Zamira Çavo:“PD-PS nuk tregojnë si do të hapin vendet e punës”

475
Sigal

*analiste

Fushata elektorale duket sikur është kthyer në një ankand, midis PD-së dhe PS-së, se cila nga këto do të hapë më shumë vende pune, ndërkohë, shqiptarët po humbasin përditë e më shumë besimin se politika është e aftë që të zgjidhë hallet e tyre ekonomike. Analistja, Zamira Çavo,  në intervistën për “Telegraf”, duke mbajtur një qëndrim të baraslarguar, pohon se forcat politike nuk kanë treguar si do të hapin këto vende pune. Ndaj,- thotë zonja Çavo,- programet elektorale janë të pakuptueshme për elektoratin.  Ndërsa, integrimi i Shqipërisë, lufta kundër korrupsionit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, arritja e standardeve demokratike, -thotë zonja Çavo,- ndonëse janë në axhendën politike, ato janë demagogji, derisa nuk ka vullnet politik për t’i zbatuar.

Zonja Çavo, besoj se shqiptarët, tashmë e zgjidhën problemin e papunësisë. PS-ja premton 300.000 vende pune, Kryeministri Berisha 250.000. Mjafton, që shqiptarët, të presin 24 Qershorin?

– Së pari, më duhet të them se premtimet për mundësi të hapjes së vendeve të punës, janë premtimet e para elektorale të çdo partie, që aspiron pushtetin. Ajo që duhet të na shqetësojë është se si do t’i hapin këto vende pune. PD-ja këtë premtim e ka bërë që 8 vjet më parë! Madje, e ripërsëriti dhe katër vjet më vonë e sot përsërit të njëjtin avaz! Nëse shqiptarët dëshirojnë të mashtrohen akoma, vetë e kanë në dorë: Le ta votojnë! Të njëjtën premtim, madje, me 50 mijë vende pune më shumë, e bën dhe PS-ja. Por, as z.Rama nuk na ka treguar se në çfarë mënyre do t’i hapë këto vende pune. Pavarësisht këtyre, unë mendoj se qeveria, që do të dalë pas zgjedhjeve, nëse punon sinqerisht në favor të interesave të popullit dhe jo të klaneve, nëse nuk lejon monopolet dhe i hap rrugë bizneseve, mundësitë, që shqiptarët të punësohen, do jenë patjetër më të mëdha.

 – Megjithatë, ka një problem të vockël. PS-ja thotë se, të papunët janë 1 milion. Këta të tjerët, 700.000 të papunë, cilën shpresë duhet të presin akoma?

– Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, të cilit nuk i besohen dot shifrat zyrtare, pra as numri i të papunëve.  Por një gjë është fare e dukshme: Shqipëria vuan nga informaliteti i madh, por vuan dhe nga papunësia! Sa për shpresa, unë them se shpresat i kemi, por na mungon besimi ndaj alternativave! Do duhet shumë kohë  e veprim që shqiptarëve t’u kthehet besimi te politika. Janë 22 vjet të lodhur nga premtimet! Por do të dëshiroja shumë që në këto zgjedhje shqiptarët të shkojnë të votojnë, qoftë duke i vënë vizën të gjitha partive politike. Them me bindje se ka ardhur koha që partitë politike shqiptare të mos i trajtojnë njerëzit si një kope, që të duartroket sa herë ti i mashtron! Kjo arrihet vetëm nëse secili prej nesh ndërgjegjësohet dhe shkon e voton.

– Nga ana tjetër, më të lumtur do të jenë edhe biznesmenët, të cilët, pas 23 Qershorit, do të jenë të çliruar nga taksat. Mendoni se edhe për ata vjen koha e artë ?

 – Ky është një absurd i madh! Nuk mbahet shteti pa taksa. Pa taksa nuk ka as arsim publik cilësor, as shëndetësi, as rrugë e investime publike. Premtime të tilla janë vetëm objekt mashtrimi elektoral.  Në fakt, të ardhurat buxhetore të vitit 2012 rezultuan më të ulëta se ato të vitin 2011, rreth 29.8 miliardë lekë. Ndërkohë, të dhënat mbi të ardhurat buxhetore nga viti 2010 në vitin 2012, nuk kanë rritje. Ndërsa, rritja e shpenzimeve është e pashmangshme. Shpenzimet e sigurimeve shoqërore rriten 4-5 miliardë lekë më shumë se rritja e të ardhurave. Në muajin shkurt hymë në ciklin kur merret borxh për të shlyer borxhin, sepse  të ardhurat nuk janë aspak të mjaftueshme. Ja pse njerëzit duhet ta kuptojnë se çfarë fshihet pas premtimeve elektorale.

Edhe rrogëtarët e administratës së shtetit, do të marrin rritje rroge mbi koeficentin e inflacionit. Besoni se Buxheti i Shtetit është kaq i madh, sa të mbartë këto premtime?

– Mirë do të ishte kështu si thoni ju, por shifrat reale flasin për shtrëngime edhe më të mëdha.

-Mendoni se, debati rreth reformave ekonomike do të ndikojë në vendimmarrjen e votuesve?

– Personalisht, mendoj se njerëzit do të bënin shumë mirë të njiheshin me programet ekonomike të partive, që të dinin se cilën prej tyre të votonin. Por nuk ndodh kështu, për njëmijë arsye. Dy arsye janë më të ndjeshme; programet ekonomike të partive janë tepër të “sofistikuara” për t’i kuptuar njerëzit e thjeshtë, së dyti: shumica e njerëzve janë  të papërgatitur për t’i kuptuar realisht ato. Ndaj, partitë politike kanë filluar lojën e premtimeve ekonomike, duke garuar në masën e gënjeshtrave të radhës.

– Besoni se debati elektoral i PS-së dhe i PD-së për punësimin, politikën fiskale ofron alternativa, reforma për të dalë nga amullia e krizës ekonomike?

 – Mirë do të ishte. Por nuk shikoj debat. Do dëshiroja  shumë të shikoja ndonjë debat profesional dhe jo debat sharjesh, apo fyerjesh personale.

– Përse integrimi i Shqipërisë, lufta kundër korrupsionit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, arritja e standardeve demokratike nuk janë në fokusin e politikës elektorale?

– Janë, padyshim janë, por thjesht për demagogji. Unë mendoj se lufta kundër korrupsionit, duhet të jetë angazhimi i parë i qeverisë së ardhshme. Kjo nuk arrihet me slogane, as me programe demagogjike.  Erdogani, Kryeministri turk, para disa kohësh iu përgjigj kështu pyetjes së një gazetari, se si pati mundësi Turqia të kthehet në një vend që jep borxhe FMN-së: “Nëse një Qeveri nuk “fut” duart për përfitime personale në pronën publike dhe të ardhurat, ajo ia del ta zhvillojë vendin”. Por, sigurisht, që kjo kërkon një Drejtësi të sigurt e me besueshmëri të lartë. Në mendimin tim, nëse në Shqipëri nuk vendoset parimi i përgjegjshmërisë dhe ndëshkueshmërisë ligjore, asnjëherë Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara! Sa për integrimin në Europë, ne do të hyjmë ne Europë, kur Europa do të na lejojë, sepse për ne, do të na duhet shumë kohë, po shumë kohë, që t’i afrohemi në standardet që ajo kërkon.

– Karakteristika e prezantimit të kandidatëve të PS-së, deri tani, nuk është mishërim i kontributit të tyre në kauzën e socialistëve. A mund të bëhen këto kandidatura shprehës të socialistëve?

 – Këtë, më mirë se ne i dinë forumet drejtuese të PS-së. Fakti që ju shqetësoheni për ‘to, është legjitim dhe i sinqertë, pasi prisni nga kjo Parti t’u japë shpresë njerëzve. Unë jam e parimit se më rëndësi nuk janë njerëzit, por parimet, mbi të cilat ngrihet partia, janë mekanizmat me të cilat ajo vepron. Nëse këto mekanizma nuk funksionojnë, individët e saj dhe të shkëlqyer qofshin, sërish do jenë të dështuar. Koha e ka treguar këtë.

– PS-së, si opozitë, i munguan aleatët parlamentarë, sepse edhe PBDNJ-i e braktisi në KQZ. Por, edhe me platformën e bashkëpunimit me aleatët, PS-ja do të mbetet parti pa aleatë parlamentarë, duke humbur çdo kontroll në vendimmarrjen me votë cilësore. Qoftë në opozitë, qoftë në pushtet, kjo mangësi a do të vështirësojë PS-në?

– Nuk besoj të jetë kështu. Duke njohur sjelljet politike të partive, unë jam e bindur se  PS-ja do gjejë aleatët e saj, për të siguruar numrat. Mua do më dukej shqetësues cilësia e aleatëve. Sepse, nëse PS-ja do bënte aleancë me ndonjë parti  inekzistente, apo e dështuar moralisht në publik, kjo do të ishte njëmijë herë më keq, se çdo humbje e zgjedhjeve!  Një model i dështuar nuk mund të paraqitet si një model fitues numerik!  Është e pamoralshme e për rrjedhojë dhe e frikshme. Ndaj, nuk jam e shqetësuar për mungesën e aleatëve. Përkundrazi, jam e shqetësuar me cilësinë e tyre!

Sondazhi më i fundit i fondacionit SOROS dëshmoi se është ulur besimi i votuesve te partitë politike. Politika a është e interesuar të afrojë besim se do të jetë e zonja të bëjë ndryshimin, apo ka thjesht objektiv marrjen me çdo kusht të pushtetit?

– Më së pari, do të sillja në vëmendjen  tuaj, se sondazhet në Shqipëri me kohë kanë treguar se janë të gabueshme në masa të mëdha. Shqiptarët i kanë “nxjerrë: me marzh gabimi shumë të lartë të gjitha sondazhet, madje dhe të Gallupit apo të tjera me radhë! Por, gjithsesi, çdo shqiptar e di se besimi te politika vendase është në kufijtë më minimalë, për të mos thënë negative. Partitë politike e dinë këtë, por mbështeten te militantët, duke i joshur me premtime që bien në kurrizin tonë! Ndaj, e theksoj, për sa kohë që ne nuk arrijmë të kuptojmë se jemi NE ata që duhet të vendosim për politikën dhe jo politika për Ne, aq kohë politikanët shqiptarë dhe partitë politike do vazhdojnë të luajnë me njeri tjetrin vetëm për interesa pushteti personal!

– Faleminderit!