Xhafaj te policia, “porta” për hetimin e dosjeve të trafikut

597
Ministri i Brendshëm e cilësoi çështjen e trafikut si problem të Italisë, por mbërritja e tij në krye të rendit përkon me shpejtimin e hetimeve
Ardhja e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme duket se nuk ka qenë një ndërrim i thjeshtë i titullarit në dikasterin e uniformave blu. Ajo përkon me shpejtimin e hetimeve për dosjen e famshme që po trondit politikën, atë të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali dhe ndihmës së dhënë nga politikanë të rëndësishëm. Por vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk pranoi dje të fliste gjatë mbi dosjen “Habilaj” apo përfshirjen në të të deputetit socialist, Saimir Tahiri. Në një prononcim për mediat, ai tha se kjo është një çështje që i takon vetëm drejtësisë italiane. “Ajo është një çështje që nuk i përket Policisë së Shtetit. Është çështje e iniciuar nga drejtësia italiane. Unë besoj se nuk bëj pjesë te ata njerëzit që kanë qejf të flas pa fund e për asgjë. Kur janë çështje që i përkasin drejtësisë nuk ka pse flet Ministria dhe ministri”, deklaroi Xhafaj. I pyetur mbi policët e përfshirë në trafik që përmenden në dosjen e autoriteteve italiane, Xhafaj u përgjigj se kishte një vit që merrej me këtë çështje. “Unë kam vetëm një muaj, por unë ju vlerësoj shumë ju për pritshmëritë e larta që keni ndaj meje me një muaj kërkoni aq shumë. Prisni, duroni dhe do shikoni”, tha Xhafaj. Deklarata e tij vjen në një kohë kur Ministria e Brendshme ka paralajmëruar se brenda pak ditësh pritet të nisë operacioni që do të asistohet nga ekspertë të huaj për goditjen e grupeve kriminale dhe pasurive të tyre.

Megjithatë, që prej mbërritjes së tij në Ministrinë e Brendshme, gjatë pranverës së shkuar, kur Rama vendosi të largonte 4 ministra, Fatmir Xhafaj ka dhënë shenjat e një qasjeje tjetër ndaj strukturës së policisë. Ajo ishte e akuzuar nga faktorë të ndryshëm politikë e mediatikë për përfshirje në mbjelljen e trafikun e drogës, fakt që ish-ministri Tahiri dhe kryeministri Rama refuzuan gjithnjë ta pranonin. Por në pak javët e qëndrimit në detyrë të Xhafajt shumë drejtues të policive vendore lanë postet dhe sasi të konsiderueshme kanabisi u sekuestruan. Tashmë, pas rikthimit të tij në Ministrinë e Brendshme, ndodhi ajo që ishte thënë me dhjetëra herë në sallën e Parlamentit: Grupi i Habilajve ishte i përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Italisë, duke pasur edhe mbështetjen e ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri. Atë që politika dhe media e kishin denoncuar prej vitesh, shqiptarët patën mundësinë ta lexonin edhe më tronditëse në dosjen e hartuar nga hetuesit italianë. Dosje që është vështirë të besohet se ka qenë një ekskluzivitet i përtej detit. Të paktën ngjarjet përkojnë dhe media ka raportuar edhe mospërputhje të rëndësishme brenda qeverisë “Rama 2” që në ditët e para të formimit të saj. Diplomatë të rëndësishëm mësohet se janë përfshirë tashmë në të dy linjat që duket se ekzistojnë në ekzekutiv për qasjen ndaj prodhimit dhe trafikimit të kanabisit. Ndërsa, nuk mungojnë hetimet edhe për financimet e dyshimta që ky trafik ka sjellë në Shqipëri, përfshirë edhe milionat e hedhura në fushatat elektorale. 
Sigal