Vrasja në Elbasan, Vasili: Prokuroria dhe SPAK të kapur politikisht, vegla të Rilindjes

233
Sigal

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku thotë se qytetarët po pyesin për qëndrimin e Prokurorisë, që doli partiake. Në Elbasan humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, përfshirë edhe një efektive policie, dhe për Vasilin ishte një ishte ngjarje e paralajmëruar kohë më parë.

Sipas tij, prokuroria e rrethit të Elbasanit është e kapur politikisht dhe ka mbajtur qëndrim të njëanshëm dhe në mbështetje të Rilindjes, për shkak se vëllai i prokurorit të këtij qarku kandidon për deputet të PS në Elbasan.

“Partia Demokratike ka denoncuar fakte të rënda që më 7 prill, lidhur me këtë veprimtari kriminale, segmentet që lidhen me të dhe që krijonin një situatë të patolerueshme e kritike. Dhe ju konstatoni, dokumentet janë origjinale që ky denoncim u mbajt për gati dy javë në vend që të ngrihej në këmbë brenda 24 orëve e të merrte situatën në dorë. Dhe në datën 19, pra afro dy javë më vonë, po ky kryeprokuror Kreshnik Ajazi, siç e shikoni letrën, kërkon dhe çon letër thirrje pra që të dëgjohej PD për këto çështje kaq madhore që ishte një situatë shpërthyese”.

Ai akuzoi SPAK dhe Prokurorinë si vegla të Rilindjes, përsa i përket thirrjes në prokurori të Partisë Demokratike për këtë çështje më 30 prill kur edhe zgjedhjet kanë përfunduar dhe theksoi se theksoi se janë shkaktarë dhe përgjegjës për ngjarjen e Elbasanit.

Deklarata e plotë

Ngjarja tepër e rëndë e Elbasanit, ku u humbën dhe jetë njerëzish dhe u plagosën mjaft të tjerë, ishte absolutisht një ngjarje e paralajmëruar kohë më parë. Pasi Prokuroria e këtij rrethi, e kapur politikisht ishte e prirur dhe me mision të përcaktuar, për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm, selektiv, ndaj mbështetësve dhe anëtarëve të opozitës shqiptare dhe të mos kishte në asnjë moment si mision të saj një qëndrim të paanshëm, që të ndihmonte zgjedhjet.

Në ndihmë të ngjarjeve të ndodhura, po ju risjell në vëmendje, ju dhe të gjithë opinionit publik, që që më 10 mars, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i ka i tërhequr vëmendjen për veprime të menjëhershme që duheshin marrë në këtë prokurori, pasi drejtuesi i saj Kreshnik Ajazi, ishte vëllai i një prej kandidatëve të Rilindjes në qarkun e Elbasanit. Dhe dukshëm veprimet dhe mosveprimet lidheshin me një anshmëri të drejtpërdrejtë dhe konkrete. Pra një prokurori e tillë qartësisht partiake, nuk mundi të përballonte situatën në Elbasan, por përkundrazi do të ndihmonte në përkeqësimin e saj.

Ngjarjet që rrodhën treguan më së miri se ky mision i kësaj prokurorie ishte pikërisht në drejtim të mbështetjes së Rilindjes. Ju shikoni fakte të tjera që vijnë më pas, ku Partia Demokratike ka denoncuar fakte të rënda që më 7 prill, lidhur me këtë veprimtari kriminale, segmentet që lidhen me të dhe që krijonin një situatë të patolerueshme e kritike. Dhe ju konstatoni, dokumentet janë origjinale që ky denoncim u mbajt për gati dy javë në vend që të ngrihej në këmbë brenda 24 orëve e të merrte situatën në dorë. Dhe në datën 19, pra afro dy javë më vonë, po ky kryeprokuror Kreshnik Ajazi, siç e shikoni letrën, kërkon dhe çon letër thirrje pra që të dëgjohej PD për këto çështje kaq madhore që ishte një situatë shpërthyese. Dhe do të dëgjohej në datën 30 prill.

Të nderuar qytetarë fiksojeni mirë këtë datë. Pra do të pyeteshin në 30 prill kur zgjedhjet mbaheshin në 25 prill. Dhe qytetari më i fundit i Shqipërisë do pyeste. Po ç’është kjo prokurori. Ç’është ky SPAK? Që një situatë kritike që nuk pret, shpërthyese, ashtu siç rezultoi në të vërtetë, nuk vuri ujin në zjarr por shkoi me idenë t’u lihet hapësirë bandave të rilindjes në Elbasan. E në këtë mënyrë dhe gjetkë nëpër territor sepse do të vazhdonin  të bënin ç’të donin të pandëshkuar.

Këto veprime dhe mos veprime janë kaq të rënda dhe kaq të qarta sa dhe qytetari më i fundit e ka kuptuar, që këto institucione janë tërësisht të kapura nga Rilindja dhe ka vetëm një shkaktar, një fajtor, një përgjegjës për ngjarjen e Elbasanit dhe për pasojat e rënda që ajo solli. Dhe kjo është vetëm e vetëm Rilindja dhe sigurisht dhe zorrat qorre të saj që janë SPAK e Prokurori të kapura të cilat mbyllin  sytë, lidhin duart, në mënyre që ti japin hapësirë Rilindjes.

Është shumë e qartë që kjo situatë e patolerueshme duhet të jetë patjetër në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve pasi në 25 prill kemi të vetmen dhe mundësinë madhore për të kthyer drejtësinë, që ajo të jetë e paanshme, e barabartë për të gjithë, e asnjë partie. Pra një drejtësi që funksionon vetëm e vetëm në funksion e në të mirën e qytetarëve dhe të publikut të gjerë. Këto fakte tronditëse tregojnë qartazi që inkriminimi i vetë drejtësisë të urdhëruar e të komanduar nga Rilindja është nga më të rëndit.

Fiksojeni të nderuar qytetarë. Kanë kërkuar që të pyeten për krimin zgjedhor dhe për zgjedhjet e 25 prillit, do të pyeteshin në 30 prill. Kur zgjedhjet kishin mbaruar me kohë. Kjo situatë duhet të bëjë që të jemi të gjithë sy çelur dhe të mos tolerojmë asnjë gram, lidhur me atë drejtësi të cilën na takon të gjithëve e nuk mund të na e marrë as Rilindja e askush tjetër.