Vurmo: PS i miraton ligjet për gjysmë dite, demokracive normale iu duhen 2-3 muaj! Vasjari: Jemi të vetmit në botë pa Gjykatë Kushtetuese

412
Sigal

Autori i raportit të Freedom House, Gjergji Vurmo, dhe analisti Arjan Vsajari thanë në emisionin “Real Story”, se mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një goditje e rëndë e të drejtës së zgjedhjeve.

Sipas gazetarit Vurmo, aktorët politikë nuk kanë treguar në asnjë moment përgjegjësi për mungesën e kësaj gjykate, ndërsa shtoi se mazhoranca do duhej të kishte ndryshuar tërësisht qasjen ndaj ligjbërjes.

Vurmo theksoi se në çdo demokraci normale parlamenteve iu duhen 2-3 muaj shqyrtime për të miratuar ligje, ndërsa Parlamenti jonë i miraton për një gjysmë dite.

Pjesë nga diskutimet:

Vasjari: Ajo që mendoj se është esencialisht problematike sot është se Shqipëria për herë të parë ka goditur në mënyrë shumë të rëndë të drejtën e zgjedhjeve. E dyta, Shqipëria sot është ndoshta i vetmi vend në botë, që iu mungon gjykata e ligjeve, Gjykata Kushtetuese, dhe kjo nuk mund të jetë alibi për opozitën, presidentin, askënd.

Gjergji Vurmo: Pikërisht për faktin se Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, do duhej të ishin politikanët më të përgjegjshëm. Këtë përgjegjësi nuk e kemi parë thuajse në asnjë moment tek aktorët politikë. Mazhoranca do duhej të ndryshonte tërësisht qasjen ndaj ligjbërjes, duke u bërë më e përgjegjshme në Parlament, pasi nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Një ligj i miratuar nga Parlamenti është miratuar për një gjysmë dite. Ndërkohë, që në cdo demokraci normale, të konsolodiuar, minimalisht janë procese të shqyrtimit parlamentar që zgjasin 2-3 muaj.

Mesatarja jonë në pesë vitet e fundit është një gjysmë dite për një projektligj, që ka miratuar Parlamenti. Sa i takon opozitës, doli nga Parlamenti, pasi e cilësoi rolin e saj si fasadë, nëse qëndronte aty. Ne kemi disa ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe janë miratuar falë edhe aktit të opozitës, që la institucionet dhe Parlamentin. Janë këto situata që do duhet të na bënin më të përgjegjshëm. Akoma më shumë më frikëson trimëria që kanë marrë aktorët politikë në trajtimin e proceseve demokratike.

Vasjari: Ne nuk mundet kurrë të legjitimojmë një sjellje politike që ka bërë opozita. Nëse në faktin që kemi një mazhorancë arrogante, ne të legjitimonim aktin e opozitës, do ishim pjesëmarrës në një krim demokratik. Asnjë zë publik nuk duhet të legjitimojë kurrë një veprim të tillë.