VOA/ Arrestohen ushtarakët pas vjedhjes së armatimeve në Pashaliman

493
Sigal

Gjykata e Vlorës dha të hënën masën e sigurisë arrest me burg për katër ushtarakë pas vjedhjes së depos në bazën ushtarake në Pashalimanit. Dy oficerë roje të bazës Lesko Ramosaço dhe Edlir Nelaj, studenti Ardit Ramaj, dhe infermieri Ervist Memsulaj akuzohen për “shkelje të rregullave të shërbimit të rojës në objektet e rëndësishme me pasojë vjedhjen e armatimeve”. Të dhënat zyrtare flasin se në depon ushtarake të bazës detare u vodhën pas mesnatës së 9 janarit 2 pushkë automatike, një karabinë, 40 granata dhe rreth 5500 fishekë të llojeve të ndryshme, përfshirë edhe municione blindshpuese. Nga hetimet rezultoi se vjedhja u krye kur roja përgjegjës kishte braktisur postin dhe ishte strehuar në një mjedis tjetër ndërkohë që nuk ishin respektuar praktikat e kontrollit të shërbimit dhe ndërrimit të rojeve. Përmes avokatëve mbrojtës dhe vetë deklarimeve, ushtarakët pretenduan në gjykatë se baza detare nuk kishte masa sigurie pasi mungonte ndriçimi dhe kamerat, dhe ushtarakët ishin detyruar të kryenin orë të gjatë shërbimi, në kushte të vështira atmosferike për shkak të mungesës së efektivëve. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura menjëherë pas evidentimit të incidentit dënoi aktin dhe siguroi se nuk ishte dëmtuar siguria, gatishmëria dhe operacionaliteti i Forcës Detare. Baza e Pashalimanit është një nga objektet më të rëndësishme të sigurisë ushtarake në Shqipëri që shërben për flotën bregdetare që kryen kontrolle të regjimit kufitar detar shqiptar dhe operacione ne kuadër te forcave të NATO-s.