Vlerësimi i përgjithshëm politik i Z. Luan Rama për LSI gjatë 2016

557
Sigal

Konferenca për shtyp e N/Kryetarit të Lëvizjes
Socialiste për Integrim, z. Luan Rama

Dëshiroj sot në këtë prag të mbylljes së vitit
dhe në vigjilje të Viti të Ri, të bëj një vlerësim të përgjithshëm politik mbi
vitin politik Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili në termat të
përgjithshëm dhe referuar gjithë produktit politik, qeverisës dhe gjithçka
lidhet me këtë, në vlerësimin e LSI-së konsiderohet një vit politik i
suksesshëm dhe që përgjithësisht rezulton në përmbushje të të gjitha
angazhimeve dhe prioriteteve që ne kishim programuar në fillim të vitit.

Pa dashur të zgjatem, por në mënyrë konçize
dua të evidentoj veçanërisht rolin përcaktues dhe deçiziv që luajti LSI në
miratimin e paketës së reformës në drejtësi, që është padyshim arritja më e madhe
legjislative, por edhe politike e këtij viti, çka u bë e mundur në fakt të
realizohej me konsensus për shkak të investimit maksimal me shumë përgjegjësi
dhe me konsistencë të LSI-së dhe në mënyrë të veçantë do të thoja të Kryetarit
të LSI-së në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta.

Reforma në drejtësi i hap kështu rrugë nisjes
së një procesi vital, një procesi tejet të rëndësishëm dhe që lidhet
pazgjidhshmërisht me gjithë mënyrën e funksionimit të shtetit për të bërë të
mundur, që ne si vend aspirant për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, pikë
së pari të bëjmë të mundur që drejtësia, jo vetëm të jetë funksionale, por të
jetë drejtësi që bën drejtësi. Drejtësi që respekton dhe zbaton ligjin për të
bërë të mundur pastaj që i gjithë ky produkt që vjen prej drejtësisë të shkojë
tek qytetarët ashtu siç ndodh në çdo vend tjetër të BE-së.

Natyrisht, roli konstruktiv, dimensioni
bashkëpunues dhe luajaliteti në gjithë sjelljen politike të LSI-së ka qenë një
konstante e pandryshuar, sepse kjo është në përputhje të plotë me gjithë
filozofinë tonë politike, me filozofinë tonë qeverisëse dhe me gjithë
angazhimin tonë për të bërë të mundur përmbushjen e të gjitha detyrimeve që
Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Një tjetër arritje politike që e bën të
dallueshme dhe që e veçon LSI-në nga e gjithë pjesa tjetër e politikës në vend
ka qenë vendimi për të realizuar në sytë e publikut dhe për ta bërë të
aksesueshëm për çdo qytetar transparencën financiare të çdo qindarke që hyn në
llogaritë apo në buxhetin e LSI-së për të bërë të mundur që çdokush të lexojë
si krijohen të ardhurat, si administrohen, si shpenzohen dhe gjithçka ka të
bëjë me transparencën financiare. Kjo ka qenë një nismë e rëndësishme politike,
tashmë ne e kemi kthyer në traditë dhe natyrisht është një model politik, të
cilin do të bënin mirë ta ndiqnin edhe aktorët e tjerë politikë në vend.

Përsa i përket anës organizative dhe
funksionimit të LSI-së, dëshiroj të theksoj që viti 2016 shënon një rritje, jo
vetëm të rolit dhe peshës politike të LSI-së në skenën politike të vendit, por
shënon edhe një rritje përsa i përket nivelit të angazhimit të çdo anëtari, të
çdo strukture të saj. Shënon rritje përsa i përket mënyrës së organizimit dhe
funksionimit organizativ të LSI-së dhe mbi të gjitha shënon një rritje të
konsiderueshme në numrin e anëtarëve, të simpatizantëve, në numrin e të rinjve,
që janë bërë anëtarë të LSI-së, pra që kanë zgjedhur LSI-në si alternativë
politike, por edhe si mundësinë apo shansin e tyre për të bërë të mundur që
angazhimi i tyre të jetë kontribut edhe për shoqërinë, të jetë kontribut edhe
për vendin.

E kurorëzuam këtë proces të riorganizimit dhe
të strukturimit të LSI-së me Konventën Kombëtare, që zhvilluam në fillim të
dhjetorit, ku demonstruam edhe një herë gjithë angazhimin tonë, gjithë
vëmendjen tonë për reformat e mëdha, për reformat që kanë të bëjnë me ecurinë e
Shqipërisë në rrugën e anëtarësimin në BE dhe mbi bazën e këtyre prioriteteve
ne do të vazhdojmë të punojmë. Do të vazhdojmë të jemi forca që insiston për ta
kthyer në institucion bashkëpunimin, dialogun, kompromisin kur është fjala për
reforma të mëdha apo për vendimmarrje të mëdha, që kanë të bëjnë me interesat e
vendit dhe gjithçka lidhet me ecurinë, me zhvillimin dhe me progresin e
Shqipërisë në përputhje dhe me aspiratën e qytetarëve të këtij vendi.

Pa dashur të zgjatem më tej, duke e
konsideruar politikisht vitin 2016 një vit të suksesshëm, LSI uron të gjithë
qytetarët shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, kudo ku ata punojnë, suksese, gëzuar
Vitin e Ri 2017 dhe të kenë të gjithë më të mirën e tyre në familjet e tyre dhe
në plotësim të dëshirave dhe të aspiratave të tyre për një jetë më të mirë, për
më shumë begati, dhe padyshim për ecurinë e mëtejme të Shqipërisë në rrugën e integrimit
evropian të vendit.

Një urim të veçantë dua të përcjell për të
gjithë ju përfaqësuesit dhe punonjësit e medias në këtë vend për punën,
angazhimin dhe për gjithë përkushtimin tuaj për të përcjellë përmes frekuencave
apo hapësirave tuaja te qytetarët, gjithçka ndodh në këtë vend dhe mbi të
gjitha gjithçka ndodh në realitetin politik të vendit. Edhe një herë gëzuar
vitin 2017, suksese dhe mbarësi të gjithëve. 

 

Pyetje nga gazetarët

 

Cili është komenti juaj në lidhje me
deklaratat që bëri Kryeministri Rama në konferencën për shtyp teksa analizoi
koalicionin me LSI-në, kur tha se LSI ka arsye taktike të bëjë sikur do ose
sikur nuk do të vazhdojë këtë koalicion?

Së pari, nuk preferoj të bëj komente mbi
komentet, apo komente për komentet. Nuk kam asgjë për të shtuar jashtë asaj që
LSI e ka bërë të njohur dhe ka rikonfirmuar herë pas here në të gjitha
qëndrimet që ka mbajtur Kryetari i LSI-së.

Më konkretisht, ne jemi në një koalicion
bashkëqeverisës për Shqipërinë evropiane. Shqipëria evropiane dhe mbërritja e
këtij objektivi, që është prioritet kombëtar, mbetet padyshim prioritet
esencial për LSI-në. Ne jemi forcë politike serioze, që ju qëndrojmë
marrëveshjeve dhe përmbushim të gjitha detyrimet që vijnë nga marrëveshje të
kësaj natyre dhe në mënyrë të veçantë nga marrëveshje që kanë të bëjnë me
bashkëqeverisjen dhe do të vazhdojmë të punojmë me shumë seriozitet, me
konsekuencë, me përkushtim për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga
marrëveshjet e bashkëqeverisjes.

Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e patur
kredon e vet politike integrimin evropian të vendit në të gjithë qëndrimin e
vet, do të orientohet vetëm nga interesi i qytetarëve shqiptarë dhe vetëm nga
interesi i integrimit evropian të vendit. Ne nuk kemi asnjë arsye taktike, ne kemi
vetëm prioritete strategjike dhe prioriteti ynë strategjik, angazhimi ynë
strategjik është integrimi i Shqipërisë në BE. Krijimi i një Shqipërie
evropiane në këtë vend për jetën më të mirë të qytetarëve të këtij vendi.
Jashtë kësaj konstanteje të pandryshueshme nuk kemi asgjë për të shtuar dhe
asnjë qëndrim tjetër.

Për ta konkluduar atë që thashë, ne do të
vazhdojmë të jemi forcë serioze, bashkëpunëtorë seriozë dhe korrekt në
përmbushje të të gjitha detyrimeve dhe angazhimeve politike qeverisëse dhe me interes
kombëtar në kuadër të Shqipërisë evropiane. Koalicioni për Shqipërinë evropiane
ka detyrën të përmbushë misionin deri në ditën e fundit për të shkuar në
gjykimin ndaj qytetarëve me bilanc pozitiv dhe me treguesit apo me angazhimet e
përmbushura. Lëvizja Socialiste për Integrim është forcë e integrimit evropian
dhe do të vazhdojë të kontribuojë me çdo individ të saj në të gjithë hapësirën
që ajo vepron për integrimin evropian të Shqipërisë.