Venecia: Arroganca e Ramës goditi themelet e demokracisë

260
Sigal

Komisioni i Venecias rrëzon ligjin e Reformës Zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme nga deputetët e  “Rilindjes” dhe kartonat e “opozitës fasadë”. Ndryshimet kushtetuese u bënë jashtëzakonisht të nxituara cka vë në rrezik legjitimitetin dhe njohjen e zgjedhjeve.

Gazeta Telegraf

Opinioni paraprak i “Venecia”-s  

Komisioni i Venecias u ka dërguar palëve Opinionin paraprak për ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor. Që në nisje të dokummentit, Komisioni i Venecias shprehet se “procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118, ishin jashtëzakonisht të nxituara. Konsultime të gjera ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar një afat të duhur, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre ndryshimeve themelore”. Për shkak se ka mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Komisioni i Venecias nuk rekomandon ndryshime të tjera për çështje që prekin zgjedhjet, duke nxitur palët që “të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato”. Opinioni nuk merr përsipër të trajtojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve, sepse për Komisionin e Venecias  “kjo duhet të jetë detyra e Gjykatës  Kushtetuese, sapo të bëhet përsëri funksionale. Komisioni i Venecias dhe ODIHR, tashmë e kanë bërë të qartë se është me rëndësi jetike për Shqipërinë, të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, për më tepër në një kohë në të cilën shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në Shqipëri janë të pranishme.”

Komisioni i Venecias shprehet se “procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118,  ishin jashtëzakonisht të nxituara

Stabiliteti  i  ligjit  zgjedhor

Komisioni i Venecias nënvizon se “stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për të siguruar besimin në procesin zgjedhor, dhe në veçanti për të përjashtuar çdo dyshim për manipulim të kornizës legjislative elektorale. Sa më afër zgjedhjeve të miratohen ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, aq më shumë mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve”.

Formula e koalicioneve parazgjedhore

Në lidhje me debatin për ndryshimin e formulës së koalicioneve, Komisioni i Venecias shprehet se “nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në shpërndarjen e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament.”.

Lista e zgjedhjeve

Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë theksuar se “është e vështirë të parashikohet efekti i futjes së listave pjesërisht të hapura në rezultatin zgjedhor. Votimi me preferencë do të jetë efektiv vetëm nëse arrin një prag të caktuar (deri në 10,000 vota). Efekti i kësaj risie do varen nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi pak a shumë i gjerë i mundësisë për të votuar për një kandidat specifik.”.

Ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike

Komisioni i Venecias konstaton se ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike. “Ndërsa nuk bie brenda mandatit të Komisionit të Venecias dhe ODIHR për të hetuar negociatat politike, të cilat mund të jenë kryer në prapaskenë dhe që çuan në miratimin e ndryshimeve të 5 tetorit, ne nuk mund të mos shprehim keqardhjen edhe një here, që ndryshimet kushtetuese, shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit, madje duke supozuar se objekti i ndryshimeve, ishte diskutuar më parë me opozita jashtë parlamentare. Demokracia e qeverisur nga shteti ligjor nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën për të qeverisur, por edhe rreth diskutimit dhe shkëmbimit kuptimplotë të pikëpamjeve midis mazhorancës dhe opozitës” – shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias kujton se “pavarësisht se sa themelore dhe sa konsensual ishin ndryshimet e miratuara, një kusht tjetër ka të bëjë me faktin që: “Në përgjithësi çdo reformë e legjislacionit zgjedhor që do të zbatohet gjatë një periudhe zgjedhjesh, duhet të ndodhin mjaft herët që ato të jenë vërtet të zbatueshme për zgjedhjet.”. Kjo do të thotë se ndryshimet duhet të jenë të kuptueshme dhe të zbatueshme nga administrata zgjedhore, kandidatët, votuesit dhe vëzhguesit.  Në këtë kontekst duhet të theksohet që ndryshimet hynë në fuqi pasi Presidenti kishte caktuar datën e zgjedhjeve, dhe kjo është pasi procesi zgjedhor ka filluar.”.

Ne nuk mund të mos shprehim keqardhjen edhe një herë që ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit

Rekomandimet  para  zgjedhjeve  të  25 prillit  2021

Komisioni i Venecias dhe ODIHR, bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;

Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;

Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;

Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Për shkak se ka mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Komisioni i Venecias nuk rekomandon ndryshime të tjera për çështje që prekin zgjedhjet

Rekomandimet  pas zgjedhjeve  të  25  prillit  2021

 

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;

Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;

Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;

Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;

Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për t’u paraqitur në listë;

Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.

Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.