Votohet vetingu, replika Rama-Blushi

265
Nis nga zbatimi reforma në drejtësi, ndërsa ndryshon drejtimi i KQZ-së. Çfarë ndodhi në seancën, ku nuk mungoi humori
Parlamenti votoi për ngritjen e komisioneve parlamentare të vetingut, duke plotësuar vendet bosh që i takonin opozitës. Me plotësimin e këtyre vendeve, nis zbatimi i reformës në drejtësi dhe tashmë deputetët do të seleksionojnë kandidaturat e përzgjedhura për të bërë pjesë në strukturat e vetingut. Pas miratimit final, ata do të jenë njerëzit, të cilët do të realizojnë rivlerësimin kalimtar të figurës së prokurorëve e gjyqtarëve. Plotësimi i këtyre strukturave i hap rrugën edhe ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të parashikuara me ndryshimet kushtetuese të vitit të shkuara dhe në ligjet e posaçme.

Pas marrëveshjes Rama-Basha, deputetët u mblodhën mbrëmjen e djeshme për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme dhe në tavolinë ishte Kodi Zgjedhor dhe vetingu. Mes palëve ishte rënë dakord për gjithçka dhe nuk parashikohej diskutim. Por ai që “prishi” qetësinë e seancës ishte kreu i LIBRA-s, Ben Blushi. Ai mori fjalën dhe hodhi akuza ndaj Partisë Demokratike dhe ndaj kryeministrit Rama. Blsushi tha se me këtë marrëveshje ata po qeverisin bashkë dhe marrëveshja, sipas tij, është kundër reformës në drejtësi. Ben Blushi zgjodhi disa vargje të Fan Nolit për të mbyllur fjalën e tij. “Çohuni, katundarë e punëtorë që nga Shkodra e gjer në Vlorë”, citoi ai.

Replika e kryeministrit Rama nisi e frymëzuar pikërisht nga këto vargje. “Fan Noli do të rrotullohej në varr, bashkë me katundarët e punëtorët, se nuk e di se kush është ai katundar e punëtor që voton Ben Blushin”, nisi fjalën e tij kryeministri. Më pas, Rama replikoi me Astrit Patozin në lidhje me akuzat për veshjen e tij. “Sa për veshjen time Patoz, në fillim e përqeshin, pastaj e diskutojnë dhe në fund bëhet modë”, i tha kryeministri, që më pas iu rikthye replikës me Blushin. “Nuk është bërë një ndryshim në Qeveri për të ndarë tepsinë. Ministrat që u votuan nuk kanë ardhur në Qeveri për të përfaqësuar PD-në, por për të garantuar opozitën si ministra teknikë në mbrojtje të zgjedhjeve. Pra edhe sikur PD të mos hynte në zgjedhje kishte dalë një urdhër më përpara për ndalimin e të gjithë shpenzimeve dhe të gjitha procedurave të reja në të gjithë kohën e fushatës. Edhe pa PD në zgjedhje, qeveria deri më 25 qershor do të ishte thjeshtë një administratore e të përditshmes, ose e asaj që mund ta quajmë rutina e mekanizmit shtetëror”, tha Rama. Sipas tij, “drejtorët nuk do të zëvendësojnë drejtorët e mëparshëm, as për emërime, as për tenderë dhe as për të prekur, qoftë edhe një petë të byrekut të tepsisë që ti e sheh nga larg dhe sa më larg ikën, aq më shumë të shtohet oreksi”.

Replikë ndaj Blushit bëri edhe Edi Paloka. Kreu i grupit parlamentar demokrat e nisi fjalën e tij me një vërejtje ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, që sipas Palokës nuk duhej të jepte fjalën për asnjë deputet, por thjesht të votohej me rendin e seancës së jashtëzakonshme. “Na vjen këtu si i virgjër! Ka nja 20 vjet në Parlament me votat e Partisë Socialiste dhe tani na hiqet si i virgjër dhe flet se çfarë arriti çadra. Kështu që nuk duhej të diskutohej, sepse nuk jemi në këtë seancë serioze, as të dëgjojmë të shesin virgjëri dhe as të dëgjojmë kryeministrin që flet për trendin e veshjeve”, tha Paloka.

Më pas deputetët votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ngritjen e organeve të vetingut. U votua edhe për zgjedhjen e Klement Zgurit si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Bibës si anëtar i thjeshtë dhe Erinda Ballancës si Avokate e Popullit.