Vokshi: Rama e shembi Teatrin si taleban, PD ka firmosur kontratën, ja plani i saj kur të vijë në pushtet

50

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha se vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar ishte antiligjor, antikombëtar dhe antievropian.

Sipas saj, Rama u soll si një taleban i vërtetë, ndërsa theksoi se kur Partia Demokratike të vijë në pushtet do t’i rikthejë statusin monument kulture Teatrit Kombëtar, si dhe do ta rikthejë ashtu siç ishte godinën.

“Ka jo vetëm trishtim, por edhe zemërim për aktin e rëndë të Edi Ramës ndaj kulturës. Ishte një akt dhūne kriminale, një akt antikombëtar dhe një akt antievropian. Qytetarët kanë nisur mosbindjen civile, edhe pse jemi ende në ditët e fatkeqësisë natyrore, por qytetarët nuk i binden më urdhrave të Ramës. Janë të gjithë qytetarët, që tashmë kanë dalë me parullat ‘poshtë diktatura’. Teatri ishte vija e kuqe ndarëse mes një vendi që do të jetojë në demokraci apo do të pranojë instalimin e një regjimi diktatorial. Edhe vetë personalisht e kam ndjerë shumë tronditjen ndaj këtij akti makabër, talibanez.

Edi Rama ka kryer si një taliban i vërtetë, duke cuar në mes të natës forcat policore të armatosur deri në dhëmbë, në paligjshmëri totale. Edi Rama si një burracak, frikacak, nuk guxoi të përballet me artistët, me qytetarët, që kanë ndenjur për dy vite e gjysmë për të mbrojtur teatrin. Edi Rama doli kundër të gjithë zërave që kërkonin të mbronin këtë vlerë kulturore. Unë si vajzë e rritur në Tiranë kam shumë kujtime me Teatrin Kombëtar. Shumë familje nga e gjithë Shqipëria kanë kujtime, botën e tyre shpirtërore të lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar. Ka zemërim pafund te çdo qytetar shqiptar dhe ky zemërim është e sigurt që do të përshkallëzohet në ditët në vijim. Të gjithë qytetarët shqiptarë po ngrihen për të ruajtur lirinë dhe demokracinë në Shqipëri”, tha Vokshi.

Në ç’mënyrë do të jetë aksioni opozitar?
Ka nisur aksioni tashmë, ka nisur një aksion qytetar. Opozita është tashmë e bërë publike, që do të jetë në mbështetje të çdo proteste, të çdo aksioni, të mosbindjes civile. Do jenë protesta që do të vazhdojnë dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Po diskutojmë, janë mbledhur forumet, do të mblidhen sërish, për të vijuar aksionin opozitar. Në vendimin më të parë do të bëhet publike edhe strategjia dhe plani i opozitës për muajt në vijim. E qartë është që Teatri Kombëtar është një plan i Edi Ramës prej 22 vitesh. Si mundet që Edi Rama të shembë Teatrin në muajin e Ramazanit dhe në mes të pandemisë. Ka pasur gra myslimane të veshura, që janë goditur dhe dhunuar nga forcat policore. Teatri Kombëtar ka vlera kombëtare, një këshill bashkiak nuk mund të marrë vendim. Nuk jep leje këshilli bashkiak për shembje, nuk është kompetencë e tij. Kush e detyroi Edi Ramën? Lleshaj sot ka bërë një prononcim si një kriminel gjakftohtë, duke marrë në mbrojtje gjithë dhunën policore ndaj artistëve, medias, qytetarëve. Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht ndaj ministtrit.

Çfarë do të bëjë PD ndaj këtyre shkeljeve?
Përveç aksionit opozitar, denoncimeve të përditshme ndaj çdo akti antiligjor, antikushtetues, sigurisht ka ndjekur edhe anën institucionale. Jemi në dijeni se PD do të ndjekë të gjithë rrugën institucionale dhe do të jetë në komunikim me Alenacën për Mbrojtjen e Teatrit, që do të vazhdojë të bëjë padi. Nuk pres që Prokuroria të ndërmarrë aktin e duhur si institucion i pavarur, gjithsesi PD do vazhdojë të ndjekë rrugën institucionale dhe të protestave. Qëllimi i PD nuk është ardhja në pushtet, por emergjencë kombëtare është rrëzimi i këtij pushteti.

Si mendoni ta arrini?
Do ngremë fillimisht çdo mekanizëm të kontrollit dhe balancës, në mënyrë që dhe ne nesër të mos i bëjmë ligjet sipas vullenteve tona, por që të jenë vetëm në interesin e publikut. Ne kemi një kontratë të firmosur me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, i jemi përmbajtur kësaj kontrate, kemi qenë në mbrojtje të aleancës dhe qytetarët. Sipas kësaj kontrate, kur PD të vijë në pushtet do t’i kthejë statusin monument kulture Teatrit Kombëtar.

Çfarë do ndodhë kur të vinin në pushtet, nëse është ndërtuar teatri i ri?
Rama po mashtron me projektin. Ai projekt është në procedurë krejt antiligjore, pasi nuk është bërë një konkurs ndërkombëtar. Ne e kemi si pikë të planit, kur të jemi shumicë, për të garantuar vënien para drejtësisë të të gjithë vendimmarrësve politikë, që nga Edi Rama. PD do të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm ligjor që çdo subjekt privat që ka bashkëpunuar për ta detyruar për dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme. Pra, do të detyrohet privati. Do ndërrmetet çdo akt ligjor që çdo gjë të rikthehet në gjendjen e mëparshme. E kemi në strategjinë tonë mbrojtjen e interesit publik. Do t’i mbetemi deri në fund kësaj marrëveshjeje të firmosur.

Teatri simbolizon shumëçka, nuk është vetëm vlerë historike, kulturore. Te Teatri është çështja e vjedhjes së pronës publike, që duhet të sensibilizojë çdo qytetar të Shqipërisë. Atyre po iu vidhet prona e tyre publike, dje e kishte radhën teatri, nesër do ta kenë shtëpitë e tyre. Është çështje kombëtare, jo vetëm e opozitës. Aty kemi pastrimin e parave të pista nga krimi dhe droga. Edi Rama ka marrë gjithçka, nuk ndalet më, ju ka vjedhur qytetarëve çdo të drejtë. Është koha për reagim për të larguar këtë regjim që po instalon Edi Rama, jo për PD.