Votimet në Shqipëru, drama që mban peng shqiptarët

551
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kjo është një qeveri e pabesisë dhe e megalomanëve

Forum në “Telegraf”: Gazetarët Enkel Demi, Basir Çollaku, Aleksandër Çipa dhe skenografi Bashkim Zahaj shprehen për Teatrin Kombëtar, reformat dhe integrimin dhe Botërorin Rusia 2018

Gazetarët Enkel Demi, Basir Çollaku, Aleksandër Çipa dhe skenografi Bashkim Zahaj shprehin në forumin e gazetës “Telegraf” opinionet e tyre për aktualitetin politik, me tematikë, konfliktin e bashkisë dhe të qeverisë me komunitetin e artistëve, për projektligjin, ku edhe televizionet private do të financohen nga taksapaguesit shqiptarë, për negociatat, për reformat e integrimit, për reformën zgjedhore dhe për Botërorin RUSI 2018.

Enkel Demi Qeveria me para publike kërkon të blejë pavarësinë editoriale të televizioneve private

– Si e gjykoni projektligjin e qeverisë për t’i dhënë një firme të përcaktuar që në ligj koncesionin e ndërtimit të kullave duke gremisur Teatrin Kombëtar?

– Nëse para do vjetësh thoshte që nuk do të ketë kulla në qendër, ja tek ndërmerr këtë hap. Tha që do të bëjmë një kullëz tek stadiumi dhe ka ngritur kullën më të lartë në Tiranë, duke e kthyer projektin e stadiumit kombëtar më shumë se qesharak. Sot, ka paracaktuar fatin jo të Teatrit Kombëtar, por të qendrës së Tiranës. Prandaj, protesta e artistëve është e dorës së parë, sepse në radhë të parë mbron qytetin. Në radhë të dytë, me atë shpirt patetik kjo protestë ka shumë gjasa ta hedhë këtë qeveri megalomanësh.

Pse duhet që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë digjitalizimin e televizioneve private, derisa ato janë biznes privat në dëm të televizionit publik?

– Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Është shpikje e komercialëve, e cila po mbështetet nga qeveria, e cila ka vetëm një interes që me këto para të blejë pavarësinë e tyre editoriale. Më thuaj një media që do të marrë nga paratë publike miliona euro në vit, si mund të dalë kundër qeverisë? Po vendoset një sistem autokratik, duke blerë mediat me paratë e publikut, popullit. Pra, edhe një kundërshtar i qeverisë, i bie të paguajë nga xhepi i tij që kjo qeveri të jetë e përjetshme.

– Kur shtetet e BE si Gjermania Holanda Franca etj., i kërkojnë Shqipërisë të thellojnë reformat e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për kë bien këto kambana?

– Për ata që janë në pushtet. Opozita ka çelësat e kashtës në dorë. Ka një dhe vetëm një përgjegjës, nëse punët e integrimit shkojnë mirë apo keq. Ajo është qeveria e Edi Ramës, i cili e donte të gjithë tepsinë për vete.

– Si e shikoni Botërorin ‘Rusia 2018’ dhe cila kombëtare mund të jetë kampion?

– Është një festë e madhe që pse jo na bën të harrojmë për pak edhe hallet tona. Kam një dëshirë të zbehtë ta fitojë Anglia, por kështu si po shkojnë punët është e paparashikueshme.

Basir Çollaku Krimi dhe korrupsioni janë qeveritarët tanë

– Kur shtetet e BE si Gjermania Holanda Franca etj i kërkojnë Shqipërisë të thellojnë reformat e Luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për kë bien këto kambana?

– Ky është një sinjal i qartë se evropianët janë informuar për të vërtetat që ndodhin në Shqipëri. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dominues dhe sipas raporteve ndërkombëtare të përhapura në të gjitha fushat. Fatkeqësisht krimi dhe korrupsioni janë qeveritarët tanë të cilët ne si qytetarë nuk i kemi votuar. Gjermanët kryesisht por dhe francezët, holandezët dhe të tjerë vende nuk e pranojnë dot faktin e mbrojtjes që mazhoranca i ka bërë Sajmir Tahirit, të akuzuar zyrtarisht si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. As faktin që ministri pasardhës ka një vëlla të dënuar në Itali si trafikant heroine në një organizatë ndërkombëtare. Po mbase qeveria jonë justifikohet se shitësit e tufave të majdanozit janë ndëshkuar rreptësisht. Qeveria vetëm po manipulon dhe nuk ka dëshmuar se qortimet e partnerëve kanë zënë vend.

– Si e gjykoni projektligjin e qeverisë për të dhënë një firme të përcaktuar që në ligj koncesionin e ndërtimit të kullave duke gremisur Teatrin Kombëtar?

– Kjo është vjedhje që kalon përrallat dhe kapërcen diktaturat. Grabitet prona publike 10 metër larg zyrës së ministrit të Brendshëm dhe teatri qeveritar kanos këdo që është kundër kësaj maskarade. Mos u habisni. Nëse këta mund të bëjnë një ligj që ne të dalim me orar shtetëror nga banesat, sepse kështu do Rama, largqoftë sikur të na thonë se do shurrosim me autorizim, apo tollon. Ngjan si sarkazëm, por në diktaturë kanë ndodhur dhe ne po rikthehemi në atë sistem. Thjesht janë fëmijët e diktatorëve të komunizmit që po ribëhen diktatorë të rinj. Ky projektligj është antikushtetues dhe hartuesit e zbatuesit e saj duhen ndëshkuar. Por fatkeqësisht duhet të ketë prokurori e cila aktualisht është departament i PS dhe jo institucion i pavarur. Njëkohësisht kjo ndodh edhe për të shmangur vëmendjen nga falja e miliardave rezervave hidrokarbure të detit shokëve grekë, apo skandalet me naftën shqiptare që u jepet kompanive ruse miqve të Putinit. Dhe kjo nuk është shaka. Ndaj penalisht duhen ndjekur kryeministri, kryebashkiaku dhe disa ministra, përfshirë në këtë mega vjedhje.

– A mund të quhet Reformë zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor dhe pa depolitizuar Administratën Zgjedhore?

– Zgjedhjet parlamentare janë drama e pazgjidhur shqiptare. Nëse nuk ndryshon formula aktuale, nëse kryetarët e partive emërojnë e zgjedhin përfaqësuesit të cilët teorikisht duhen votuar, atëherë vota ka vdekur. Telashet me administratën zgjedhore, me politizimin tmerrues të procesit i bëjnë zgjedhjet në Shqipëri një luftë bandash më tepër se një garë elektorale, ku qytetarët zgjedhin një alternativë për të përmirësuar jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Rekomandimet e OSCE ODHIR janë një tenis, ku edhe ndërkombëtarët janë bërë shqiptarë harraqë e qokaxhinj. Raportet e tyre anemike sikur shkruhen nga qeveritarët shqiptarë…

– Si e shikoni Botërorin Rusia 2018 dhe cila kombëtare mund të dalë kampion?

– Botërori është një limonadë interesante në këto mot të çrregullt si politik edhe atmosferik. Por së paku krijon një episod relaksi. Ekipet e mëdha kanë zhgënjyer jo pak. Gjermania më së shumti, por edhe Argjentina, Brazili, ku diçka më mirë kanë qenë Franca dhe Anglia, si dhe ekipe surprizuese të paparashikuara. Por ndeshjet e turit të dytë dhe tretë do sjellin mendoj tjetër panoramë pretendimesh. Unë jam tifoz gjerman dhe besoj se pavarësisht shkujdesjes së ndeshjes me Meksikën ky ekip është ndër pretendentët kryesor. Them se do ngjasë një finale Gjermani-Brazil. Aty unë do preferoja sërish gjermanët kampionë, por parashikimet nuk janë ligjësi në futboll. Nëse skedinat e kompanive globale nuk e kanë caktuar fituesin them se sërish një nga të mëdhenjtë do jetë fitues i kupës.

Aleksandër Çipa: Projektligji fsheh disa aspekte, të cilat shumëfishojnë dyshimet për korrupsion dhe përfitim

Ku qëndron thelbi i konfliktit Qeveri, Bashki e Tiranës me artistët për Teatrin Kombëtar?

– Nuk është konflikt kaq miks, është thjesht një rikthim i një plani të kahershëm të kryeministrit Rama për ta tjetërsuar arkitekturën dhe zonën urbane, ku përfshihet edhe mjedisi i bollshëm i dy teatrove kombëtare, përkatësisht Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental Kombëtar “Kujtim Spahivogli”. Në këtë ambicie të tij janë përfshirë edhe grupe interesi dhe janë ndarë role, edhe mes ministres së Kulturës, edhe me Kryetarin e Bashkisë. Por kjo është një llogari e gabuar dhe me kosto. Tashmë gabimi i fillimit është mavijosur dhe ka marrë përmasat e një përballjeje qeverisës-publik. Në ditët e ardhme parashikoj se kjo përballje do të ketë përshkallëzim të pashmangshëm. Ka fare pak kohë qeveria ta tërheqë projektligjin absurd dhe vetëvrasës në planin politik. Baladyr shprehet diku se “ushtrimi i pushtetit le gjurmë”. Kjo do të thotë që kohëgjatësia në qeverisje është përherë një fragment kohe. Ndërsa e drejta e publikut është triumf i pashmangshëm dhe sfidant për çdokënd që, sipas Baladyr nga pozita e të qenit në “pushtet, të mos harrojë se ky, “(pra pushteti) shkakton marramendje”. Projekti i qeverisë për ndryshimin e zonës urbane dhe arkitekturës nuk është paraprirë nga transparenca dhe sidomos ndershmëria sqaruese qysh në fillim. Ky projekt duhet ndarë dhe nuk duhet të cenojë asnjë metër nga sipërfaqet e administruara nda dy teatrot kombëtare. Projekti është i paragjykuar plotësisht tashmë edhe sikur në mendjen e ideuesve dhe ortakëve të projektuar, të jetë konceptuar në mënyrën më ideale. Çdo qeveri i humbet betejat që e konfliktojnë me publikun. Këto ditë, refuzimi i artistëve dhe zërave të shumtë nga publiku, ky ballafaqim po ngrihet dhe si i tillë shumicën në qeverisje po e vendos në pozitë më të vështirë nga sa e ka menduar. Thelbi i këtij konflikti lidhet me betejën klasike që zhvillohet mes publikes dhe privates së dyshuar, si e aferueshme shpesh.

– Si e gjykoni projektligjin e qeverisë për të dhënë një firme të përcaktuar që në ligj koncesionin e ndërtimit të kullave duke gremisur Teatrin Kombëtar?

– Projektligji ka disa precedentë të rrezikshëm. Ka shumë juristë që janë shprehur gjatë këtyre ditëve për nonsense juridike të tij dhe për cenimin e barazisë përfshirëse në një sipërmarrje apo projekt publik. Por në arsyetimin tim projektligji fsheh disa aspekte të cilat shumëfishojnë dyshimet për korrupsion dhe përfitim prej sipërfaqeve të ndërtimit dhe shmangieve nga e vërteta pronësore e tyre. Do të doja që gjithë të përfshirëve në këtë diskutim të mos shprehen “Teatri Kombëtar”, por për korrektesë të shtojnë dy teatrot kombëtare, pasi kjo është e lidhur edhe me atributet e veçanta administruese që ka siecili prej dy institucioneve. Projektligji duhet rrëzuar kategorikisht dhe versioni që mund ta zëvendësojë atë të saktësojë ndarjen e sipërfaqeve të të dy teatrove kombëtare me gjithë mjediset përreth dhe brenda tyre, nga çdo projekt apo sipërmarrje private. Pas kësaj ndarjeje të mund të flitet për projekt të vetëm ndërtues, apo rikonstruktues për dy teatrot kombëtare.

A mendoni se mazhoranca ka vullnet për Reformë në drejtësi, apo kërkon të kapë drejtësinë?

– Mazhoranca ka detyrimin e imponuar për reformën në drejtësi. Mjafton të vëresh se sa vonesa dhe pengesa ka në rrugë e sipër zbatimi i kësaj reforme, për ta lexuar qartazi bashkëpërkimin e vullneteve penguese dhe vonuese për reformën dhe institucionet e reja të drejtësisë. Tendencat për çdo kapje janë të destinuara të mos kenë jetëgjatësi nga kushdo, si nga ai që qeveris, ashtu edhe nga tjetërkush, që projektohet për qeverisës i ardhshëm.

– Mendoni se mazhoranca i ka kryer detyrat e integrimit për hapjen e negociatave?

– Natyrisht jo. Por detyrat e integrimit nuk janë detyra vetëm të mazhorancës. Integrimi është destinacion i vendit, shoqërisë, por më së pari shumicës që qeveris, opozitës dhe krejt institucioneve. Mungesa e përgjegjësisë, përgjegjshmërisë dhe pamja kritike e një unitariteti të munguar institucional, janë arsyet dhe e pakryera jonë në funksion të integrimit si anëtar të BE. Unë mendoj se do të hapen negociatat, por me disa kushtëzime

Bashkim Zahaj: Intelektualët dhe profesionistët janë të ngjyrosur, bëjnë atë që u thotë shefi

Çështja e Teatrit Kombëtar është i rëndësishëm problemi juridik i kësaj çështje. Nëse do të bashkoheshim me propozimin që është bërë, të gjithë këtë sipërfaqe, hajt ta bëjmë për artin dhe kulturën. Nëse do të dali ky propozim, askush nuk do ta pranojë nga qeveria, apo bashkia, sepse ju ikën nga dora tepsia që ato kanë. Nëse ju qan dora, na ndërtoni të gjithë sipërfaqe për artin dhe kulturën. Nuk është kështu, pasi në këtë sipërfaqe abuzohet. Sot intelektualët dhe profesionistët janë të ngjyrosur. Kjo do të thotë se pushtetin e marrin profesionistë të ngjyrosur. Përderisa ai është i ngjyrosur, bën atë se çfarë do t’i thotë shefi. Ai nuk flet me shkollë, flet me rrogën dhe vendin e punës. Është me të vërtetë për të ardhur keq që të ngrihemi për të mbrojtur atë që është ndër shekuj e mbrojtur. Nuk duhet të ndalësh sot dhe të arsyetosh pse do të mbrojmë ‘Klanë e Krujës’, apo ‘Lidhjen e Prizrenit. Pa diskutim që Teatri nuk duhet të shembet. Këtë e kuptojnë dhe këta që duan ta shkatërrojnë. Kam qenë po kaq i shqetësuar kur donin që të prishnin Piramidën, apo kur ngritën një bunkier i cili është ‘non sence’ pasi është artificial. Këto bëhen ‘non sence’, pasi nuk ka specialist. Prezantimi i projektit të ri për Teatrin ishte një shfaqje e dalë boje ajo e prezantimit të projektit të ri, i cili doli që ishte i vjedhur. Ky ekip në bashki, apo kryeministri, si nuk i thanë atyre që kjo është kopje?! Të isha unë do ndihmoja, por jo doli, sepse janë injorantë dhe nuk kanë profesionistë aty rrotull.