Votat do të numërohen nga nëpunësit e shtetit

656
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Kristaq Kume/ Ish-kreu i KQZ-së analizon situatën kaotike dhe pse partitë e mëdha e kanë monopolizuar sistemin zgjedhor. Me ndryshimet e propozuara, PS-ja merr në dorë Administrtën Zgjedhore, pasi komisionet e votimit dhe grupet e numërimit do të caktohen nga nëpunësit civilë

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh një anë të errët të ndryshimeve që PS-ja do të bëjë në reformën e re zgjedhore. Prof. Kume pohon se PS-ja nën pretendimin se zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR për depolitizimin e komisioneve të numërimit të votave, kërkon që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet me ligj, që numëruesit e votave të jenë nëpunësit e shtetit, domethënë ata që Partia –Shtet i punëson! Prof. Kume thotë, gjithashtu, se reformat zgjedhore i përgatitin PS dhe PD së bashku, sipas interesave të tyre partiake dhe nuk janë të interesuara, që reformat zgjedhore të kenë produkt zgjedhje të lira, as që elektorati me votë të shprehë vullnetin e vet.

-Prof. Kume, PS-ja përdor burimet e shtetit dhe filloi fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. KQZ-ja bëri një thirrje publike të ndalojë. A duhet të mjaftohet me konstatimin, shkelja e Kodit Zgjedhor?

Përdorimi i aseteve publike në shërbim të interesit politik në garën zgjedhore nga partitë politike është një fenomen i shpeshtë në proceset zgjedhore tek ne, është një fenomen i kritikuar për të cilin në mënyrë të veçantë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it kanë rekomanduar në vazhdimësi marrjen e masave për zvogëlimin sa më shumë të jetë e mundur të shfaqjeve të këtij fenomeni.
-Cilat janë këto burimet, asetet shtetërore që mund të përdoren për fushatë elektorale nga partitë politike?

Asetet që mund të përdoren fillojnë që nga makinat, pra karburanti dhe deri te punonjësit e administratës publike në nivel qendror ose lokal. Kushdo që ka marrëdhënie pune me shtetin është përdorur ose partitë politike synojnë që ta përdorin dhe shpesh ia arrijnë. Në rekomandimet e 3 raporteve të fundit të OSBE/ODIHR-it në mënyrë të përsëritur është kërkuar që të trajtohet ky problem në nivelin e ligjit, në kuptimin që të ndërtohen rregullat tilla që ta zvogëlojnë sa më shumë të jetë e mundur hapësirën për keqpërdorim. Janë shkruar në kodin zgjedhor dispozita që kanë synuar ta realizojnë këtë gjë. Por unë mendoj, se duhen dispozita ligjore, të cilat duhet të detyrojnë, të përcaktojnë detyra për KQZ-në dhe institucionet e tjera, për t’i monitoruar dhe parandaluar fenomene të tilla.
– Doni të pohoni, se KQZ-ja nuk ka më shumë kompetenca ligjore, sesa një apel publik ndaj partive politike, KUR SHKELIN Kodin Zgjedhor?

– Me atë çka është e shkruar sot në ligj, KQZ ka pak rol në parandalimin e këtij lloj fenomeni. Për mendimin tim, është e udhës që të vendosen të tilla dispozita, të cilat japin mundësi vepruese aktive KQZ-së, jo vetëm deklarative. Për shembull, të ketë të drejtën që të marrë masa ndaj subjekteve, të cilët abuzojnë në këtë drejtim.
– Cilat masa do të ishin më efikase?

Masat fillojnë që nga gjobat që mund të bëhen deri në kufizimet të të drejtës për të marrë pjesë në një proces zgjedhor në subjektin përkatës dhe këtu kam parasysh faktin që e gjitha duhet ndërtuar në mënyrë harmonike, të harmonizuar me të gjithë sjelljet e tjera që bien në kundërshtim me ligjin dhe këtu kam parasysh mënyrën se si zhvillon fushatën elektorale, nga i gjejnë paratë dhe si i deklarojnë paratë e kështu me radhë dhe deri tek keqpërdorimi i administratës zgjedhore.


– Konkretisht Kryeministri ka krijuar fushatën elektorale me siglën “Bashkia për ju”. Është e jashtëligjshme?

– Kjo gjë për mendimin tim është në kundërshtim total me ligjin zgjedhor, i cili e ka të përcaktuar se kur duhet të fillojë fushata zgjedhore

– Ju thoni që ligji nuk e lejon, por edhe nuk e ndalon. Si ta kuptojmë këtë ligj?

– Ligji zgjedhor nuk ka të përcaktuar detyrime, penalizime për ata të cilët zhvillojnë një aktivitet që në përmbajtjen e tij është aktivitet elektoral, në formë nuk konsiderohet si i tillë nga partitë politike përkatëse. Gjë që do të thotë që për mua është shumë e vështirë t’i kërkojmë ligjvënësit shqiptar të ndërtojë një kuadër ligjor, i cili ta ndalojë një gjë të tillë, kështu si ajo praktikisht bëhet.

 – A nuk duhet të jetë subjekt i reformës së re zgjedhore pikërisht pikërisht kjo çështje?

– Jo, kjo është e shkruar. Në atë çka është përgatitur, është shkruar se kur duhet të fillojë fushata zgjedhore. Por, fakti që fushata fillon menjëherë, pasi Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve, kjo ka të bëjë më një qasje, me një kulturë që kanë forcat politike tek ne por jo vetë, edhe ne si qytetarë. Ndaj procesit zgjedhor zor se mund të parandalohet me ligj për mendimin tim, pra s’ke të drejtë të bësh takime me elektoratin siç janë duke u bërë tani me qytetarët me siglën “Bashkia që duam”, sepse në fakt kjo është fushatë elektorale.

– Që këtu shikojmë që subjektet elektorale në zgjedhjet përkatëse nuk kanë barazi?

– Ajo që për mua ka shumë rëndësi është, se kur është përcaktuar me ligj se dita që fillon fushata elektorale. Gjithçka duhet bërë pastaj në funksion të monitorimit të sjelljes së partive politike në kundërshtim me atë që thotë ligji zgjedhor, i cili thotë që nuk duhet të përdorësh asetet publike. Ligji zgjedhor duhet të plotësohet në atë se kush do ta kontrollojë dhe se çfarë do të bëjë, në qoftë se abuzohet me asetet publike në funksion të fushatës zgjedhore, gjë që nuk e ka të zgjidhur mirë për mendimin tim e kështu me radhë. Ligji duhet të flasë për detyrimin e partive politike për të deklaruar se ku i gjejnë paratë dhe si i realizojnë këto procese në funksion të zgjedhjeve të radhës.

– Gati në të gjithat raportet e ndërkombëtare është përdorur që subjektet politike në zgjedhje përdorin burime financiare të pa justifikuara. KQZ sa herë në raportet e saj nuk ka vërejtur asnjëherë shkelje të ligjit për financimet e partive politike në zgjedhje. A monitorohen në të vërtetë shpenzimet financiare elektorale të subjekteve zgjedhore?

– Ka 2 momente. Partitë politike janë subjekte të cilat vazhdojnë aktivitetin e tyre gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në fushatat elektorale, pra jo vetëm në prag të zgjedhjeve. Gjë që do të thotë që pjesë e këtyre janë edhe takimet me qytetarë. Gjë që patjetër kërkon buxhet për t’u realizuar. E gjitha kjo duhet të jetë në syrin e dikujt për t’u kontrolluar dhe ligji për financimin e partive politike, i cili parashikon KQZ-në si institucionin që duhet të monitorojë shpenzimet e partive politike, që do të thotë edhe këto para nga vijnë dhe si shpenzohen. Por, praktikisht kjo nuk bëhet, sepse ligji ka mbetur deri në kaq. Deri në këtë nivel. E dyta, mos harrojmë që është një situatë jashtëzakonisht komplekse për sa kohë që edhe monitoruesi, KQZ-ja, në fund fare është produkt i partive politike. Edhe monitoruesi ka interesat e partive politike. Është parim mbi përfaqësimin dhe balancimin politik të tij. Pra ajo që është e rëndësishme nuk është vetëm që të konstatojmë, por edhe duhet të veprojmë. E këtë e kanë kërkuar duke iu referuar përvojave në fushatat zgjedhore edhe vëzhguesit ndërkombëtar, të cilët kanë këmbëngulur për ndryshimet që duhen bërë, rregullimet që duhen bërë në kodin zgjedhor dhe në ligjin për financimin e partive politike, për të zvogëluar në maksimumet e mundshme paranë e pistë që ndikon pastaj në sjelljen e partive politike.

– Sa herë bëjmë ndryshime në reformën zgjedhore, vallë bëjnë atë që duhet apo atë që iu intereson partive politike?

– Ndryshimet që vendosen dhe Reforma zgjedhore të bëra deri sot kanë treguar se, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, ata që kanë të drejtën dhe mundësinë për ta realizuar ndryshimin e kodit zgjedhor dhe që janë dy partitë kryesore politike, PD dhe PS, gjithçka e kanë bërë në analizë të fundit në interes dhe në funksion të politik të tyre, të gjitha reformat kanë qenë reforma bipartizane, të gjitha reformat kanë pasur si produkt të tyre krijimin e një ndërhyrjeje ligjore në të cilën roli i partive politike në administrimin e procesit zgjedhor të jetë shumë i rëndësishëm. Le të marrim një shembull shumë domethënës, duke filluar që nga 2003 deri në 2005 në raporte të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIR këmbëngulet shprehinisht në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën fjali ,ashtu sikurse edhe në opinionet e shprehura në Komisionin e Venecias fakti, që partitë politike në Shqipëri duhet të heqin dorë nga e drejta që i kanë njohur vetes tyre për të larguar nga Komisionet Zgjedhore, kur duan ato dhe kë të duan pa dhënë asnjë shpjegim. Asnjëherë nuk është marrë parasysh ky rekomandim, asnjëherë pra edhe kaq nuk kanë pranuar të bëjnë e jo më pastaj të heqin dorë nga administrimi i procesit si i tillë edhe ç’ka është deklaruar deri sot që ka filluar të bëhet edhe është e shkruar edhe në draftin të përgatitur nga specialistët në kuadër të punës që po bën për reformimin e kodit zgjedhor tashmë. Në vlerësimin tim, është pothuajse në thelb e njëjta sjellje. Në Kodin e Praktikave të Mira në procese zgjedhore rekomandohet që: Administrata Zgjedhore duhet të ndërtohet në të gjithë piramidën e saj sipas të njëjtit parim. Të deklaruara se janë duke zbatuar rekomandimin e dhënë në mënyrë të përsëritur për ndryshimin e parimit të Administratës Zgjedhore për të kaluar në një Administratë, jo të ndërtuar si pas propozimit të partive politike, në draft është thënë se gjithçka do ndryshojë, por jo KQZ-ja. Pra, bie në kundërshtim menjëherë me Kodin e Praktikave të Mira, KQZ-ja do vazhdojë të ndërtohet si një institucion, sipas po të njëjtat rregulla që janë ato të përfaqësimit politik. Po ashtu komisionet e nivelit të dytë, propozimi nuk ka bërë gjë tjetër përveçse se ka spostuar kohën se kur duhen të trajnohen komisionerët sipas këtij drafti, komisionerët duhen të trajnohen dhe pastaj midis të trajnuarve do të zgjidhen, por do të zgjidhen vetëm me propozimet e partive politike si pas po të njëjtën formulë që ka kodi aktual zgjedhor. Ndryshim është menduar të bëhet është propozuar të bëhet në komisionet e qendrave të votimeve në grupet e numërimeve, ku s’kanë punë partitë politike në kuptim direkt të fjalës, por po ta lexosh me kujdes dhe aty vëren se është vepruar në mënyrë të tillë që, i gjithë ky propozim i nxitur dhe i shkruar, (nuk e besoj se do të pranohet dhe të realizohet nga opozita), parapëlqehen në ligj, në kod, që nëpunësit civilë të jenë anëtarët e Administratës Zgjedhore, si numëruesit e votave. Pra nuk kemi as sot e kësaj dite asnjë lloj reagimi shpresëdhënës për atë se do të kemi nesër një administrim të procesit zgjedhor larg mundësive të drejtave që i kanë njohur partitë politike vetes tyre dhe veçanërisht dy partitë kryesore politike vetes tyre për të qenë ato aktore kryesore të realizimit të këtij procesi administrimi. Mënyra se si është shkruar deri sot rregullimi i gjithë këtij aspekti i procesit zgjedhor në reformën e re zgjedhore, as më shumë e as më pak, është vetëm në funksion të interesit të partive politike, PS dhe PS, që kanë shumicën e kartonëve në parlament.

– Pse opozita nuk kërkon këtë që thoni ju, për reformën zgjedhore, por mjafton dhe thotë që duam qeveri pa këtë kryeministër për zgjedhje të lira. Si e kuptoni këtë, kemi të bëjmë me thjesht çështje ligjore, atëherë pse ata kalojnë në çështje politike dhe pastaj pajtohen me këto që bëhen?

– Ky ligj është kështu siç është, ky kod zgjedhor është kështu siç është, nuk është se i prish na një punë të madhe opozitës, ose partisë kryesore të opozitës ka treguar se, në fund të fundit, është produkt i përbashkët i PD dhe i PS. ajo që kërkon opozita në kuadër të këtij procesi reformues të kodit zgjedhor, që është duke u zhvilluar, ka të bëjë jo më tashmë me kodin vet, por me legjislacionin me përgjithësi, pra edhe një pjesë të cilat legjislacioni ka lidhje me procesin zgjedhor për të parandaluar dekriminalizimin e zgjedhjeve. Këtu ka këmbëngulur opozita pas shtatorit n 2018 dhe, ndoshta kjo mund të jetë një ndër arsyet, pse deri tani është larguar nga ajo tavolinë e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ashtu sikurse mundet shumë mirë të konsiderohet e të jetë një alibi për të mos krijuar asnjë mundësi për ndryshime për kodin zgjedhor, sepse, në fund të fundit, po nuk u bënë ndryshimet ligji është ky dhe, siç thamë, nuk na prish shumë punë si i tillë, por mund të përdoret e gjitha kjo pastaj politikisht për të thënë çfarë është duke ndodhur në Shqipëri, çfarë është duke bërë mazhoranca në Shqipëri në funksion të një gjëje shumë më të madhe se sa rregullimi i ligjit zgjedhor, por në përgjithësi në mënyrën se si qeveriset vendi dhe mënyrën se si ajo është duke u sjellë ndaj detyrave që ka si mazhorancë. E lidhur kjo në një fenomen tjetër që vërtet është shumë sensitiv, fenomeni i përdorimit të parave të pista në proceset zgjedhore dhe shumë më tepër se sa përdorimi në përgjithësi e tyre, por blerja nëpërmjet tyre (parave të pista) e votës së shqiptarëve e bën shumë vërtet shumë komplekse gjendjen, sepse është një fenomen, i cili zor se mund të parandalohet ,vetëm dhe kryesisht duke bërë reformën zgjedhore, pra duke ndryshuar ligjin, zor se mund të parandalohet vetëm dhe duke forcuar penalitetet në kodin zgjedhor. Në radhë të parë kërkon që garuesit, pra partitë kryesore politike të kenë vullnetin për t’iu kundërvënë këtij fenomeni dhe më shumë se sa kaq, qytetari duhet të jetë ai që duhet t’i kundërvihet edhe mos ta pranojë këtë fenomen, e gjitha kjo duket si përrallë, për sa kohë që ky është populli, ky është niveli i zgjedhësve, është nivel i tillë ekonomik, i cili e detyron fatkeqësisht, e detyron shqiptarin që mos ta vlerësojë votën si instrument i tij për të ndërtuar një qeverisje sa më të mirë për veten e tij, por si një mall me të cilën mund të blejë diçka, pasi e shet atë.

-Ditët e fundit dhe vet zv. kryeministri Erion Braçe pranoi që ka vajtur në institucione shtetërore rajonale për të parë dosjet e nëpunësve me pretekste të ndryshme. Pyetja ime është, mos vallë zv. kryeministri përzgjedh njerëzit e përshtatshëm për fushatën zgjedhore?

Në draftin e shkruar për mënyrën se si do ndërtohen Komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit, i cili ka gjetur si zgjidhje ndërtimin e këtyre dy hallkave të rëndësishme të të Administratës Zgjedhore, jo më si pas parimit të përfaqësimit politik, por si rezultati i një gare të vetë ofrimit të qytetarëve për t’u bërë pjesë e administratës dhe marrjen e tyre përgjegjësive në të njëjtën kohë, kjo është në përputhje me atë ç’kanë rekomanduar ndërkombëtarët, por e shkruar në të, (edhe pse jo e shkruar me germa) se janë shumë më tepër të para[pëlqyer për t’u bërë numërues të votave në komisionet zgjedhore, nëpunësit civilë, kjo menjëherë të jep mundësinë partisë që ka pushtetin, të marrë njerëzit e vet që ka emëruar në administratën publike dhe t’i caktojë ata si numëruesit e votave. Kujtojmë para zgjedhjeve 2017 ku bëhej fjalë për ndryshime që duheshin bërë në kodin zgjedhor dhe, lidhur me këtë problem, u deklarua nga mashoranca se jemi gati t’i ndryshojmë komisionet të mos të ketë më komisione partiake, por të vëmë mësuesit, u kundërshtua fort nga opozita, është e njëjta gjë për mendimin tim. Me të thënë të drejtën, nuk e di se çfarë kompetencë ka zv.kryeministri të rrëmojë dosjet e nëpunësve, por nuk e kuptoj që çdo të thotë dhe çfarë mund të nxjerrë kontrolli i dosjeve së një nëpunësi x diku në një zyrë shteti nga zv.kryeministri. Ka struktura të caktuara shtetërore që merren me përpilimin e dosjeve të nëpunësve.