Vllahutin lan duart me shqipërinë

658
Sigal

 Dje, maxhoranca dhe një grup ambasadash në Tiranë organizuan një tryezë të rrumbullakët “Çfarë e pret Shqipërinë pas konkluzioneve të Këshillit të BE”. Diskutantë deputetë nga maxhoranca nuk kursyen lavdërimet për BE-së, për vendimmarrjen që u mor në 26 qershor, që Shqipërisë të mos i hapen negociatat, pikërisht, pse ende nuk janë kryer 5 reformat e kushtëzuara, sidomos lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, zvarritja e pajustifikuar në reformën në Drejtësi etj.

 Ambasadorja Vllahutin, me gjuhë të dyfishtë diplomatike

 Ambasadorja Vllahutin, më në fund, e theu heshtjen e saj publike, dhe dje në këtë tryezë tha se vendin e pret një vit i vështirë, duke pasur parasysh dhe zgjedhjet lokale të vitit 2019. Ambasadorja Vllahutin e pohoi këtë, sepse e di shumë mirë që BE-ja e ka kushtëzuar edhe në 2019-n hapjen e negociatave me kryerjen e reformave të thella zgjedhore dhe zgjedhjet vendore do të jenë testim i madh. Në mandatin e saj si ambasadore e BE-së në Shqipëri, Vllahutin asnjëherë publikisht nuk ka kritikuar qeverinë, maxhorancën, as atëherë kur Shqipëria “lulëzoi” nga hashashi, i cili kishte për kujdestar zyrtarët më të lartë të qeverisë.

Ambasadorja Vllahutin, ka heshtur për krimin e korrupsionin në Shqipëri

Ambasadorja Vllahutin asnjëherë nuk foli për korrupsionin galopant, as për koncesionet që jepen në mënyrë jo transparente. Ambasadorja Vllahutin nuk foli asnjëherë as për dhunimin e zgjedhjeve parlamentare në 2017-n, në zgjedhjet vendore në 2015-n, nuk denoncoi kurrë vjedhjen e votave, nuk denoncoi as shpenzimet marramendëse të partive politike dhe kandidatëve si subjekte politike. Ambasadorja Vllahutin nuk foli asnjëherë as për deformimin e reformës në drejtësi nga maxhoranca, as kur maxhoranca votoi me puç kushtetues kryeprokuroren e përkohshme, në kundërshtim edhe me ndryshimet e reja kushtetuese të reformës në drejtësi. Ambasadorja Vllahutin u akuzua publikisht nga Kryeprokurori Llalla, se i kishte kërkuar në zyrë arrestimin e ish-kryeministrit Berisha, pa prova, por vetëm për motive politike dhe që deri më sot, nuk e ka përgënjeshtruar. Ambasadorja Vllahutin në mandatin e saj në Shqipëri më shumë shërbeu si sponsor politik i maxhorancës, derisa nuk përçoi realitetin politik në BE, aq sa vendet kryesore të BE-së dhe kancelaria Merkel, presidenti francez Macron, dhe kryeministra të tjerë nuk e besonin më as ambasadoren e BE Vllahutin dhe as raportet e saj për zhvillimet politike në Shqipëri. Vota kundër e BE-së, ndaj hapjes së negociatave me Shqipërisë është dëshmia më e qartë, se raportimet e ambasadores Vllahutin nuk përmbanin realitetin politik në Shqipëri, derisa ajo zbukuronte qëllimisht dështimet e maxhorancës edhe në 5 kushtet e BE-së për reformat e integrimit.