Zbulohen njerëzit e FBI-së, ja agjentët e mbërritur në Tiranë

688
Zyra Federale e Hetimit e SHBA-së ka dërguar në Tiranë dy ekspertë për operacionin “Forca e Ligjit”. Kush janë Jack Liao dhe Mark Newhouse
Zyra Federale e Hetimit në Shtetet e Bashkuara, e njohur si FBI, ka dërguar në Tiranë dy përfaqësues të saj për të asistuar Ministrinë e Brendshme dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit gjatë aksionit antikrim “Forca e Ligjit”. Mark Newhouse dhe Jack Liao janë emrat e dy amerikanëve të FBI-së, të cilët do të jenë pjesë e strukturës së posaçme, të ngritur me një vendim të veçantë të qeverisë të hënën e shkuar. Të shumëpritur dhe të shumëpërfolur në Tiranë, të dy agjentët e FBI janë shfaqur dje për herë të parë në publik, gjatë prezantimit të operacionit “Forca e Ligjit”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, të paktën 40 për qind e grupeve shqiptare rezultojnë të kenë lidhje me organizata kriminale jashtë vendit. Kjo është dhe një nga arsyet pse në këtë operacion, në luftën kundër krimit të organizuar, do të ketë dhe një njësi të posaçme me ekspertë ndërkombëtarë, nga FBI-ja amerikane dhe strukturat e antikrimit të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Agjentët
Jack Liao nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare. Ai është atashe ligjor i FBI-së. Përfaqësuesit e FBI-së janë oficerë rajonalë të kontaktit, me seli në Sofje (Bullgari), me përgjegjësi për marrëdhëniet e FBI-së me autoritetet shqiptare. Ata edhe më parë kanë zhvilluar vizita të rregullta koordinuese në Tiranë për të diskutuar çështje me interes të ndërsjellë të zbatimit të ligjit. Veçanërisht bashkëpunimi është fokusuar te terrorizmi dhe krimet kibernetike, ndërsa nuk ka mbetur jashtë vëmendjes edhe krimi i organizuar. Jack Liao është i specializuar në hetimin e çështjeve të mashtrimit. Jack Liao ka qenë shef i njësisë së krimit ekonomik në FBI. Ndërkohë, agjenti special i FBI-së, Mark Newhouse, ka një përvojë të spikatur në drejtim të hetimit të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Të dy përfaqësuesit e Zyrës Federale të Hetimit nuk pritet të përfshihen në fazën operacionale, që do të mbetet në dorë të strukturave shqiptare. Ata do të jenë në një rol këshillues dhe asistues në grupin e posaçëm të ngritur në nivelin e lartë politik. Ndërkohë, ndihma e FBI-së do të jetë më konkrete në rast të nevojës për asistencë teknike të specializuar në fushën e kriminalistikës.

Roli i FBI-së
Byroja Federale e Hetimeve është agjencia kryesore hetimore e Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. FBI-ja mbikëqyr zbatimin e mbi 200 ligjeve federale. Por, sipas kësaj agjencie, dy detyrat kryesore tani janë parandalimi i terrorizmit dhe spiunazhit. Byroja Federale e Hetimeve ndihmon edhe agjenci të tjera të rendit të Amerikës dhe vendeve të tjera. FBI-ja ka koleksionin më të madh të shenjave të gishtave në botë si dhe njihet për laboratorët e saj të kriminalistikës. Byroja Federale e Hetimeve ka rreth 27 mijë punonjës dhe 56 zyra në gjithë vendin dhe mbi 40 zyra në vende të tjera. Mbi 11 mijë burra dhe gra shërbejnë si agjentë specialë. Ata hetojnë edhe krime të tilla si grabitje bankash, si edhe krimet që kanë të bëjnë me kompjuterat, ambientin dhe terrorizmin. 
Sigal