Vizita në Berlin si fundi vetëvrasës i Edvinit

472
 Nga Sali Berisha 
Java: Nga dështimi në dështim.
Sigal

Vijim…

Pas Bujrum Dajakut në Marmara dhe darkës së Kapitullimit në Athinë e damkosjes publike nga Bakojanis, si kukull në duart e të tjerëve, që punon kundër vendit të vet, Berlini do të shënonte për Edvin Hajdutin fundin vetëvrasës politik të një gangsteri të zhveshur nga çdo parim, ligj, normë apo moral dhe interes tjetër, përveç pushtetit të tij personal.

Ai, në një rast të paprecedentë, u nis për në Berlin pasi njoftoi me mediat e kontrolluara prej tij për takime me Kancelaren Merkel, drejtues të Bundestagut dhe përgjegjës kryesorë të zgjerimit të BE e politikës së jashtme të Gjermanisë. Mirëpo në Berlin i ndodhi ajo që në memorien historike të atij metropoli nuk ka ndodhur kurrë me një kryeministër të ndonjë vendi tjetër.

Edvin Droga në Berlin nuk u prit nga Kancelarja Merkel dhe asnjëri nga zyrtarët e rëndësishëm të Bundestagut apo politikës së jashtme të Gjermanisë, që ai kishte paralajmëruar.

Kjo ndodhi, pasi ai para nisjes për Berlin me mediat e kontrolluara prej tij, i mashtroi qytetarët shqiptarë për takimet e nivelit më të lartë që do të kishte në Gjermani duke besuar se nëpërmjet këtij mashtrimi do të mund t’u diktonte axhendën, Kancelares Merkel dhe politikanëve të tjerë më të lartë të atij vendi.

Të njoftosh për takim me kancelaren e Gjermanisë apo dhe kryeministrin e çdo vendi pa rënë paraprakisht dakord për takimin është një akt birboje i papranueshëm dhe i turpshëm e i papërgjegjshëm.

Edvin Droga jo vetëm nuk u prit në takimet që kishte paralajmëruar por udhëtimi i tij privat në Berlin u përcoll nga mediat e mëdha gjermane publike dhe ato private sikur të ishte persona nongrata ose së paku, siç themi ne shqiptarët si ai që “shkon pa ftuar dhe e gjen pa shtruar”.

Kështu, Edivi regjistroi në rrafshin ndërkombëtar fundin e turpshëm dhe të merituar politik, dështimin më të hidhur më spektakolar, që kryeministri i një vendi mund të ketë pësuar ndonjëherë.

Me të drejtë analistët kanë shtruar pyetje pse Rama u largua nga Berlini i përçmuar nga mediat, pa takuar asnjëri përveç Duçkës së tij?
Mendimet janë të ndryshme.

Për disa ai nuk u prit sepse tashmë është e qartë si drita e diellit se ai ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës dhe ka ndërtuar këtu narkoshtetin e parë në kontinentin e vjetër.

Në këtë kontekst ai nuk mund të konsiderohet më kryeministër i një vendi, por kryebos mafioz i një qeverie të mafies së drogës të atij vendi.

Të tjerë besojnë se shkaku më kryesor i mospritjes së tij qëndron në shndërrimin e drejtësisë në degë të ekzekutivit, asgjesimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Të tretë besojnë se ai nuk u prit sepse ai ka shndërruar Shqipërinë në qendër operacionale të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe vendin më të korruptuar të Europës.

Kurse një kategori tjetër konsiderojnë si shkak kryesor lojën e tij të rrezikshme që së bashku me argatin e Beogradit në Prishtinë dhe padronin e tyre Vuçiç bënë me kufijtë e Kosovës, me të cilën po e çonin Ballkanin në konflikte të reja.

Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë këta faktorë kanë peshën e tyre në alergjinë ndërkombëtare që ekziston sot ndaj Edvin Hajdutit dhe mjerisht dhe Shqipërisë, të cilën ai e ka shndërruar në delen e zezë të Europës, vendin kampion për rekordet më të zeza: për azilkërkuesit, krimin, drogën, trafiqet e tjera kriminale, larjen e parave, skllavërinë e fëmijëve etj etj.

Të gjithë këta faktorë së bashku kanë bërë që Shqipërisë t’i myket tapeti i kuq, sepse prej vitesh nuk shtrohet pasi delen e zezë nuk duan ta vizitojnë më diplomatë të rëndësishëm, ministra apo shtetarë të vendeve perëndimore, në vizita direkt dhe as gjatë vizitave të tyre në vendet e tjera të rajonit.

Madje përçmimi ndërkombëtar ndaj Edvinit ka arritur kulmin kur burrështetasit e huaj për të shmangur një efekt negativ mediatik në vendet e tyre me njerëz, shmangin edhe fotot me të në Samite dhe takime ndërkombëtare apo arrijnë deri sa dhe ta përjashtojnë për shkak të atleteve, nga fotot kolektive, siç ndodhi me rastin e takimit rajonal të Zëvendespresidentit Pence në Podgoricë.

Kurse në rastet kur ata si mikpritës të samitit apo takimit janë të detyruar nga protokolli ta presin në holl me shtrëngim të duarve dhe të bëjnë foton e rastit me të, kanë arritur deri aty sa që për shkak të shkeljes së protokollit nga ana e tij, t’i bëjnë edhe spote tallëse televizive, siç bëri rrjeti televiziv publik i Mbretërisë së Bashkuar BBC për atletekuqin e padenjë dhe qesharak për takime dhe samite ndërkombëtare.

Por mendoj se faktori më kryesor i qëndrimit asgjesues të Berlinit ndaj tij ishte vetëvrasja politike që Edvini kreu para se të shkonte me grisjen e marrëveshjes së 5 qershorit të ndërmjetësuar me përkushtim të veçantë dhe të përshëndetur pas arritjes nga Departamenti i Shtetit, Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Bundestagu i gjerman.

Me këtë akt vetëvrasës, Edvini doli cullak para botës si një birbo, zuzar i vërtetë për të cilin parimi pacta sund servanda nuk ekziston dhe se për pushtetin e tij ai nuk njeh asnjë normë, parim, moral apo ligjor kombëtar apo ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, Berlini ishte thjesht një goditje mëshire për kufomën politike Edvin Kristaq Rama.