Zamira Çavo: “Statusi me kusht, reformat iluzive, dhe realiteti demokratik europian”

697
Sigal

INTERVISTA/ “Metademokracia jonë është më afër autoritarizmit, se sa demokracisë”

Paradoksi i politikës shqiptare është, që në vend që të bëjë përpara popullit autokritikën e madhe, që, ndonëse kanë ikur 21 vite tranzicion, prapëseprapë, Komisioni Europian na dha një status të kushtëzuar. Shqipëria dhe shqiptarët, sërish, sikurse 21 vite, mbeten robër të ngërçeve dhe interesave partiake të klasës politike. Zonja Zamira Çavo, në intervistën për “Telegraf”,  shpjegon përse shqiptarët mbeten sërish pengje të ngërçeve partiake të klasës politike dhe akoma mbeten me ëndrrën e integrimit në demokracinë europiane. ” Metademokracia jonë është më afër autoritarizmit” pohon zonja  Çavo.  Vetëm kjo metademokraci autoritarizmi politik, mund të japë xhevap- sikurse thotë populli- që akoma standardet europiane të demokracisë janë shumë larg realitetit në Shqipëri. Sipas zonjës Çavo, shpesh herë proceset demokratike te ne janë shndërruar në regres, ndaj BE-ja, akoma shqiptarët i trajton sikur të jenë nga realiteti (demokratik) afrikan, aziatik. Sepse, pohon zonja Çavo edhe vetë Europës, ” pak i intereson demokracia në Shqipëri. Për ta mjafton që dukja të jetë e tillë dhe të mos u hap problem rajonale”.

-Zonja Çavo, e merituam, apo na e dhanë  europianët statusin e kushtëzuar? Ia vlen që të festojmë, apo duhet të jemi skeptik përballë një realiteti të tillë?

– Një muaj më parë, në gazetën tuaj, unë paralajmërova marrjen e statusit, pavarësisht zhvillimeve tona politike. Gjeopolitika dhe vetë e ardhmja e Europës e kërkonte këtë hap. A duhet të festojmë? Pse jo. Në fund të fundit, po hedhim një hap me rëndësi për të ardhmen tonë, një hap që, dhe pse na shtynë të tjerët për ta hedhur, tashmë ka siguruar realizimin e një ëndrre.

– Një status kandidat i kushtëzuar, mund të quhet progres i proceseve demokratike në Shqipëri?

– Kushtëzimi i statusit sigurisht vë para detyrave të mëdha klasën politike shqiptare. Por, pavarësisht këtij kushtëzimi ,ne shqiptarët e dimë më mirë se cilido tjetër, se proceset demokratike tek ne shpesh janë shndërruar në regres demokratik dhe jo progres. Metademokracia jonë është më afër autoritarizmit se sa demokracisë.

–  Në raport-progresin bëhet fjalë për bilance kompromisi politik, e pak për arritje të  standardeve demokratike. Thua, të jetë një harresë e çastit?

– Natyrisht që jo. Nuk mund të bëhet një bilanc real dhe aq më tepër një krahasim me standardet europiane për shqiptarin. Jemi shume larg. Varfëria në xhepat e shqiptarëve nuk është iluzion, por realitet i   përditshëm. Pra, reforma iluzive dhe mund të bëhen, madje dhe mund të votohen me konsensus, por ajo që ka rëndësi është jetesa e shqiptarëve. A do arrijmë dot të krahasohemi me europianët? Jemi shumë larg, pavarësisht se Kryeministri mundohet të na mbushë mendjen se edhe ata janë keq!

– Po bojkoti i opozitës, edhe për reforma të rëndësishme, sikurse Gjykata e Lartë, etj., a mund të vlerësohet kontributi konstruktiv i integrimit?

– Opozita ka kohë që e ka humbur rrugën e saj. Nuk di rast në botë që opozita prêt të marrë pushtetin, kur ta lerë vetë pozita. Dhe jo vetëm kaq, por opozita jonë ka humbur dhe nuhatjen politike dhe luan si ata fëmijët që nuk dinë çfarë kërkojnë dhe përplasin këmbët në dysheme, deri sa dikush t’i gënjejë ose t’i bërtasë… Sa për integrimin. opozita do bëj nazet e saj, si gjithnjë e në fund do bëjë atë çka kërkohet…

– Në këtë hark kohor njëvjeçar, gjërat kanë ndryshuar për të mirë, derisa na dhanë statusin, për të qenë edhe në shqiptarët optimistë?

– Jo. Gjërat kanë ndryshuar për keq. Madje nuk kam asnjë besim se dhënia e statusit do ndryshojë shpejt ndonjë gjë për shqiptarët. Dhe, për më tepër, jam e bindur se për të qenë optimist, duhet ta marrim në dorë vetë ne situatën…

– A nuk është paradoksale, që kushtëzimi i BE-së për statusin që sapo e dhanë,  ka të bëjë me zgjedhjet e 2013-s, kur sapo u miratua në konsensus një reformë zgjedhore?

– Zgjedhje bëheshin dhe në kohën e Enverit, madje të lira, por vendi nuk ishte demokraci. Pra procesi zgjedhor, liria dhe paanshmëria e tyre është vetëm a-ja e demokracisë, por jo vetë demokracia. Por kushtëzimin me zgjedhjet e shikoj thjeshtë si një tërheqje vëmendjeje për politikën qeverisëse. Personalisht, mendoj se Europës, por jo vetëm, pak i intereson demokracia në Shqipëri. Për ta mjafton që dukja të jetë e tillë dhe të mos u hap problem rajonale. Ne këtë gjë e bëjmë “mirë”.

– A janë ndërgjegjësuar palët politike në Shqipëri, që një status kandidat, do të jetë një stad, ku detyrimet politike do të jenë më të mëdha?

– Edhe pse nuk besoj, uroj me gjithë zemër të ndodhë ky ndërgjegjësim…

– Faleminderit!