Vonesat në ndryshimin e kodit zgjedhor e bëjnë të pamundur zbatimin e reformës zgjedhore

467
Sigal

Kur na ndajnë vetëm 5 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, partitë parlamentare nuk kanë gjetur konsensusin për reformën zgjedhore, madje as për rekomandimet e bëra nga OSBE-ODIHR. Kritaq Kume një nga njohësit më të mirë të çështjeve elektorale, shprehet se çdo vonesë e bën të pamundur zbatimin e ndryshimeve. Kjo edhe pse KQZ ka nisur organizimin e punës. Sa i përket votimit të emigrantëve ai shpreh besimin se mund të ushtrojnë të drejtën vetëm vitin e ardhshëm. Ekspertët e zgjedhjeve në Shqipëri, i bëjnë thirrje politikës që të mos humbë asnjë ditë kohë për miratimin e reformës zgjedhore. Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, thotë se çdo vonesë e bën të pamundur aplikimin e ndryshimeve në zgjedhjet vendore. Duhet të bëhet sapo të fillojnë punimet e kuvendit. Çdo ditë që ikën pas saj e vendos në kushtet e një presion shumë të madh që në fund të fundit mund të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, por ato ndryshime do të jenë të atij lloji siç i kemi bërë, në momentin e fundit. Për pasojë efektet nuk mund të jenë ato të pritshme. Reforma zgjedhore e paraqitur në Kuvend nga socialistët parashikon tre çështjet kryesore të debatuara nga politika shqiptare, teknologjinë, votimin e emigrantëve dhe reformimin e administratës. Kume nuk bie dakord për pikën e fundit. Për mendimin tim duke qenë se është një çështje që ka të bëjë vetëm dhe kryesisht me lidhjen me zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, edhe çfarë është shkruar dhe si është shkruar nuk ka pse të jetë pjesë e diskutimit dhe akoma më pak pjesë e miratimit në Kuvend. Teknologjia do të përdoret në zgjedhje vetëm nëse testimi është i suksesshëm ndërsa votimi i emigrantëve do të ndodhë vetëm në zgjedhjet e përgjithshme.