VOA: Rama do refuzojë komisionin hetimor, nuk sqaroi pse i dha informacione Nezës

124
Sigal

Në Shqipëri, opozita dorëzoi sot zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor mbi lidhjet e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal. Ish-zyrtari i FBI-së akuzohet në Shtete e Bashkuara se ndër të tjera, nuk ka raportuar kontaktet dhe lidhjet me zyrtarë shqiptarë, se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare. Sipas akt-padisë ai po ashtu ka ndikuar në hapjen e një hetimi për një lobist që punonte për një parti rivale të socialistëve.

Opozita shqiptare thotë se Komisioni duhet të hetojë kontaktet dhe marrëdhëniet mes zoti Rama dhe ish zyrtarit të FBI-së, si dhe ndikimin apo nxitjen e ish zyrtarit të FBI-së për të dëmtuar opozitën shqiptare. Me gjasë kjo kërkesë e opozitës mund të refuzohet nga socialistët, siç ka ndodhur dhe në raste të tjera.

Dje kryeministri refuzoi të paraqitej në interpelancën e kërkuar nga opozita për këtë çështje, pasi sipas tij deputetët e saj “nuk meritojnë më disponinin tim, se e kanë ulur nivelin etik aty ku nuk mban më dhe për faktin se më shumë se sa një herë, duke qenë shumë i disponueshëm për debate, më kanë tërhequr dhe mua në atë nivel”, deklaroi ai më pas në mbrëmje, kur zgjodhi që të shfaqej në disa nga emisionet politike të së enjtes.

Kryeministri përsëriti se nuk ka asnjë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura ndaj ish zyrtarit të FBI-së. Ndërsa lidhur me dyshimet se ai ka ndikuar që FBI të niste një hetim mbi lobimin në favor të Partisë Demokratike zoti Rama u shpreh se ai dhe qeveria nuk kanë patur asnjë dokument, që lidhet me këtë çështje, të cilën ai deklaroi se e ka mësuar nga mediat. Por megjithatë, ai nuk shpjegoi se përse, Agron Neza, ish-punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare, të cilin ai thotë se e ka njohur vetëm përmes ish-zyrtarit të FBI-së dhe Dorian Duçka, i cili ka punuar si këshilltar i jashtëm pa pagesë i kryeministrit, u angazhuan, sipas akt akuzës, për t’i dhënë informacione zoti McGonigal, për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare. Sipas akt-akuzës, të paktën në një rast, Neza “e ka marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë” dhe shërbeu si burim konfidencial njerëzor i FBI-së për këtë çështje.

Besohet gjerësisht se bëhet fjalë për lobistin Nick Muzin, i cili kishte marrë një shumë prej 500 mijë dollarësh nga Partia Demokratike. Nick Muzin i deklaroi shumat me 14 nëntor të vitit 2017. Më 22 nëntor BIRN-i e bëri publike këtë fakt dhe vetëm dy ditë më pas, më 24 nëntor, sipas akt-akuzës, McGonigal u vu në dijeni përmes zotit Duçka. Disa muaj më pas, më 26 shkurt të vitit 2018, FBI-ja hapi hetimet ndaj lobistit Muzin me kërkesë të zotit McGonigal. Në mars, Mother Jones botoi një artikull të gjatë ku vendoste lidhje midis pareve të paguara për Nik Muzinin dhe elementëve rusë./VOA