Vladimir Beja jep alarmin: Rama të tërhiqet nga premtimi ndaj Athinës, jo betejë në Hagë

302
Sigal

Greqia tashmë ndodhet përballë faktit të kryer. Pas vizitës zyrtare të kryediplomatit grek Niko Dendias në Tiranë, rënies dakord për t’u përballur në Hagë sa i përket përplasjet për ndarjen e ujërave të territoriale mes dy vendeve, Greqia ka bërë të ditur se Dekreti presidencial për zgjerimin në Jon nga 6 në 12 milje është miratuar, pasi u paraqit në Gjykatën e Kasacionit (të Shtetit) nënshkruar nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave. Deri më tani Tirana zyrtare nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar për këtë lajm të bujshëm. Vladimir Beja, ish- Komandanti i Forcave Ushtarake Detare të Republikës së Shqipërisë dhe ish-kryetari i grupit të ekspertëve në Marrëveshjen me Italinë, ka ngritur alarmin, se një gjë e tillë, do të ketë pasoja dhe propozon një hartimin e një strategjie kombëtare.

Reagimi i Vladimir Beja

Deklarata e kryeministrit aktual grek Mitsotakis se Greqia do t’i zgjerojë Detin Territorial nga 6 në 12 milje në Detin Jon, jo vetëm ngjalli shqetësim, por u vlerësua e nxituar dhe e njëanshme si nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, ashtu dhe nga samiti i BE-së! Greqia me ligjin e saj të Kufirit, qysh nga viti 1936, gëzon Det territorial deri në 6 milje! Ajo ka tentuar disa herë ta ndryshojë këtë ligj, por nuk është lejuar, si nga SHBA ashtu dhe vendet e tjera, sidomos fqinjët e saj! Konventa ndërkombëtare e Montego Bay, apo Ligji Ndërkombëtar i Detit, siç njihet Sot, u njeh të drejtën shteteve bregdetare t’i kenë ujërat territoriale deri në 12 milje, por në kushtet e një shteti si Greqia me mijëra ishuj, e sheh të pamundur, të padrejtë që ishujt të gëzojnë statusin e njëjtë me Kontinentin! Pretendimi Greqisë për zgjerim të Detit Territorial në veri të Ishujve Erikusa dhe Fanosit (Othonoi) është arrogant si përgjigje ndaj palës shqiptare për mos nënshkrim të Marrëveshjes- projekt dhe se ku zgjerim nga 6-12 milje, cenon-pre–hapësirën e Detit Territorial të RSH dhe Zonat ekonomike ekskluzive, që sipas Ligjit Ndërkombëtarë të Detit i përkasin, i takojnë Shtetit Shqiptar! Përpjekjet e dështuara për mosarritjen e Marrëveshjes me Greqinë, mund të trajtohen dhe si rezistencë serioze e ekspertëve tanë, jo qeveritare, apo jo nëpunës të Shtetit, të cilët duhen vlerësuar kombëtarisht për kontributin e tyre! Mbi bazën e qëndrimeve të tyre shteti shqiptar duhet të ndërtojë një draft- marrëveshje si strategji kombëtare dhe jo më, të PD-së dhe të PS-së dhe këtë draft ta paraqesë aty ku duhet, qoftë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hamburgut! Shqipëria duhet të tërhiqet nga premtimi i qeverisë Rama për të shkuar me një draft të përbashkët me Greqinë në Gjykatë Ndërkombëtare! Ne duhet të kemi Draftin tonë, siç u shpreha më lart një Draft Kombëtar! Dhe jo në Gjykatën e Hagës, por të Gjykata e Hamburgut, e cila është ngritur posaçërisht për të gjykuar mosmarrëveshjet, në zbatim të parimeve të Konventës së Montego Bay!