Xhelal Mziu jep dorëheqjen si kreu i degës së PD: Do garoj sërish për drejtimin e Kamzës

56

Xhelal Mziu nuk do të jetë më kreu i degës së Partisë Demokratike në Kamëz.

Vendimi i ish-kryebashkiakut të Kamzës erdhi pasditen e të hënës pas një takimi me kreun e demokratëve, Basha teksa Mziu ka shprehur vullnetin e tij për t’ju nënshtruar votës së anëtarësisë për zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse e drejtoi Kamzën për 3 mandate, Mziu nuk e fsheh dëshirën për të vijuar projektet e lëna pezull në vitin 2019.

“Për të qenë korrekt me zbatimin e udhëzimit të PD duke pasur dhe ambicien time, i kërkova kryetarit të PD të Shqipërisë dorëheqjen nga ky funksion. Me synimin për të vazhduar konkurrencën pa pasur funksionin kryetarit të partisë. Por në komunikim me bazën duke shprehur ambicien time për të vazhduar projektin e lënë gjysmë të drejtimit të Bashkisë Kamzës”, theksoi ai.

Por cili do të ishte vendimi i Mziut nëse anëtarësia e degës së Kamzës do të propozonte emrin e tij për të qenë në parlamentin e ardhshëm?

“Unë kam një lidhje organike duke qenë edhe banor i atij qyteti duke pasur mjaft projekte. I bindur jo vetëm në bashkëpunimin tim me qytetarët, por i bindur edhe në fitoren e qeverisë Basha do të bëj maksimumin në atë qytet”, u shpreh Mziu.

Është i bindur se Bashkinë e Kamzës mund ta kishte mbajtur edhe me forcë pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, por pohon se udhëzimi i kryedemokratit Basha ishte që për rrëzimin e procesit të ndiqej rruga ligjore.

“Nëse do të ishte për ta mbajtur me forcë jam i sigurt që nuk do ta kisha dorëzuar kot. Nuk mund të kthehemi si në kohën  e principatave për të mbrojtur kalanë me forcë”, u shpreh ai.

Pas udhëzimit të miratuar në kryesinë e Partisë Demokratike 2 kryetarët e degëve lokale të PD, Luan Baçi në Fier dhe Andrea Mano në Korçë dhanë dorëheqjen dhe pas tyre Xhelal Mziu shprehu ambicien e tij për të qenë kandidat për Bashkinë e Kamzës.