VOA: Përse nuk veprohet ndaj zyrtarit të implikuar në çështje

404
Sigal

Në Shqipëri botuesi i njohur Henri Çili, pronar i Universitetit europian të Tiranës, një prej institucioneve arsimore më të mëdha në vend, u arrestua nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore në të paktën dy raste për të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave.

Ndaj tij, policia njoftoi sot se janë ngritur dyshimet për 6 vepra të ndryshme penale. Dokumentat e hetimit nxjerrin në pah faktin se në mesin e muajit janar, në mjediset e një hoteli në Tiranë, Çili rezulton të ketë biseduar me drejtuesin e një organi të lartë të Drejtësisë të cilit i ka kërkuar që të ndikojë që të trajtoheshin sa më shpejt rastet e të dënuarve për të cilët ai kishte marrë përsipër të ndërhynte.

Funksionari i drejtësisë nga ana e tij mësohet t’i ketë premtuar se dosjet e tyre do të jenë mes 50 të parave. Duke qenë se bëhet fjalë për dosje që ndodhen në Gjykatën e Lartë, vëmendja mediatike u përqëndrua te gjyqtari i vetëm i kësaj Gjykate Ardian Dvorani. Mbetet mister se kush është funksionari i lartë i drejtësisë dhe pse nuk është vepruar ndaj tij, duke qenë se më së paku ai mund të dyshohet për moskallëzim të krimit për ndërhyrjen që ka patur nga Çili, i cili përfundoi në pranga edhe për këtë episod.