreth shkallës së shfytëzimit të kapaciteteve të industrive të vendit
cilido mund t’i lexojë te “Monitor” (http://www.mapo.al/…/ja-sektoret-qe-po-vuajne-nga-mbi-inv…/1).
Në takimin në fjalë u përmendën edhe disa ide (në fakt qeveria mund dhe duhet të
flasë me vendime), të cilat i gjej me vend përsa i takon angazhimit të
pushtetit vendor në përmbushjen e detyrave të veta ligjore në kushtet e sotme.
Edhe ideja e hartinit të një plani kombëtar për këtë qëllim (pa importet) është
e mirë, por nuk mund të fillojë zbatimi pa e shpallur, miratuar e sqaruar
planin e pastrimit të vendit…Por për fat të keq nuk u tha asnjë fjalë për
“një milion tonët e mbetjeve urbane të mbetura rrugëve”, siç thuhej në
fushatën e tre viteve më parë, apo me afër akoma për qindra mijëra e ndoshta
edhe milionat e tonëve të mbetjeve urbane që gjenden midis Tiranës e Durrësit
(Porto Romano). Ndoshta shumëkush që nuk e ka ndjekur një kronikë alarmuese të
ditëve të fundit të gazetares Shamku në një kanal televiziv. Shiheni këtë
kronikë dhe me siguri do të kthjelloheni edhe ju… Mbas kësaj do të kuptoni se
nuk është nevoja të importojmë mbetjet nga Italia se i kemi këtu… (http://www.tematv.al/…/speciale-porto-romano-hija-e-vdekjes…).
Sa u takon argumenteve të tjera mbi “lulëzimin e industrisë së mbetjeve në
vendet e BE-së”, mbi “rritjen e punësimit mbi këtë bazë”, apo
mbi “luftën” që mafia iu bën plehrave”, (në fakt është kundërta:
“mafie” do të thotë “plehra”…) etj., është e tepërt të
flasësh. Cilido që di shkrim e këndim dhe është në moshë të pjekur e kupton
lidhjen midis tyre… Mjerisht në këtë takim nuk u tha asnjë fjalë për mjerimin
në të cilin ndodhen laboratorët e kontrollit të ushqimeve (po të ushqimeve
sepse një pjesë e tyre janë realisht riciklime), mungesën e ekspertizës dhe të
trajnimit të stafeve të tyre që ndërrohen sipas humorit të drejtuesve, për
tenderat shumëvjeçarë të bashkive që “fitohen” gjithmonë nga të fortët
(bile edhe të huaj të fortë, të njohur për veprimtari kriminale në fushën e
mbetjeve në Itali, psh) dhe rrjetet politike që financojnë fushatat (ky është
edhe shkaku kryesor përse nuk mblidhen mbetjet), për kazanët e plehrave dhe
makinave të grumbullimit të tyre që kanë emra kompanish që krijohen për këtë qëllim,
etj. Për kompanitë e industrisë rickluese: mendoj se janë në të drejtën e tyre
të përpiqen të rritin fitimet e veta me çdo mënyrë të ligjshme. Kjo është
normale në çdo vend me ekonomi të tregut. Prandaj mendoj se nga ana e qeverisë
duhet të analizohen kostot e tyre dhe të bëhet çmos të mbështeten me
fonde/programe qeveritare për sa i takon teknologjisë që përdorin, por edhe nëse
do të duhet, për një periudhë kalimtare deri në pastrimini e plotë të mbetjeve
të vendit qeveria mund të ulë taksat ndaj tyre, por nën një kontroll të rreptë
fiskal, si dhe duhet që të mundësojë aksesin e plotë të tyre në tenderat e
bashkive për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane. Sa i takon refendumit:
qëndrimi sfidues i qeverisë dhe i z. Rama duhet ballafaquar detyrimisht sipas
Kushtetutës me vullnetin e qytetarëve dhe është tejet e gabuar dhe e pavend që
të pengohet arbitrarisht ky proces normal ligjor edhe në vendet shumë me pak
demokraci se yni. Shqipëria duhet të jetë e pastër nga mbetjet e importit edhe
për të paktën 30 vjet, nëse duam që ky vend të jetë i jetueshëm dhe të mos
marrim mbi vete mallkimin e brezave…