Kryetari i FRPD, Besard Xhaferri ka reaguar pas samiti për Ukrainën të mbajtur në Tiranë ditën e sotme.
Xhaferri është shprehur se kryeministri Edi Rama nuk i ndal shërbimet e ulëta karshi Aleksandër Vuçiçit, teksa edhe Samitin për Ukrainën të mbajtur në Tiranë e vendosi totalisht në shërbim të tij, e këtë e paralajmërova një ditë më parë.
Postimi:
Kryeministri Edi Rama nuk i ndal shërbimet e ulëta karshi Aleksandër Vuçiçit, teksa edhe Samitin për Ukrainën të mbajtur në Tiranë e vendosi totalisht në shërbim të tij, e këtë e paralajmërova një ditë më parë.
Në vend që Vuçiç të demaskohej si Putini i Ballkanit për faktin se po destabilizon rajonin dhe nuk po i vendos sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës, samiti u vu në shërbim të interesave të tij politike dhe Serbomadhisë, pasi ai diktoi edhe deklaratën përfundimtare të Samitit.
Vuçiç kishte kërkuar që në deklaratën e samitit të mos përmendeshin shtetet e pranishme në Samit, pasi kjo do nënkuptonte edhe njohjen e Kosovës, kishte kërkuar të hiqej fjala “ndikimi malinj i Rusisë” dhe çështja e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e Serbisë. Të gjitha këto kërkesa u zbatuan me devotshmëri, teksa sot aty u fol më pak se asnjëherë për Kosovën.
Ky shërbim i paskrupullt ndaj Vuçiçit nuk mund të merrej përsipër nga askush tjetër përpos Kryeministrit Edi Rama, i cili ka refuzuar të njohë dhe masakrat e Jugosllavisë në Bosnje e Kosovë, nga regjimi i Millosheviçit, që asokohe kishte për Ministër Propagande, Aleksandër Vuçiçin, që zotohej se për çdo serb të vrarë do vriste 100 myslimanë.