Ylli Manjani: Drejtësia sot është shumë më keq, korrupsioni u thellua

132
Sigal

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se sistemi i drejtësisë sot, është shumë më keq se disa vite më parë.

Në një emision, Manjani u shpreh se gjatë kësaj kohe korrupsioni është thelluar.

“Nuk është më mirë drejtësia sesa ka qenë, është më keq. Qëllimi për të luftuar korrupsionin nuk u arrit, përkundrazi, korrupsioni është thelluar. Qëllimi është që, çfarë ka dënuar drejtësia që të jetë më e besueshme për njerëzit? Drejtësia e sotme ka dënuar një zëvendës ministre për një arkë peshk, e kupton çfarë tmerri është?

Ndërkohë, që pritshmëria e dënimit nga drejtësia, është që të dënoheshin kokat e mëdhenj, këtu akoma merren me atë mjekun anestezisht, apo me gjëra që drejtësia është marrë në mënyrën e vet”, theksoi Manjani.

Pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, Reforma në Drejtësi nuk ua ka kthyer shqiptarëve besimin tek drejtësia. Të pyetur nga Barometri në Euronews Albania se si funksionon drejtësia sot krahasuar me 5 vite më parë, 35.4% e tyre mendojnë se asgjë nuk ka ndryshuar.

Ndërsa 28.1% e tyre janë shprehur se sistemi jonë i drejtësisë është përkeqësuar. 6.7% e të pyeturve mendojnë se drejtësia është shumë me keq se sa ka qenë 5 vite më parë.

Vetëm 27.3% e të pyeturve mendojnë se sistemi i drejtësisë me reformimin është më mirë. Ndërsa shumë më mirë mendojnë vetëm 0.1%, një shifër shumë e ulët.