Xhelal Mziu për bashkimin e Partisë Demokratike: Fokusi është 20 shkurti dhe krijimi i një PD-je të konsoliduar

30
Sigal

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ishte i ftuar ditën e sotme në një intervistë, ka folur lidhur me bashkimin e PD-së.

Mziu theksoi se bashkimi është një hap i rëndësishëm që PD-ja të jetë e konsoliduar para zgjedhjeve, ndërkohë që synimi i tyre nuk është vetëm protesta e 20 shkurtit, por edhe krijimi i një plani të detajuar për një strukturë solide.

“Dita e djeshme ishte e veçantë për demokratët, pasi bashkimi nuk kishte ndodhur për një kohë të gjatë. Ishte një hap i rëndësishëm për të filluar aksionin opozitar që, në zgjedhjet të cilat janë shumë pranë, të ketë një PD si një forcë opozitare. Ka mjaftueshëm kohë për të patur një PD të konsoliduar.

Nëse dikush nuk do që të jetë pjesë e PD-së, është zgjedhja e tyre, por do të donim që PD-ja të ishte totalisht e bashkuar. Megjithatë, besoj që PD-ja duhet të punojë edhe më shumë për t’u marrë me pjesë të vogla brenda saj, sepse duhet të gjejë instrumenta të tjerë që e bëjnë shpresëplotë kontekstin.

Ne nuk kemi thjesht aksionin e 20 shkurtit, edhe pse është shumë e rëndësishme, sepse shqiptarët shpresojnë që në përballjen në zgjedhje, të shpallemi fitues. Prandaj dita e djeshme ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi, përveç protestës, po punohet edhe për një plan të detajuar se si do të operohet objektivi i krijimit të një strukture solide,”- u shpreh ai për mediat.