VIDEO/ Ilir Beqja dhe krerët e ‘Drejtësisë së Re’ ia shtrojnë me verë të shtrenjtë

438
Sigal

Për shumë njerëz në Shqipëri, por jo vetëm, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, duhet të vendoset përballë drejtësisë, sidomos për kontratat e dyshimta koncensionare. Një gjë e tillë ka ndodhur, por vetëm se jo në rolin e të akuzuarit por si një mik i cili gostit me verë të shtrenjtë zyrtarët e lartë të administratës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mes tij dhe zyrtarëve të lartë të drejtësisë gjenden disa shishe verë, në dukje të shtrenjta, pamje të cilat tregojnë se Ilir Beqja nuk i druhet aspak përballjes me ligjin. Në videon shihet Beqja, i cili gjendet në anë të tavolinës dhe përballë tij është drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Në tavolinë janë edhe disa persona të tjerë, ku identifikohet një zyrtare e lartë e administratës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (në video është në pozicionin me kurriz, me flokë të gjatë).

Pamjet tregojnë se ndërmjet personave në tavolinën e veçuar të një restoranti luksoz, ekziston një lloj raporti miqësor dhe ata ndihen të çliruar në bisedat që zhvillojnë. Natyrisht, nuk përbën asnjë vepër penale që disa persona të drekojnë ose darkojnë mes tyre.

Por pozitat e personave që ndihen të lumtur në shoqërinë e njëri-tjetrit, krijojnë dyshime të forta. Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë në mandatin e parë të qeverisë “Rama”, ishte nënshkruesi i disa kontratave koncensionare, për të cilat ka pasur dyshime për abuzime financiare dhe klientelizëm.

Këto kontrata janë nën hetim nga Prokuroria Speciale-SPAK, e cila ka nisur veprimet proceduriale pak javë më parë. Pritshmëria publike është e lartë dhe opinioni qytetar shpreson që prokurorët e SPAK të arrijnë të gjejnë prova inkriminuese për Ilir Beqjan.

Por, përballë hetimit të SPAK-ut, ish-ministri i Shëndetësisë duket i pashqetësuar. Ai duket se i ka krahët e ngrohta nga “Drejtësia e Re”. Videoja që shoqëron këtë shkrim dëshmon raportet e tij pozitive me drejtuesin e KLP-së, Gent Ibrahimi, struktura e të cilit është përgjegjës për përzgjedhjen dhe kontrollin e prokurorëve të SPAK-ut.

Pa dashur të paragjykohet hetimi i nisur nga SPAK, megjithatë “miqësitë” e Beqjas me titullarët e rinj të drejtësisë dhe të strukturave të Vetingut, nuk duket se japin shumë shpresë për vendosjen e tij përballë ligjit. Derisa të ketë sinjale për të kundërtën, Ilir Beqja duket se do të qëndrojë përballë drejtësisë, me shishe vere të shtrenjta në mes.

Ndërkohë, shqiptarët do të vijojnë të “ngopen” me premtimet e bujshme të ambasadorëve aradhë amerikanë në Tiranë, të cilët, duke folur në emër të shqiptarëve, paralajmërojnë “arrestimet e peshqve të mëdhenj”.

I pari Donald Lu, një nga mbështetësit e përgatitjes së “rrjetave të mëdha”, tashmë është duke shijuar mandatin e tij në Kirgistan. Ambasadorja aktuale, Yuri Kim, gjithashtu i konsideron prokurët e rinj si “heronj” të Shqipërisë.

Qytetarët shqiptarë shpresojnë që premtimet pompoze për “peshqit e mëdhenj”, të tipit Beqja, të realizohen një ditë dhe të mos jenë thjesht deklarime si “fluska në ajër” e gjithçka të përfundojë në kapjen e “cironkave” që notojnë në ujërat e ndotur të korrupsionit në administratën publike shqiptare./Boldnews