Shpërthejnë kritikat brenda PS-së kundër kupolës drejtuese. Pas Ish-ministrit Bushati, edhe Niko Peleshi dërgon mesazh
Njerëzit më lart se unë janë të korruptuar, të mos pezmatohemi. E keqja është kudo
Ndaj Niko Peleshit, ish-ministër i Bujqësisë, Prokuroria ka nisur një verifikim hetimor lidhur me një insekticid që ndodhet në treg e që pretendohet të jetë i rrezikshëm. Por dje ish-ministri Peleshi duket të jetë përpjekur të grupojë veten te socialistët e lexuar dhe në reflektim, ku me disa mesazhe që tingëllojnë të koduara, ndërsa zgjedh të theksojë se e mira dhe e keqja janë kudo dhe se nuk ka sistem puritan dhe as totalisht të korruptuar. Domethënë, ish-ministri Peleshi, i adreson kupolës së PS-së, se nuk është e keqja ai, si ministër, por e keqja është tek udhëheqja e qeverisë. Ish-ministri i qeverisë Rama përzgjedh një paragraf ku ndër të tjera thuhet: “Sistemi im moral është i thjeshtë: Lart është e keqja dhe poshtë është e mira. Njerëzit me status hierarkik më të lartë se unë janë të korruptuar, ndërsa ata që janë përreth meje janë viktimat e korrupsionit të tyre”. Edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka përcjellë mesazhe kritike për çfarë po ndodh në gjirin e socialistëve, mesazhe që nuk janë pritur mirë në selinë rozë.
Mesazhi i Peleshit: E mira, e keqja dhe diçka tjetër…
E mira dhe e keqja janë kudo. Ato janë në bashkëjetese dhe në luftë të vazhdueshme. Nuk janë të ndara dukshëm. Nuk i shqiten njëra-tjetrës. Kështu janë edhe sistemet. Ai që bën diferencën midis njerëzve, shoqërive, sistemeve dhe shteteve është raporti i të mirës me të keqen. Diku dominon e keqja, diku dominon e mira. Por brenda një shoqërie unë mendoj se ky raport është i njëjtë. Të gjitha hallkat e një shoqërie tentojnë këtë raport. Shoqëri të ndryshme kanë vlera të ndryshme të këtij raporti. Njerëzit me status hierarkik më të lartë se unë janë të korruptuar, ndërsa ata që janë përreth meje janë viktimat e korrupsionit të tyre. Ekzistenca e çdo hierarkie është automatikisht provë e padrejtësisë. Na duhen më shumë politikanë të ndershëm. Dekadenca morale është ngjitëse për shkak se shoqëria është një sistem ingranazhesh të lidhur me njëri-tjetrin. Në Shqipëri sot perceptohet politika si një hapësirë e dominuar totalisht nga e keqja. Po ashtu edhe drejtësia. Për rrjedhojë të gjitha përpjekjet dhe të gjitha vështrimet janë drejtuar andej. Por pak a shumë raporti ndërmjet të mirës dhe të keqes, qëndron si një mesatare morale e shoqërisë. Një mesatare e pamëshirshme që i tërheq të gjithë tek vlera e vet. Jo vetëm politikën. Jo vetëm drejtësinë. Rruga e duhur është rritja e kësaj mesatareje, e këtij raporti, në të gjitha sistemet paralelisht. Një sistem drejtësie i pastruar plotësisht përmes një operacioni të pazakonshëm pastrimi, herët a vonë do të shkonte drejt kësaj mesatareje. Një klasë e re politike, e pastruar nga mëkatet, por e rrethuar nga problemet morale të mediave, klasës së biznesit apo edhe opinionit publik në tërësi, do të rrëshqiste drejt mesatares morale të shoqërisë.
Njerëzit me status hierarkik më të lartë se unë janë të korruptuar, ndërsa ata që janë përreth meje janë viktimat e korrupsionit të tyre. Një klasë e re politike, e pastruar nga mëkatet, por e rrethuar nga problemet morale të mediave, klasës së biznesit apo edhe opinionit publik në tërësi…