“Vetëm një person i mbipushtetshëm kundër gjithë vendit”. Kështu e përkufizon kryeministrin Edi Rama ish-ministri i tij i Drejtësisë Ylli Manjani.
Përmes një postimi në Facebook Manjani, shprehet se, “kur të mos i ketë ato pushtete që ka do zgjidhen këto gjëra të rënda që ndodhin. Ekonomia, pandemia, shteti, drejtësia, trafiku i drogës, kanabizimi, manipulimi ndërkombëtar, koncensionet, bashkitë e pushtuara nga njerëz pa zgjedhje, liritë e të drejtat, negociatat me BE, të gjitha zgjidhen”.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit:
Duket si pa zgjidhje, por është krejt e thjeshtë politika tashmë.
Është një njeri me të gjitha pushtetet në dorë përballë shoqërisë. Nëse të gjithë ne nuk arrijmë tja heqim pushtetet nga dora, atëhere është më i zoti siç edhe i këndon vetes çdo ditë.
Por në thelb është e thjeshtë fare. Si kurrë më parë, nuk ka një grup kundër një tjetri, as një parti kundër një tjetri. Aq më pak një program kundër një tjetri. Jo!
Vetëm një person i mbipushtetshëm kundër gjithë vendit.
Kur të mos i ketë ato pushtete që ka do zgjidhen këto gjëra të rënda që ndodhin. Ekonomia, pandemia, shteti, drejtësia, trafiku i drogës, kanabizimi, manipulimi ndërkombëtar, koncensionet, bashkitë e pushtuara nga njerëz pa zgjedhje, liritë e të drejtat, negociatat me BE, të gjitha zgjidhen.
Edhe teatri zgjidhet menjëherë, por duhet larguar nga pushteti i vetmuari i çdopushtetshëm.
Është kaq e thjeshtë! Kot komplikohet.