Vizita e Kryepeshkopit serb Irenej në Tiranë, plasin polemikat

505
Sigal

 Edi Rama kritikon patriarkun serb: Shpërfille besimin, na ke fyer!  

Polemika dhe komente kundër vizitës së Kryepeshkopit serb Irinej, pas pjesëmarrjes së tij në Shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Guximi i patriarkut serb për të deklaruar nga Tirana se Kosova, është tokë e shenjtë e Serbisë, nuk mund të kalonte pa rënë në sy dhe pa ngjallur debate të forta e kritika të ashpra në vend.

Rama: Krejt e padëshiruar, s’respektoi vendin

Dhe ka qenë vetë kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ai që ka dhënë vlerësimin e ashpër ndaj Irinej, të ndodhur në Tiranë për ceremoninë e shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjalla e Krishtit”. Rama ka zgjedhur pikërisht takimin dje në kryeministri me Janullatos, patriarkët botërorë, si Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I dhe primarët e kishave të tjera ortodokse, për t’iu drejtuar me gisht patriarkut serb – i pranishëm gjithashtu ne takim, – për deklaratën e tij, të vlerësuar nga Kryeministri Rama, si shpërfillje e besimit tonë fetar. Bëhet e ditur se, Rama ka deklaruar se Irinej shfrytëzoi një rast fetar për ta kthyer në një çështje politike. “Kolegu juaj”, është shprehur Rama, duke treguar me gisht patriarkun serb, “ka abuzuar me mikpritjen tonë, duke e transformuar një festë fetare dhe provën e bashkëjetesë tonë fetare në një çështje politike. “Ne jemi revoltuar dhe na ka fyer”,- është shprehur Rama. Përballë “sulmit” dhe kritikave të hapura të Ramës, patriarku serb, Irinej, nuk ka dhënë asnjë reagim. E këtë qëndrim të ashpër kryeministri e ka shfaqur dhe me bojkotin e drekës zyrtare të ortodoksëve të mbajtur në hotel “Sheraton” të dielën, menjëherë pas ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

Berisha: I ka duart të lyera me gjak shqiptaresh

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka komentuar dje në Facebook, shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke dënuar vizitën e kryepeshkopit serb Irinej. Sipas Berishës, Irinej është një ultranacionalist që i ka duart të lyera me gjak shqiptarësh, prandaj nuk duhet të ishte ftuar në këtë ceremoni. “Dënoj si deklaratën e Irinej, këtij armiku të egër të shqiptarëve që nuk duhej të ftohej kurrsesi në Tiranë, ashtu dhe aktet provokuese të ulëta të suitës së huliganëve serbë që e shoqëronin atë. Ultranacionalisti Irinej, që ka duar dhe shpirt të lyer me gjak shqiptaresh, i cili kurrsesi nuk duhej ftuar, me deklaratat e tij, dhe huliganët që e shoqëronin me aktet e tyre, dëshmuan se kanë ardhur me qëllim pikërisht ta shndërrojnë këtë akt të madhërueshëm hyjnor në një akt sherri të turpshëm”,- shprehet Berisha.

“Kosova është Serbi”, Dhima: Distancohemi nga deklarata e Irinej  

 Në lidhje me deklaratat nga Tirana të patriarkut serb Irinej se Kosova është e shenjtë për Serbinë, ka reaguar edhe zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale, Thoma Dhima. Ai thotë se, deklarata e patriarkut serb është tërësisht personale dhe Kisha distancohet nga një qëndrim i tillë.

Ahmeti: Nënshtrim dhe mosrespektim i vetvetes 

 Lidership i dobët, udhëheqje i kompleksuar dhe politikë amatore. Kështu e përfundon kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, postimin e tij në rrjetin social Facebook, ku shkruan për ngjarjen e djeshme në Shqipëri, pra vizitën e Irinej në Tiranë. Ahmeti thotë se, megjithëse dje nuk komentoi, sot nuk duroi pa e bërë një gjë të tillë.“Kjo vizitë nuk ka të bëjë as me liri të besimit, as me dialog ndërfetar e as me ndonjë liberalizëm tjetër. Unë e di që shumica e popullit shqiptar kudo që janë nuk pajtohen me këtë vizitë. Kjo nuk është as ndonjë lidership i guximshëm. Kjo është nënshtrim dhe mosrespektim i vetvetes. Kur nuk e respektojmë vetveten nuk do të na respekton askush. A thua çfarë do të thonin rilindësit sot? Çfarë do të thoshte Noli? Vite të tëra sakrificë humbën me një vendim koti. Kemi nevojë që populli shqiptar, po e them populli, përfundimisht të tregoj një vetëbesim e vetërespekt”,- shkruan Ahmeti.