Ylli Manjani, mesazh gjyqësorit: Hiqni dorë nga masa “arrest me burg”, po abuzoni rëndë me ligjin

137
Sigal

Një manual i thjeshtë, që mbase ndihmon gjykimin publik. Nëse doni të kuptoni se sa e ligjshme është masa e arrestit me burg ndaj dikujt, përpiquni të kuptoni si vijon:

  1. Sa i rrezikshëm për shoqërinë është i arrestuari? Me pak fjalë është vrasës, terrorist, përhapës sëmundjesh ngjitëse e të tjera si këto?
  2. Përse marrja e një mase tjetër sigurimi ose ndalimi nuk vlen? Fjala vjen përse nuk mund të aplikohet garancia financiare, ndalimi i lëvizjes jashtë shteti, pezullimi i ushtrimit të detyrës publike, detyrimi për paraqitje apo arresti në shtëpi?
  3. A pengon hetimet mos arrestimi me burg? Dmth sa i vështirë bëhet hetimi nëse personi është i lirë? Metodologjitë e 70 viteve të fundit madje sugjerojnë që hetimet bëhen më të mira dhe provat gjenden më kollaj kur personi lihet i lirë dhe nën mbikqyrje procedurale. Se po e izolove në paraburgim, s’ke ç’prova të kërkosh më.
  4. Sa është mundësia që personi mund t’i fshihet drejtësisë?!
    Këtë gjë gjykatat nuk kanë si ta vlerësojnë nëse personi nuk vendoset në një masë tjetër përveç arrestit. Aty shihet gatishmëria e personit të hetuar për të qenë korrekt ose jo me masën.

Përndryshe mbajtja në burg me dyshimin se mund të ikë është thjesht spekulim.

Ja kaq përpiquni të kuptoni, nëse të paktën njëra nga këto 4 pika qëndron, atëherë arresti me burg është i ligjshëm.

Arresti me burg jashtë këtyre kritereve është abuzim me ligjin, me liritë e të drejtat themelore të njeriut dhe qartësisht show për të krijuar frikë e terror politik. Ndaj, në radhë të parë gazetarët, janë të lutur që pas çdo arresti që raportojnë të përpiqen të gjejnë njërën nga këto kritere. Jo të përhapin lajme “burimesh” mbi çka bërë i arrestuari. Në fillim na thoni përse e meriton ligjërisht arrestin?! Përse marrja e një mase tjetër nuk ndihmon hetimin?! Ndihmojeni publikun të kuptojë vendimet e gjykatave dhe sjelljen e tyre në raport me ligjin. Pastaj të merremi me ç’mund të ketë bërë i arrestuari. Këtë sugjerim kam.