“Vetting”-u mbërrin në Komisionin e Venecias, ligji përkthehet me urgjencë

404
Sigal

Ligji  i Vettingut ka mbërritur në Komisionin e Venecias.
Gjykata Kushtetuese nuk e vonoi procesin  e përkthimit dhe ia arriti të
realizojë dërgimin në Venecia të ligjit të përkthyer brenda tre diteve nga
marrja e vendimit për pezullimin e tij, duke përmbushur edhe pritshmërinë e
Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për ta referuar çështjen pa vonesë
në komisionin e Venecias.

Kryetari i Gjykates Kushtetuese, Bashkim Dedja konfirmoi
për Top Channel se materiali është dërguar të premten pasdite bashkë me pyetjet
përkatëse, të cilat reflektojnë dilemat e gjyqtarëve që morën vendimin e
pezullimit.

Pyetjet kanë të bëjnë me
përmbushjen nga ligji i Vettingut të standardeve të Konventes Europiane për të
Drejtat e Njeriut. Veçanërisht në dy nene të tij, ato që përcaktojnë të drejtën
për një proces të drejtë gjyqësor dhe të drejtën për të respektuar jetën
private dhe familjare.

Ligji i Vettingut detyron
kontrollin e telefonit, mesazheve dhe çdo komunikimi tjetër të personave që do
të punojnë në organet e reja të Vettingut dhe të disa organeve të tjera të
drejtësisë, kryesisht atyre të spakut. Hera e fundit që Gjykata Kushtetuese iu
drejtua Komisionit të Venecias ishte marrja e opinionit për ligjin e pronave në
fund të qershorit.

Kthimi i përgjigjes zgjati
pothuajse 4 muaj, por besohet se me ligjin e Vettingut koha mund të shkurtohet
ndjeshëm. Të pakten dy burime konfirmuan për Top Channel se Komisioni i
Venecias nuk do ta  vonojë përgjigjen dhe do ta trajtojë me prioritet
çështjen e mbërritur nga Shqipëria, duke qënë se ky është një ligj që ka
pezulluar të gjithë zbatimin e reformës në drejtësi.