Zbardhet lista / Zbulohen kandidatët e PS-së për zgjedhjet vendore në qytetet kryesore , në pikëpyetje mbetet Vlora

197
Sigal

 

Në mbledhjen e fundit të kryesisë mësohet se kryesocialisti ka deklaruar gjithashtu se në të 5 bashkitë ku Ps fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do rikandidohen kryetarët aktual.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zyrtarisht procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 14 Majit. Demokratët kanë bërë publik që vitin e shkuar kandidatët e tyre për kryetar bashkie, emra këta të dalë nga procesi i Primareve.

Socialistët ndërkohë po marrin kohë dhe kanë deklaruar që do të respektojnë afatet zyrtare për të bërë të ditur listat me kandidatët e tyre, të cilët do të merren vesh vetëm pak ditë përpara se t’i dorëzojnë në KQZ.

Kandidatët e tyre do të dalin nga një proces konsultimesh, anketash e sondazhesh me komunitetet e çdo bashki, e më pas fjalën e fundit do ta ketë kryesia.

Por pavarësisht se selia rozë ka vendosur të jetë diskrete në këtë proces, emrat e atyre që do të rikonfirmohen për një kandidim të dytë apo të tretë kanë nisur të qarkullojnë nën korridoret e PS-së.

I padiskutueshëm është rikandidimi i Erjon Veliajt në Tiranë, po ashtu i Gledian Llajtjas në Elbasan. Pavarësisht se për Durrësin ka jo pak debate brenda PS se kryebashkiakja aktuale do të jetë emri që do të zyrtarizohet për garën e 14 Majit. Në mbledhjen e fundit të kryesisë mësohet se kryesocialisti ka deklaruar gjithashtu se në të 5 bashkitë ku Ps fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do rikandidohen kryetarët aktual.

Në Shkodër nuk mbahet më sekret nga socialistët se do të kandidojnë deputetin Benet Beci.

Në turin që Rama zhvilloi në vjeshtë në disa bashki la të kuptohej se do të rikandidonte kryebashkiakun e Korçës, Pogradecit, Gjirokastrës, Përmetit, Lezhës, Kamzës dhe disa bashki të tjera të vogla.

Vlora është ajo që ka debat të madh në gjirin e PS. Ajo që dihet me siguri është që Dritan Leli nuk ka asnjë mundësi për një shans tjetër pas përplasjeve që kryeministri ka patur me të që para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kur nuk pranoi ofertën e tij për t’u bërë pjesë e listave të deputetëve. Mësohet se emri më i përfolur për këtë bashki është ai i ish-deputetes Vilma Bello.