Yrjada Jahja/ Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Gjykata Europiane e Audituesve

736
Rrugëtimi drejt integrimit në Bashkimin Europian kërkon një angazhim serioz të institucioneve publike shqiptare, referuar përshtatjes së veprimtarisë dhe metodologjisë së tyre, hap pas hapi me ato të homologeve europiane. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitet e fundit, një nga fushat në të cilat është përqendruar është pikërisht modernizimi i strukturave, procedurave dhe qasjes që përdor. Shembujt janë të shumtë, konferenca me pjesëmarrje nga institucione supreme auditimi nga shtete të tjera dhe personalitete të fushës politike shqiptare dhe ndërkombëtare, seminare me fusha specifike të auditimit, të mirëqeverisjes dhe të ndërgjegjshmërisë publike, workshop-e me tema vetëvlerësimi të veprimtarisë, trajnime të stafit në institucionet homologe në Europë dhe më gjerë, publikimi i një sërë botimesh me interes publik, pjesëmarrja e audituesve në media për pasqyrimin e funksionit auditues dhe tërthorazi për ndërgjegjësimin e publikut, në lidhje me risqet dhe parregullsitë që mund të hasen në veprimtarinë e shërbimit publik.

Një nga angazhimet që KLSH ka ndërmarrë është edhe bashkëpunimi i ngushtë me Gjykatën Europiane të Audituesve (Europian Court of Auditors-ECA). ECA është audituesi i jashtëm i pavarur i Bashkimit Europian dhe kontribuon në përmirësimin e menaxhimit financiar të BE-së, promovon llogaridhënien dhe transparencën dhe vepron si gardian i pavarur i interesave financiare të qytetarëve të BE-së. Përsa kohë që Europa përballet me sfida dhe presion për financat e saj, roli i ECA-s rritet në mënyrë të konsiderueshme. ECA paralajmëron mbi risqet, ofron siguri dhe udhëzime drejt politikë-bërësve të BE-së mbi mënyrën sesi mund të përmirësohet menaxhimi i financave publike dhe garantohet se qytetarët evropian janë në dijeni të destinacionit dhe mënyrës së shpenzimit të parave të tyre. Roli i ECA-s është i ngjashëm me atë të KLSH-së, dallimi është objekti i auditimit. ECA auditon fondet e shteteve anëtare të BE-së, KLSH shtrihet në rang kombëtar. 

ECA dhe KLSH kanë lidhur ura për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre

Si institucione të ngjashme në funksion, ECA dhe KLSH kanë lidhur ura për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre. Kështu, Presidenti i Gjykatës Europiane të Audituesve, z. Vitor Caldeira mori pjesë në eventin e organizuar për 90-vjetorin e KLSH-së, ku dhe iu akordua Titulli “Për Merita të Veçanta Civile” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani për ndihmën dhe kontributin e qenësishëm që ai ka dhënë për përparimin dhe modernizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjithashtu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, i dorëzoi z. Caldeira Titullin “HONORIS CAUSA”. Më parë, ECA ka organizuar evente të tjera në zyrat e saj në Luksemburg, me pjesëmarrjen e krerëve të institucioneve të tjera të auditimit, ku ka qenë i ftuar Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, duke ndërtuar një urë të re të bashkëpunimit mes KLSH-së dhe ECA-s.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në bashkëpunim me institucione të tjera të Europës, ka organizuar trajnime, seminare, workshop-e me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive. Kështu, Institucioni Suprem i Auditimit Polak (NIK), Gjykata Turke e Llogarive kanë ofruar trajnime të vazhdueshme për stafin e KLSH-së, duke mbështetur KLSH-në në ndërtimin e kapaciteteve në përputhje me standardet europiane. Përthithja e njohurive dhe eksperiencave nga audituesit e KLSH-së vërehet edhe në ditët trajnim në vit, ku mesatarisht për vitin 2015 çdo auditues ka kryer 27 ditë trajnim. Gjithashtu, 83% e stafit të KLSH-së është ka marrë pjesë në trajnime të organizuara jashtë vendit, në institucionet homologe, nga të cilat rëndësi të veçantë kanë trajnimet e zhvilluara në ECA, të tilla si: Auditimi i Performancës, Auditimi i Teknologjisë së Informacionit, etj. 

Gjykata Europiane e Audituesve ka bërë pjesë të strukturave të saj, auditues të KLSH-së

Gjykata Europiane e Audituesve ka bërë pjesë të strukturave të saj, nëpërmjet programeve të internshipit, auditues të KLSH-së. Programi i internshipit, shtrihet në një periudhë pesë mujore dy herë në vit. Auditues të caktuar të përzgjedhur nga KLSH dhe më tej nga ECA, qëndrojnë gjatë kësaj periudhe në strukturat e ECA-s, dhe punojnë në bashkëpunim të ngushtë me audituesit e Gjykatës. Konkretisht, gjatë periudhës së dytë të internshipit, Tetor 2015-Shkurt 2016, auditues të KLSH-së u angazhuan në strukturat e ECA-s, dhanë kontributin e tyre si dhe shkëmbyen eksperiencën me audituesit e ECA-së, në çështjet e mëposhtme:
– Kontribut në auditimin e transaksioneve midis Komisionit Europian dhe përfituesve të fondeve për projekte të kërkimeve shkencore për vitin 2015 për hartimin e Deklaratës së Sigurisë (Declaration d’Assurance-DAS), e cila është auditimi i besueshmërisë së llogarive të Bashkimit Europian dhe auditimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së transaksioneve përkatëse. 
– Pjesëmarrje në auditime në terren, auditime të kryera drejtpërdrejtë tek përfituesi i fondeve (përgatitje të punës audituese, kryerja e testeve të auditimit mbi artikujt e kostove dhe metodologjisë, hartimi i letrave të punës dhe raportimi i auditimit).
– Pjesëmarrje në një sërë trajnimesh të ofruara nga ECA, e konkretisht: ‘Buxheti dhe Rregullat Financiare të BE-së’, ‘Legjislacioni i BE-së’, ‘Etika Publike’, ‘Ndihma Financiare Europiane pas vitit 2015’, ‘Metodat dhe analizat financiare’, ‘Mashtrimi në programet kërkimore’, ‘Politika më të mira nëpërmjet dizenjimit’, etj.

Për periudhën Mars-Korrik 2016, një grup prej tre audituesish të KLSH-së, janë integruar në strukturat e ECA-s, për vijimin e programit të internshipit, pranë ambienteve të Gjykatës. Angazhimi i audituesve të KLSH-së në Gjykatën Europiane të Audituesve dhe bashkëpunimi i ngushtë midis këtyre dy institucioneve, janë hapa konkretë drejt modernizimit dhe europianizimit të KLSH-së, nën moton e INTOSAI-t “Experentia Mutua Omnibus Prodest”. Audituesit e trajnuar, ndajnë eksperiencën dhe njohuritë e tyre me pjesën tjetër të audituesve në KLSH, duke garantuar në këtë mënyrë përcjelljen e përvojës audituese dhe aplikimin e këtyre njohurive. Gjithashtu, ECA përfiton nga ky bashkëpunim dypalësh, duke u njohur konkretisht me punën audituese të një Institucioni Suprem Auditimi, e konkretisht të një shteti kandidat për në BE, siç është Shqipëria. 
Sigal