Zef Preçi: Paratë e kanabisit hynë në ekonomi

882
Eksperti i ekonomisë dhe ish-ministri Zef Preçi u shpreh të ardhurat nga kanabisi dhe aktiviteti kriminal kanë ndikuar në rritjen e depozitave në banka. Në një koment, Preçi shprehet në një mendje me gjetjet e Bankës së Shqipërisë për rritjen e depozitave bankare, ndonëse sipas tij, aty duhen shtuar edhe arsye të tjera. “Personalisht dhe profesionalisht i gjej me vend faktorët e renditur nga Banka e Shqipërisë për rritjen e depozitave bankare në vendin tonë gjatë 2-3 viteve të fundit. Por kjo analizë ‘politically correct’ e saj nuk është e plotë, nëse nuk merren parasysh edhe ndikimi nga të hyrat monetare nga ‘burime të tjera’ (term ky i përdorur më parë nga Banka e Shqipërisë), dmth nga aktivitetet kriminale, siç janë të ardhurat nga kanabisi. Ecuria e kursit të këmbimit në vend gjatë kësaj periudhe dhe ‘boom’-i transaksioneve në sektorin e pasurive të patundshme e justifikojnë rritjen e depozitave më mirë se pesë faktorët libreskë të ofruar në analizën e Bankës së Shqipërisë”, shprehet Preçi. Sipas tij, “në të gjithë librat e ekonomisë mësohet se, shëndeti i bankave pasqyron shëndetin e ekonomisë”, dmth zgjerimin e punësimit, investimeve, eksportit, mirëqenies, etj. (dhe kjo presupozon ekonominë e ligjshme, formale të vendit), ndërsa në vendet ku ekonomia informale dhe ajo kriminale së bashku zënë një peshë të konsiderueshme, ky konkluzion nuk konfirmohet”. “Dmth bankat mund të shëndoshen e të jenë të shëndetshme, por ekonomia jo”, shprehet Zef Preçi. Mundësia e përfshirjes së parave të ardhura nga trafiku i drogës në ekonomi dhe në sistemin bankar është denoncuar edhe nga opozita, e cila pretendon prej disa javësh se qeveria po ndërton skema të caktuara investimi për pastrimin e parave. Në fokusin e opozitës është nisma e qeverisë për investime me vlerë 1 miliard euro në projektet e infrastrukturës publike. Nga ana e saj, qeveria ka deklaruar se paratë e bankave janë tërësisht të pastra dhe ato do të financojnë projektet madhore të qeverisë në vitet e ardhshëm.
Sigal