Zëdhënësi i opozitës greke: Athina të mos japë “OK” për anëtarësimin e Shqipërisë

465
Sigal

Partia më e madhe opozitare në Greqi, “Demokracia e Re”, është shprehur se, Athina zyrtare nuk duhet të japë miratimin e saj për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm në hije i kësaj partie, deputeti Jorgos Koumoutsakos, i cili ka shfrytëzuar mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Politikës së Jashtme, një organ ku marrin pjesë gjithë partitë parlamentare, ku siç tha, nuk u përmend fare tema e Shqipërisë. “Nëse do të kishim diskutuar për këtë çështje, unë do të kisha theksuar se Greqia nuk duhet të japë miratimin e saj, për çeljen e negociatave anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha deputeti konservator grek. Sipas tij, ky duhet të jetë një qëndrim i qartë i Athinës. “Qëndrimi i qeverisë shqiptare kundrejt minoritetit grek në Shqipëri, por edhe në çështje të tjera të marrëdhënieve dypalëshe, në raport edhe me situatën aktuale politike në atë vend, duket ta shpjerë qeverinë greke në vendimin për mosdhënien e miratimit në samitin e qershorit. Ky është një qëndrim konstant i “Demokracisë së Re”, tha Koumoutsakos. “Demokracia e Re” mëton të jetë fituese e zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi, të cilat konsideron se do të mbahen në muajin Maj, bashkë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian.