Xhafaj në Kuvend: Shumë gjyqtarë e prokurorë nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë

285

“Sot drejtësia është
një sistem i kapur, pa asnjë besim nga qytetarët. Kur grupi parlamentar filloi
punën krijoi bindjen se reforma do të sillte përmbysjen e këtij sistemi. Jemi
të gjithë dëshmitarë se procesi që solli ndryshimet kushtetuese të këtij viti nuk
ka qenë një proces i lehtë politik, por ai është ndërtuar përmes zbatimit të
parimeve të gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit me të gjithë
aktorët”, ka thënë Xhafaj. 

Sipas tij, “suksesi i këtij procesi lidhet me
presionin e madh publik për ta ndryshuar sistemin e drejtësisë në këtë vend”. 

“Rol të rëndësishëm në këtë proces kanë luajtur
edhe partnerët ndërkombëtarë e kontribues të tjerë, që i dhanë një dimension më
të arrirë këtij procesi”, ka deklaruar Xhafaj. 

Ai ka theksuar se, “një ndër ligjet më të
rëndësishme të reformës është vetting-u”, që tregon sipas tij “pa asnjë ekuivok
se ne duam që sistemi i drejtësisë të ndryshojë tërësisht”. 

“Janë njerëzit ata që e bëjnë ligjin human dhe në
shërbim të shoqërisë. Thembra e akilit ka qenë se tek ne ligjet nuk zbatohen,
se nuk jepet drejtësi por bëhet pazar me të, se ligji nuk është në mbrojtje të
të varfërit, por si instrument i më të fortit”, ka vijuar Xhafaj. 

Ai ka nënvizuar se, “shumë gjyqtarë e prokurorë
nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë sepse janë kthyer në
taksidarë dhe flirtues me politikën dhe krimin”. 

“Hapi i parë i kësaj reforme është largimi i
gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, si dhe i atyre të paaftë e pa
integritet, si kusht për të kthyer besimin tek shoqëria”, ka shtuar Xhafaj.