Zbardhet debati në grup/ Topalli, Patozi e Bregu kundër Bashës: Të mos asgjesohet PD

486
Grupi Parlamentar demokrat ka diskutuar dje për një nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë ndonjëherë përpara një procesi zgjedhor, bojkotin e zgjedhjeve parlamentare. Mbledhja e Grupit Parlamentar u thirr me urgjencë nga kreu i PD-së, Basha, ku në mesazhin që mbërriti në telefonat e deputetëve u theksua se prezenca është e detyrueshme.
Në pjesën e parë të mbledhjes deputetët demokratë kanë dëgjuar ofertën politike të bërë nga Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, dhe komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, për krizën politike në Shqipëri. Në përfundim të kësaj video-konference, deputetët demokratë kanë diskutuar nëse PD-ja duhet ta pranojë ofertën e ndërkombëtarëve, apo të tradhtojë besimin e qytetarëve që kanë ndenjur për rreth 75 ditë në çadër.

Ish-kryeministri Sali Berisha, me përjashtim të një batute që ka bërë me ish-kryeparlamentaren Topalli, nuk ka preferuar të bëjë asnjë ndërhyrje përgjatë gjithë mbledhjes, megjithëse debatet kanë qenë të ashpra.

Debati i plotë
Sali Berisha: A jeni mirë? Jozefinë, si je? E deklasuar ishe dhe e deklasuar ngele gjithmonë (qesh).

Lulzim Basha: Pas video-konferencës që zhvilluam me miqtë tanë të PPE-së jemi të hapur që këtë vendim politik ta ndajmë dhe ta diskutojmë bashkërisht. Ne kemi qenë korrektë dhe tepër seriozë përgjatë gjithë negociatave dhe takimeve informuese që kemi zhvilluar me miqtë tanë ndërkombëtarë. Është e thjeshtë dhe e qartë. Jemi duke zhvilluar një betejë jo për Lulzim Bashën, por për ata njerëz që kanë 75 ditë që rrinë në çadër dhe besojnë te projekti i Republikës së re. Jemi të hapur që të gjejmë një zgjidhje dhe e kemi kërkuar këtë zgjidhje, por s’mund të bëhemi pjesë e lojërave të Edi Ramës. Unë gjykoj se të refuzosh truket dhe hilet e qeverisë, nuk do të thotë të jesh kundër dialogut dhe kompromisit, por të menaxhosh mirë opozitën.

Jozefina Topalli: Unë në fakt nuk kam shumë për të thënë se shumë gjëra t’i kam thënë edhe ty vetë personalisht z.Basha. Mua kjo nuk më duket një garë që lidhet me ne, por me fatin e kësaj force politike. Më intereson që të gjejmë një zgjidhje për të mos e asgjësuar Partinë Demokratike. Për këtë kam besim se ju z.Basha do ta gjeni një zgjidhje të tillë. Unë kërkova një mbledhje të Grupit dje, dhe pashë që më kanë sulmuar edhe eksponentë të ndryshëm brenda PD-së. Të thuash atë që mendon në PD nuk është privilegj, por e drejtë. Në kemi hyrë në zgjedhje në kohë shumë më të vështira për PD-në dhe këtë nuk duhet ta harrojmë.

Igli Cara: Dua ta them që në fillim se në të gjitha rastet, unë do t’i qëndroj vendimit që do të merret këtu në Grupin Parlamentar të PD.-së Do t’i qëndroj këtij vendimi edhe nëse ai do të jetë për mospjesëmarrje në zgjedhje, ndonëse në 27 vjet anëtar i PD-së nuk e kisha menduar që mund të shkonim në një vendim të tillë politik… Unë vazhdoj të besoj se politika është arti i së pamundurës dhe besoj që vendimi ynë përfundimtar për zgjedhjet duhet të merret vetëm pasi të kemi shteruar çdo negociatë. Demokracia në thelbin e vet ka mendimin ndryshe, e këtë duhet ta respektojmë edhe këtu brenda nesh e mes nesh. Linçimi publik i deputetëve si Jozefina Topalli etj., nga njerëz që përfaqësojnë forume në PD është një gjë që duhet ndalur urgjentisht.

Gent Strazimiri: Unë nuk shoh asnjë vend për negociata. Nuk kemi ç’të negociojmë me Ramën. Ai është i njëjtë gjithmonë, i njëjtë si ai që kemi parë në Korçë, në Dibër dhe siç do të shohim në çdo zgjedhje që ai do të ketë mundësi t’i drejtojë.

Gert Bogdani: Tani më ka ardhur një mesazh nga një prej njerëzve që janë në çadër dhe më thotë se PD-ja nuk duhet të tërhiqet, pasi nëse tërhiqet populli do të jetë ai që humb, ndërkohë që deputetët e PD-së do të dalin me vetëm 50 mandatet e tyre.

Astrit Patozi: U tha këtu se duke mbajtur qëndrime që synojnë të fusin PD-në në zgjedhje po bëjmë politikën e Ramës. Kush po e bën lojën e Ramës? U diskutua dhe u tha këtu se marrim 50 mandate po të hyjmë në zgjedhje me këto kushte. Kush e thotë këtë? Ne hyjmë në zgjedhje për t’i fituar ato. Kush më thotë, pse nuk i marrim ne 74 mandate? Po pse kështu do të funksionojmë ne kur futemi në zgjedhje, kur jemi keq i bojkotojmë ato? Nëse shqiptarët apo akoma më shumë opozitarët thonë se ne jemi duke hyrë në këtë betejë për mandatet tona, hajde i lëmë të gjithë mandatet tona edhe e mbyllim fare këtë histori. Të mos i vëmë emrat fare në listat e deputetëve. Unë jam i pari i gatshëm ta bëj këtë deklaratë. Jeni ju të gatshëm ta bëjmë? Po unë mendoj se e gjitha kjo nuk është as çështje emrash dhe as çështje numrash. Nuk duhet parë si tradhti, pra nëse PD-ja pranon një ofertë të ardhur nga ndërkombëtarët. Të gjithë duhet të luftojmë fort për të arritur maksimumin e kauzës sonë dhe mund të them se nuk tradhtojmë askënd, në rast se pranojmë edhe një paketë serioze të ofruar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Majlinda Bregu: Në fakt, ato që miqtë tanë të PPE-së thanë në video-konferencë nuk kanë shumë vend për diskutim. Unë nuk dua t’u shtoj shumë gjërave që kam thënë këto ditë, madje jam e palëkundur në gjykimin tim se, përmes negociatave me ndërkombëtarët, mund të arrijmë të fitojmë diçka nga kauza që ne kemi si opozitë. Duke iu shmangur negociatave, nuk fitojmë asgjë, përkundrazi thellojmë ndasitë me miqtë tanë europianë. A ka shitblerje vote në zgjedhje? Sigurisht që ka! Po Rama me këtë qëndrim që ne po mbajmë po na del si shenjt, si njeri që nuk ka prekur kurrë votë me dorë në jetën e tij. Shitblerja e votës është krim dhe i rëndë madje, por si krim kërkon dy palë. Unë jam kundër mohimit të së drejtës për të votuar opozitarët, sepse për mua të lësh 600 mijë votues të PD-së pa votë është gjenocid.
Sigal