Vuçiç dhe Zaev në Tiranë, axhenda e samitit për Shengenin Ballkanik

435
Sigal

Kanë mbërritur në Tiranë presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev në kuadër të Samitit të tretë të Shengenit Ballkanik i cili do të jetë dy ditë, në kryeqytet dhe Durrës.

Ata janë pritur nga kryeministri Edi Rama në një takim informal në ambientet e hotel “Rogner”. Vuçiç, Zaev dhe Rama pas takimit informal do të marrin pjesë në eventin e bamirësisë ‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’, për mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Samiti do të nisë nesër në orën 10:00 ndërsa mësohet se tre liderat do të inspektojnë edhe zona të prekura nga tërmeti në Durrës. Samitit i bashkohet nesër edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Kosova do të mungojë sërish në këtë takim.

Presidenti Hashim Thaci i është përgjigjur negativisht ftesës së Edi Ramës. Vucic është pritur në Tiranë me protesta nga lëvizja Vetëvendosje. Ata e cilësojnë presidentin serb si ‘kriminel lufte’. Konferenca e përbashkët për shtyp do të zhvillohet nesër në orën 12:00. Ky është takimi i tretë i këtij samiti. I pari u zhvillua në Novisad të Serbisë ndërsa i dyti në Ohër të Maqedonisë së Veriut.